Ishte e çuditshme të shihje se si vajza e re që u regjistrua shumë pak ditë më parë tashmë ishte miqësuar me pikërisht ata tre djemtë që pritej më pak. Por çfarë ishte edhe më e çuditshme, ishte fakti që dikush si Ezekieli dhe Kaideni, kishin zënë miqësi me dikë si Semi, ose të paktën kështu dukej në sytë e nxënësve të tjerë. Të gjithë duhet ta merrnin me mend se midis atyre katër 'miqve' diçka kurdisej, por asnjërit nuk i interesonte vërtet se çfarë ndodhte. Ishin në një vend ku çdo gjë mund të ndodhte nga momenti në moment, dhe tashmë kjo gjë nuk surprizonte asnjë.
Kishte kaluar plot një javë që kur Anahera ishte regjistruar në atë shkollë. Një javë qetësie dhe mungesë telashesh. Shumë pak dinin se në atë shkollë qetësia po paralajmëronte diçka të madhe që do të vinte së shpejti.
Ishte orari i drekës dhe të gjithë ishin në mensë. Tashmë ata uleshin të katërt, sepse shfytëzonin kështu çdo mundësi për të formuluar një plan të qartë.
-Çfarë ndodh me nxënësit që dalin nga këtu? -pyeti Anahera. -Dhe si e zgjedhin kush dhe kur do të dalë?
-Nuk e dimë, -u përgjigj Semi. -Qëkur na i shkëputën kontaktet me familjen, nuk e dimë nëse interesohet njeri për ne ose jo. Dhe nuk e di fare si e bëjnë zgjedhjen. Me siguri nuk zgjedhin ata që mësohen si të mos jenë problematikë. Nëse do të ishte kështu, unë do të kisha dalë kohë më parë. Dhe Nedëlli që doli disa ditë më parë nuk do të kishte dalë kurrë, se është një ndër më problematikët. Nuk e kuptoj fare. Por kjo shkollë është e çuditshme, çfarë nuk pritet prej saj.
-Si e hani dot këtë? -tha duke parë me neveri pjatën që kishte para.
-Mësohesh me kalimin e kohës, -i tha Ezekieli. -Por shpresoj që mos të të duhet të mësohesh me kalimin e kohës.
-Nuk do të më duhet, -tha me zë të ulët. -Ka diçka që nuk shkon me këtë ushqim gjithsesi.
-Je e çuditshme ndonjëherë Rei. Në këtë vend asgjë nuk është siç duhet, dhe ty të bën përshtypje ushqimi.
-Ju nuk dini as të kujdeseni për veten, -tha ajo teksa po shikonte një djalë më tutje që dukej sikur sapo kishte dalë nga një luftë me arinj. Flokët i kishte të çrregullt, ishte i pisët dhe rrobat i kishte të grisura.
-Ai quhet Fridrih, por të gjithë i thërrasin Fredo. Është tip i çuditshëm, por i aftë të tërheqë vëmendje, -shpjegoi Ezekieli.
-Duket, -tha ajo pa ia ndarë sytë. -Për të ardhur keq, -tha më pas.
-Këtu askujt nuk i vjen keq për askënd siç e sheh, -i tha Kaideni. -Natyrisht, ka edhe raste kur ky parim shkelet, -hodhi sytë nga Ezekieli, -apo jo Ezekiel?
-Ka gjithmonë një herë të parë, -u përgjigj ai. -Do të të ndodhë edhe ty, do flasim ndryshe pastaj.
Kaideni qeshi në mënyrë ironike.
-Vetëm ideja më bën të qesh, -tha. -Marrim shembullin e Reit. Si mund të të vijë keq për të, kur ajo mund të jetë dikush që mund të bëjë gjithçka për të arritur atë që do? Për shembull, ku e di ti që asaj s'do t'i vinte keq të na lëndonte ne të dy, vetëm për të arritur atë që ajo do?Frika nisi të përshkruante trupin e saj në formë mornicash dhe ethesh. Ai po fliste si ta dinte që pas dënimit të tyre fshihej ajo, por nga ta kishte mësuar vallë? Por ishte një njeri i tillë që edhe në momentin më të keq të ishte, nuk do ta lejonte veten të binte pre e fjalëve të dikujt tjetër.
-Po pra, vërtet, -ia ktheu, -ku ta dini ju deri ku mund të shkojë ambicia ime? Egoja ime? Ose etja për liri? Unë mund të jem mikja dhe njëkohësisht armikja juaj më e madhe. Mund të jem gjatë gjithë kohës duke ju ngritur një kurth që ju as do e kuptonit. Madje mund të jem një punonjëse e infiltruar e drejtorit, epo, asnjëherë nuk i dihet. Duhet të frikësoheni nga unë, jo t'ju vijë keq, -tha me seriozitet dhe vetëm një sekondë më vonë shpërtheu në të qeshura. -E bukura qëndron në faktin se Kaideni të quan ty dramatik, Ezekiel, por ndonjëherë më surprizon me fjalët e tij, -arma e saj më e fortë ishte pikërisht fakti që pranonte si të vërteta fjalët e dikujt që supozohet ta kundërshtonte.
-Nuk po mendon siç duhet Kaiden. Të katërt duam të njëjtën gjë, dhe të katërt kemi të njëjtin armik, -tha Ezekieli duke i dalë kështu në mbrojtje Anaherës. -Dhe të katërt po rrezikojmë njësoj. Nuk ka kuptim që njëri nga ne të dojë të lëndojë tjetrin, -kjo i solli ndërmend që nuk duhet të lejonte në asnjë mënyrë që ata ta dinin që ishte ajo personi që i vodhi Ezekielit biçakun dhe i futi në telashe të dy. Asnjë nuk do t'ia falte, sidomos Ezekieli.
-Kështu shpresoj, por mos i beso askujt Smirnov. As mua madje, sepse as unë nuk të besoj ty, -të paktën ishte i drejtpërdrejtë. Njerëzit si ai ishin të rrallë. Ai nuk besonte as veten e tij.
-Je i zgjuar për këtë, -i tha Anahera, duke shpresuar kështu që t'i kishte lënë mesazhin Ezekielit që nuk duhet t'i besonte asaj. Ajo e dinte që ai kishte një zemër të mirë, ndërsa ajo ishte një egoiste që mendonte vetëm për veten.
-Po më merrni për fëmijë tani, -u tha ai. -Nuk jam aq i dobët sa mendoni. Mos ju dukem gjë si djali hutaq? Nuk i besoj askujt, mos u shqetësoni për këtë. Thjesht duhet të mbaj marrëdhënie të qëndrueshme me secilin nga ju që mos të lindin probleme të brendshme. Është e thjeshtë. Po shmang probleme që nuk na duhen. Jua këshilloj edhe ju këtë.
Nuk kishin çfarë t'i thoshin, por Anahera shpresonte shumë që ato që ai tha të ishin të vërteta. Ktheu sytë nga Semi dhe i erdhi keq për të. Ishte i vetmi nga të katërt që nuk e meritonte të ishte aty.
-Mendoj se kaq ishte mjaftueshëm, -tha duke ndryshuar pozicionin në të cilin qëndronte. Këtë e bënte gjithmonë kur dëshironte të ndryshonte temë. -Është koha të hidhemi në veprim.
Të gjithë u afruan më afër me njëri-tjetrin që të mos lejonin të merrej vesh për çfarë po flisnin.
-Kaiden, është rradha jote, -ai buzëqeshi dhe pohoi me kokë.
-Duke qenë se specialiteti im është të luaj me nervat e rojeve, duhet të bëj diçka në mënyrë që të dënohem me qëndrim. Kjo do të thotë se dënimi im do të jetë të jem i mbyllur diku me disa roje që duhet të më ruajnë. Informacioni që unë do të siguroj do të vijë nga vetë fjalët e rojeve. Dhe mos u shqetësoni, do të bëj një lojë të tillë në mënyrë që ata të mos e kuptojnë fare se janë duke u marrë në pyetje.
-Bukur! -Anahera buzëqeshi. Ndërkohë këmbana e madhe ra duke lajmëruar që orari kishte mbaruar.
-Kam një pyetje, -Semi nxitoi për të arritur të tjerët që ishin ngritur tashmë dhe po shkonin drejt pjesës së dytë, -si do ta mësosh ti nëse do marrësh një dënim të tillë ose jo?
YOU ARE READING
Anahera: E fshehta e Clarkenwellit
AdventurePËRFUNDUAR Në shkollën më famëkeqe të Londrës, në shkollën e riedukimit "Clarkenwell", për herë të parë regjistrohet një vajzë. Kushtet atje do ta bëjnë të pamundur qëndrimin e saj, kështu që ajo vendos të arratiset. Mirëpo pengesat që do të hasë gj...