Udhëheqësi i vërtetë

0 0 0
                                    

Udhëheqësi i vërtetë kurrë nuk është tepër i "zënë me punë" sa të mos e bëjë atë që kërkohet prej tij si udhëheqës.
Udhëheqësi i suksesshëm duhet të jetë zotërues i të gjitha detajeve që kanë të bëjnë me pozitën e tij dhe, natyrisht, edhe të ndjekë deri në detaje punën e bashkëpunëtorëve të aftë dhe t'i çmojë ata.
Udhëheqësi i vërtetë nuk e merr të drejtën për asnjë meritë.
Bashkëpunëtorët nuk e respektojnë udhëheqësin e pamatur.
Mungesa e besnikërisë është një prej shkaqeve kryesore të dështimit në të gjitha profesionet.

Menaxherit-udhëheqësit nuk i nevojitet kurrfarë titulli për ta përftuar respektin e bashkëpunëtorëve.
Njeriu i cili çon shumë pluhur rreth titullit të vet, zakonisht ka pak për të thënë.
Dyert e zyrës së udhëheqësit të vërtetë janë të hapura për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të hyjnë dhe në hapësirën e tij të punës s'ka vend për formalitete dhe për gjëra të kota.
Nëse doni të bëheni udhëheqës, studiojeni me vëmendje këtë listë kërkesash dhe evitoni me ngulm dobësitë që u përmendën më lart dhe që janë shkak i dështimit.
Pse disa njerëz janë të suksesshëm e disa të tjerë jo
Gjatë punës sime në disa profesione dhe përvojës në botën e biznesit për tridhjetë vjet me radhë, shpesh i kam shtruar vetes pyetje pse disa njerëz janë të suksesshëm e disa të tjerë jo?
Si është e mundur që disa të fitojnë më shumë dhe të përparojnë më shpejt në karrierë e të tjerët jo?
Punëdhënësi dhe punëmarrësi janë katalizatorë të suksesit dhe fitimi, stimulimi e kënaqësia për punën që bëni janë kusht që ju të përparoni shpejt.
Kërkoni punë, bindeni veten se punëdhënësi-shefi juaj është një individ me të cilin me kënaqësi do të bashkëpunoni.
Se keni të bëni me një person, i cili do t'ju pëlqejë, të cilin do ta nderoni dhe për të cilin do të përkujdeseni.
Do të duhej të ishit plotësisht të sigurt se ai është dikush që ka qëndrim miqësor ndaj jush dhe nga i cili do të keni përkrahjen e duhur.
Si dhe që keni të bëni me personin në të cilin mund të mbështeteni kur vjen koha për përparimin tuaj në karrierë.
Para së gjithash, shefa të vërtetë janë personat me integritet të lartë.
Kur premtojnë diçka,
asaj edhe i përmbahen.
Kur thonë se do të bëjnë,
ata e bëjnë në mënyrën siç kanë thënë se do ta bëjnë.
Në rast se premtojnë se do të shqyrtojnë ndonjë problem, ata edhe e bëjnë këtë.
Madje e bëjnë saktësisht ashtu siç kanë thënë se do ta bëjnë. Shefat e mirë janë shumë të qartë kur i përshkruajnë detyrat që duhet t'i kryeni.
Shefat më të mirë janë të zgjuar dhe të kujdesshëm ndaj të punësuarve të tyre.
Kjo do të thotë se atyre u interesoni jo vetëm si person i përsosur, por edhe si personalitet. Kërkojnë të dinë edhe për jetën tuaj private dhe atë familjare.
Dëshirojnë të dinë për të gjitha, për ato që ju merakosin dhe çka mund t'ju pengojë në rrjedhën e mendimit dhe koncentrimit në punë.
Shefi i mirë
Kjo nuk do të thotë se shefi i mirë duhet të luajë rolin e prindit a të kujdestarit ndaj jush. Mirëpo, shefi i mirë ju sheh si bashkëpunëtorë, si aleatë që siguroni të mira materiale si për vete, ashtu edhe për të tjerët, i cili përpos jetës afariste, ka edhe atë intime.
Kur vëreni se po vjen shefi juaj, do të duhej të keni ndjenjën e vetëbesimit dhe të jeni të lumtur e jo t'ju rrokë nervoza dhe pasiguria.
Ndoshta gjëja më e mirë në gjithë këtë çështje është se kur punoni për shefin e vërtetë dhe keni punë të përshtatshme, ju do të ndiheni të lumtur dhe të relaksuar.
Qeshni sa të mundeni në punë.
Kënaquni me veten tuaj dhe ndihuni të vlefshëm dhe të rëndësishëm si i punësuar dhe si person.

Puna për shefin është mënyra e mirë për të fituar më shumë dhe për të përparuar më shpejt.
Merreni përsipër iniciativën me qëllim që të përmirësoni raportin tuaj me shefin.
Shkoni deri te shefi juaj dhe bisedoni me të në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sinqerisht, me qëllim që të tregoni më shumë efikasitet në punë.
Thoni shefit tuaj se ç'është ajo që do t'ju ndihmonte që të ndiheshit më të lumtur dhe në këtë mënyrë ju do të mund të kontribuoni më shumë në organizatën tuaj.
Njerëzit që janë gazmorë dhe optimistë gjithmonë janë më të pëlqyer dhe më të respektuar. Një nga parakushtet më të rëndësishme të suksesit tuaj është ajo se sa i përshtatshëm do të jeni ndaj të tjerëve dhe si do të gjendeni në punën ekipore.
Si të bëni karrierë të suksesshme
Fitimi dhe përparimi juaj shpeshherë do të varen nga ajo se çfarë është bashkëpunimi juaj me të tjerët në çdo fazë të karrierës suaj.
Çdokush mund të jetë pozitiv, kur çdo gjë rrjedh për merak, por nuk thuhet kot "Trimi i mirë, njihet në ditë të vështirë".
Personi me energji pozitive mendore gjithmonë përpiqet të gjejë të mirën që fshihet në çdo person dhe në çdo situatë.
Ai gjithmonë kërkon të nxjerrë mësim pozitiv dhe konstruktiv a të dobishëm prej çfarëdo problemi të krijuar.
Shprehia që në çdo pengesë apo problem të gjeni ndonjë gjë të dobishme, e mban gjallë optimizmin dhe kënaqësinë tuaj.
Njerëzit me suksese kulmore, në çdo lëmë punojnë shumë më shumë sesa njerëzit mesatarë. Njerëzit që fitojnë më shumë, edhe punojnë më shumë.
Që nga dita e sotme vendosni të bëheni punëtori më i zellshëm në organizatën tuaj.
Riorganizoni orarin tuaj të punës, në mënyrë që të vini një orë më herët në punë dhe t'ia filloni punës menjëherë.
Punoni gjithë kohën, gjeni vetes punë, se puna është ilaç i mirë, shpëtim, se askush për askënd nuk punon.
Derisa jeni në punë, kurseni kohën duke iu shmangur kafesë, gazetave, drekës, si dhe bisedave të kota, sepse humbja kot e kohës nuk ju sjell asnjë të mirë, as juve e as familjes suaj.
Nëse veproni kështu, ju për një kohë të shkurtër do të rritni produktivitetin për nja dy-tri herë më shumë sesa njerëzit e tjerë rreth jush.
Gjithashtu, karakteri juaj dhe me siguri edhe reputacioni juaj, janë përparësia më e çmuar në karrierën tuaj.
Raportet me të tjerët
Reputacioni juaj varet nga integriteti dhe raportet e ndershme me të tjerët dhe është kriteri kryesor për t'iu përgjigjur pozitivisht kërkesës suaj për pagë më të madhe apo për një vend pune me përgjegjësi më të madhe.
Veti tjetër me rëndësi janë raportet e sinqerta me të tjerët.
Pavarësisht se në çfarë situatash ndodheni, çdoherë thuajeni vetëm të vërtetën. Kur dikujt ia jepni fjalën, atëherë edhe mbajeni.
Kur premtoni diçka, duhet ta përmbushni atë.
Vetia e tretë, shumë e çmueshme, është besnikëria.
Mungesa e besnikërisë është një nga arsyet kryesore të mossuksesit dhe të dështimit në punë dhe në jetë.
Kur i përkushtoheni punës me sinqeritet, nuk do t'u ankoheni të tjerëve për organizatën tuaj apo për shefin tuaj.

Por, në qoftë se nuk keni fat dhe jeni të pakënaqur, pa marrë parasysh arsyet, brengosjen tuaj duhet ta shprehni drejtpërdrejt.
Mos gjykoni dhe kritikoni organizatën tuaj ose çfarëdo tjetër që ka të bëjë me punën tuaj. Posaçërisht këtë mos e bëni para të huajve – pacientëve (klientëve) dhe para atyre që ju ndjekin.
Demonstrojeni haptas besimin e plotë
Nëse nuk keni vullnet të ndërmerrni diç ndaj asaj që ju ka shkaktuar pakënaqësi, atëherë këtë mos ia tregoni askujt, ruajeni për vete.
Gjithmonë ofrojuni përkrahjen-ndihmën kolegëve-bashkëpunëtorëve tuaj dhe njerëzve me të cilët punoni.
Demonstrojeni haptas besimin e plotë ndaj bashkëpunëtorëve, asistentëve dhe personelit me të cilin punoni.
Në qoftë se këtë nuk mund ta bëni për ndonjë arsye, atëherë do të duhej të shkonit të punonit atje ku këtë mund ta bëni.
Bëhuni besnik ndaj vetvetes, dëgjoni zërat e brendshëm dhe kini besim në ndërgjegjen tuaj.
Atëherë do të jeni të sinqertë ndaj secilit rreth jush.
Gjithmonë jetoni me të vërtetën dhe arsyen.
Kështu, gjithmonë do të punoni vetëm atë që është e sinqertë dhe e ndershme.
Kur jetoni me nder, me integritet të plotë, brenda dhe jashtë vetes, ndiheni shumë më mirë. Nëse kemi më shumë vetëbesim dhe vetërespekt, do të ndihemi shumë më të fortë. Gjithmonë nderin ruajeni si sytë e ballit.
Vendosni të bëheni personalitet korrekt dhe person tek i cili do të mund të gjenin mbështetje dhe përkrahje të tjerët - bashkëpunëtorët.
Posaçërisht kur është fjala për kohën dhe obligimet, jini të përpiktë në takime, përmbushni obligimet tuaja në kohën e duhur ashtu siç keni premtuar.
Për të ardhmen e organizatës
Mendoni në ç'drejtim po shkon organizata juaj dhe çfarë do të duhej të arrinte ajo për të qenë e suksesshme dhe fitimprurëse në të ardhmen.
Mendoni se çfarë do të duhej të ndërmerrnit personalisht që t'i ndihmonit organizatës për të arritur cakun e synuar.
Sa më shumë që të jeni orientuar drejt së ardhmes, aq më i madh do të jetë edhe kontributi juaj.
Sa më shumë që të kontribuoni në realizim e qëllimeve afatgjata të organizatës suaj, më shumë do të paguheni dhe më shpejt do të përparoni.
Për arritjen e suksesit të madh në punë dhe në jetë fjala "qartësi" peshon shumë. Paraqitjet tuaja duhet të jenë plotësisht të qarta, në mënyrë që të tjerët në organizatë të dinë se:
- kush jeni,
- në çka besoni
- në ç'punë do të ishit më të suksesshëm
- cili është qëllimi dhe dëshira për realizim.
Rezultatet e punës janë gjithçka në botën afariste.
Sa më i suksesshëm që të tregoheni në zgjidhjen e problemeve, edhe ndihma e të tjerëve për t'i zgjidhur ato do të jetë më e madhe.
Sa më shumë probleme të mëdha që do të zgjidhni, po aq do të rritet edhe forca juaj.
Dhe, po ashtu, do të keni pozitë më të lartë.

NDRIÇIMI I MENDJESWhere stories live. Discover now