E vërteta është se askush në botë nuk mund t'jua sjellë qetësinë shpirtërore, pos ju vetvetes.
Nëse e keni humbur disponimin e mirë, mënyra më e mirë për ta kthyer atë është të ecni kryelartë, të silleni të gëzuar dhe të jeni të disponuar.
Provojeni, buzëqeshni me të madhe, hapeni kraharorin, merrni frymë thellë dhe këndoni, fërshëlleni.
Nëse në të njëjtën kohë luani rolin e njeriut të lumtur, kjo është e vërtetë e vogël dhe e thjeshtë, por ka ndikim të mrekullueshëm në jetën tuaj:
mund ta ndryshojë jetën tërësisht.
Fuqia madhore, që na e cakton fatin, është e fshehur brenda nesh, kurse arritjet janë rezultat i drejtpërdrejtë i mendimit tonë.
Gjëja e vetme që e dëshiroj është ta kem pushtetin mbi vetveten, të manipuloj me mendimet e mia, ta kontrolloj veten, që unë të vendos dhe të jem zot i shpirtit tim.
Pra, luftoni për fatin tuaj
Do të përpiqem të dukem sa më mirë që mundem, do të jem i kujdesshëm të gjej fjalët më të mira, kur komunikoj me të tjerët.
Nuk do të kritikoj askënd.
Nuk do të përpiqem t'i ndryshoj njerëzit.
Përherë do të jem i përshtatshëm për rrethin.
Sot do të bëj diçka për shpirtin tim.
Nuk do t'i zgjidh njëqind probleme përnjëherë, sepse e di se dita zgjat vetëm njëzet e katër orë dhe mos harroni:
Mendoni dhe silluni me gëzim dhe ju do të jeni të gëzuar!
Në qoftë se e urrejmë armikun, kjo do të thotë se e lejojmë atë të na sundojë, sepse ai do të bëjë presion:
në gjumin tonë
në oreksin tonë
në shëndetin tonë dhe
në fatin tonë.
Mos u armiqëso me askënd
Ngatërresat me një egoist – idiot - të pabesë, ju lëndojnë më shumë juve se atë.
Të gjithë e dimë se hidhërimi, zemërimi dhe urrejtja janë armiqtë më të mëdhenj të bukurisë së trupit tonë.
Ndoshta nuk jemi aq të shenjtë që të mund ta duam armikun, por për hir të shëndetit dhe të fatit tonë, duhet të dimë së paku të falim.
Nëse është e mundshme, mos u armiqëso me askënd.
Kurrë mos provoni t'i qëroni hesapet me armiqtë, sepse kështu do të lëndoni veten më shumë sesa ata.
Në jetën e çdo njeriu rreth 90% ka gjëra të mira dhe vetëm 10% gjëra të këqija.
Nëse dëshironi të jeni të lumtur, përpiquni të mendoni për të mirat dhe t'i harroni të këqijat.
Mjekët më të mirë në botë janë: dieta, qetësia, gëzimi, sinqeriteti, përzemërsia ndaj të tjerëve.
Shtojini arritjet tuaja dhe do të kuptoni se pasurinë që e keni është më e vlefshme se paratë e të gjithë milionerëve të kësaj bote.
Në jetën tonë janë dy gjëra për të cilat ia vlen të luftojmë.
E para - të bëjmë atë që e dëshirojmë.
E dyta - të dimë të kënaqemi me atë që e kemi bërë.
Vetëm njerëzve më të mençur u shkon për dore të arrijnë qëllimin e dytë.I jam mirënjohës Zotit për jetën që (edhe pse me vonesë) më ofroi këtë thesar - pasuri të vetëdijesimit.
Ju jeni mrekullia e re e botës
Ne e shfrytëzojmë vetëm një pjesë të vogël të rezervave tona trupore dhe mendore. Pra, mund të themi, njeriu jeton nën mesataren e aftësive të veta.
Ai ka aftësi të llojllojshme, por shumicën nga ato nuk i shfrytëzon asnjëherë. Mbajeni mend që pikërisht ju jeni mrekullia e re e botës.
Në historinë e njerëzimit s'ka ekzistuar kurrë person i ngjashëm me ju dhe në të ardhmen nuk do të lindë më kurrë një njeri i ngjashëm me ju.
Gjenetika na mëson se çdo individ është rezultat i bashkimit të njëzet e katër kromozomeve të babait dhe po aq edhe të nënës.
Pikërisht këto njëzet e katër kromozome vendosin për trashëgiminë tuaj.
Çdo kromozom përmban disa dhjetëra deri disa qindra gjene, me ç'rast vetëm një gjen nganjëherë mund ta ndryshojë jetën e njeriut - individit, njeriu vërtet është krijesë e mrekullueshme, falë ZOTIT.
Me këtë rast nuk mbetet tjetër, pos të jesh me të gjitha gabimet dhe të metat e tua.
Vendimi që ma ndryshoi jetën
Nuk mund të jesh tjetër, pos atij që je, por ZOTI është i madh dhe ka mëshirë.
Vjen çasti në jetën e çdo njeriu kur ai kupton se lakmia lind nga padituria, që çfarëdo që të ndodhë, njeriu duhet të pajtohet me veten (një fjalë e urtë thotë se lakmia - ëndja të koritë), se bota është plot me të mira, askush nuk do të t'i falë të hollat për ekzistencë, por ato duhet t'i fitosh me punë, duke punuar që të jesh shembull për të tjerët.
Gjërat më të mira janë më të vështira, fati në parim nuk është kënaqësi, ai parimisht është fitore. Në fillim të pjekurisë nuk isha i lumtur, mallkoja fatin dhe urreja çdo gjë rreth meje.
Por, kohët e fundit kuptova se ndaj meje njerëzit janë të dashur dhe shumë të sjellshëm, andaj vendosa që edhe unë t'ua ktheja me të njëjtën masë.
Ky vendim ma ndryshoi jetën.
Fillova të mendoja, të lexoja dhe të interesohesha ta ndryshoja jetën në të mirë të vetes, të familjes dhe të rrethit.
Kështu, shumë shpejt m'u hapën horizonte të reja dhe ma mbushën jetën me pasuri, që deri atëherë as që kam mundur të ëndërroja.
Arsyeja e suksesit që kurrë nuk na mungon është vetë përpjekja që minusin ta shndërrojmë në plus, dhe kjo na shtyn ta shikojmë ardhmëninë e jo të kaluarën.
Mendimet negative t'i shndërroni në ato pozitive, ta lironi energjinë dhe kjo do t'ju nxitë për punë, suksesi është i garantuar.
Të krijosh kapital nga sukseset e tua, nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë.
Shumë më e rëndësishme është të dish të nxjerrësh fitim nga humbjet, që do të thotë nuk është me rëndësi se sa fiton, por sa kursen (pikërisht sipas së cilës njeriu i mençur dallohet nga budallai). Nëse sot i ke fituar dhjetë para, kurse i ke shpenzuar njëzet, diçka nuk është në rregull. Bamirësia nuk është detyrë, ajo është kënaqësi, sepse të bën më të shëndetshëm dhe më të lumtur.
Kështu, kur je më i mirë me të tjerët, ndaj vetvetes je edhe më i mirë.
Njerëzit kanë nevojë për pak kujdes të vërtetë njerëzor.
Një fjalë e mirë, një buzëqeshje, freskon dhe zgjon ndjenjën e vlerës dhe të krenarisë.
Ndërsa ndjenja që dikujt t'ia plotësoj dëshirën, t'ia bëj qejfin, edhe mua më bën të lumtur.
Në qoftë se njeriu dëshiron t'i gëzohet jetës së vet të shkurtër, ai duhet të përpiqet ta zbukurojë, jo vetëm jetën e vet, por edhe jetën e të tjerëve, sepse gëzimi i tij varet nga gëzimi i të tjerëve.
YOU ARE READING
NDRIÇIMI I MENDJES
RandomPër mendjet e shëndosha, vetëm besimi për shtimin e pasurisë dhe për arritjen e prosperitetit shpirtëror është i mangët. Vetëm atëherë kur pasuria shpirtërore dhe ajo materiale të jenë në harmoni me njëra-tjetrën, mund të flitet për një besim dhe pë...