Dhimbja i ndryshon njerëzit, i tjetërson ata. Sado që gjërat të ndryshojnë, sërish nuk mund të gjesh një person të njëjtë pas një fatkeqësie që ka kaluar apo pas një zhgënjimi që ka pësuar.
Mund të duken sikur janë njësoj, ndoshta edhe më të qeshur apo në dukje më të fortë, por nuk është kështu. Nëse dikush humbet një të afërm (psh vëllanë), koha mund të bëjë të vetën. Ajo mund të bëjë që dhimbja të zbehet disi dhe personi të nisë sërish të qeshë, por kur ai të shohë dikë me të vëllanë apo me dikë tjetër që vetë personi në fjalë e ka humbur, normalisht nuk mund të ndihet njësoj. Ky është ndryshimi që dhimbja e koha e sjellin tek çdokush nga ne.
Njeriu nuk është si një plastelinë që mund t'i japësh kurdoherë formën që dëshiron. Nëse diçka ndryshon, njeriu ndryshon dhe kjo gjë nuk mund të zhbëhet as nga personat e tjerë përreth. Kjo është e dhimbshme, më e dhimbshme se vetë dhimbja që çdokush përjeton përpara fatkeqësive apo zhgënjimeve. Vetëm mendimi se nuk do të jesh më njësoj, të tremb. Nëse sot je i lumtur, i qetë, imagjinojr pak veten tënde diametralisht ndryshe kur të humbësh atë që do më shumë, apo kur të zhgënjehesh rëndë nga dikush që s'e prisje. Të frikëson ideja, apo jo?
Kjo është një shenjë se duhet të përpiqesh të ndryshosh. Gjë nuk ke për të shmangur, sepse koha nuk pret asnjë nga ne. Ajo që është shkruar të ndodhë, do të ndodhë gjithsesi, por mund të shijosh sa më shumë momente me personat që do, nëse zgjedh të mos e humbësh kohën kot. Qëllimi i secilit në jetë është pak a shumë të kalojnë sa më tepër kohë me personat që duan, ndaj shfrytëzoje kohën në maksimum. Bëj gjërat që do! Qëndroji larg personave negativë dhe kushtoji kohë atyre që do e të duan!
Keni parë njerëz me sy të trishtuar, të zhgënjyer dhe pesimistë në ekstrem? Ndoshta një ditë edhe ne mund të jemi ashtu. Jeta të godet aty ku më pak e pret dhe në momentin kur më pak e pret.
Koha nuk ndalet. Dhimbja aq më pak. Të dyja nuk i zotërojmë dot, por të paktën kemi të tashmen dhe mund ta shfrytëzojmë atë në maksimum duke bërë gjërat që duam. Është koha të mbushim me lumturi momentet e tanishme dhe kur e ardhmja të na godasë, të paktën të themi plot bindje "Unë jetova". Synimi i të gjithëve është të jenë të lumtur dhe kjo gjë arrihet vetëm duke shfrytëzuar çdo moment të bukur dhe duke e përjetuar atë thellësisht, si gjënë më të lumtur që të ka ndodhur...