10

855 75 25
                                    

-Erdha të flisnim për dosjen, - tha duke u ngritur sërish, - por më dukesh shumë e hutuar. Ndoshta ke nevojë të qetësohesh? Nuk ndihesh mirë?

Shkundi kokën lehtë, ndërkohë lëvizte duart nervozisht.

-Thjesht po mendoja për dikë.

-Ahh, - nxorri ai si papritur atë psherëtimë. Në fytyrë iu vendos një pamje mospëlqyese e mendimtare, por shpejt, ashtu siç ai kishte mësuar të bënte gjithmonë, ndryshoi mimikë. - Nuk ka problem, flasim më vonë atëherë.

U bë gati të ikte, ndërsa ajo u ngrit menjëherë për ta ndaluar e t'i thoshte diçka, po sërish ndryshoi mendje kur ai ktheu trupin drejt saj. Uli kokën në tavolinë gjasmë do shihte dosjet.

Po shfletonte fletët kur dëgjoi nënqeshjen e Brajanit e hapat e tij që sinjalizonin ikjen. Vetëm atëherë u kujtua të merrte frymë thellë.

Vendosi duart në fytyrë. Sa bukur! Ja ku e kishte çuar afria me Brajanin! Deri në atë pikë!

Mendoi që të punonte fort me dosjen, aq sa të harronte çdo gjë që kishte lidhje me Brajanin. Mundi, por jo për shumë gjatë.
Me zor i shtyu orët e punës atë ditë dhe direkt sa shkoi ora e ikjes, mori çantën e doli pa parë askënd.

Mori taksi që ta çonte te stacioni i policisë. E dinte se Brajani s'do t'ia tregonte ngjarjen e vërtetë nëse kishte të bënte me çështjen e parave.

-Përshëndetje. Dje erdhi këtu Brajan Harvey. A mund ta di se me kë polic ka biseduar? - pyeti të parin person që i doli para syve në stacionin e policisë.

-Përse ju nevojitet?

-Çështje personale. Ju lutem, më thoni kush është.

Djali vështroi përreth si të ishte duke e kërkuar me sy atë.

-Foli me shefin. Më ndiqni, do t'ju çoj tek ai.

Ai e shoqëroi deri te një derë e zezë e madhe, hyri brenda pasi trokiti dhe ia shpjegoi situatën shefit.
Meliona u fut brenda pasi ai u largua.

-Përshëndetje, jam Meliona Grin, vajza që ishte në paraburgim para një jave.

-Po, ju mbaj mend. Çfarë deshët të bisedonit?

-Desha të merrja vesh se si arriti Brajan Harvey të më nxirrte që këtu.

Ai u mendua për një kohë. Po shpresonte t'ia tregonte të vërtetën, ndryshe s'kishte për ta marrë vesh në ndonjë mënyrë tjetër.

-Pagoi pará. Doli edhe garant për ju.

-Sa lekë? - pyeti me zë të pasigurt. Nuk donte që Brajani ta bënte diçka të tillë. Ajo ishte thjesht një e panjohur për të!

-Duke zënë për bazë faktin se ju nxorri pa bërë gjyq fare dhe pa ndihmë avokati, dy milion dollarë.

Ajo shifër e bëri të mos nxirrte dot fjalë prej gojës. Oh Zot, si do arrinte t'ia kthente mbrapsht Brajanit gjithë ato para?! Si?!

-Pastaj, edhe prestigji e pasuria që ka i bëjnë të tjerët të mos kursehen shumë kur kërkojnë shuma të tilla parash.

Lëvizi kokën ngadalë, gjysmë e neveritur nga ai sistem i tillë në atë vend, pastaj e falenderoi me një zë të mekur dhe u largua.
Vetëm rrihte në kokë mendimin se si do ia paguante lekët atij, atë shumë që ajo s'ia kishte idene se për sa kohë mund ta grumbullonte.
Oh Zot, në ç'borxhe që e kishte futur! Tani përjashtohej plotësisht mundësia që ajo të shkonte te një shtëpi tjetër. Thjesht e pamundur. Çdo gjë i dukej e pamundur.

Nga t'ia mbante? Ku dreqin t'i gjente gjithë ato para? Ah, fajet ia hidhte të gjitha vetes! Ç'i duhej që e kishte lënë Brajanin ta ndihmonte deri në atë pikë?

Pastaj sërish i njëjti mendim. S'ishte normale që dikush të harxhonte aq shumë lekë për dikë që s'e kishte gjë fare.
E për më tepër me atë shifër aq të frikshme! Dhe Meliona që kishte menduar se Brajani kishte shkuar larg me ato ndihmesat para se të ndodhnin këto të fundit. Ai i kishte vendosur kupën çdo gjëje me ngjarjen e burgimit.

Deshi ta merrte në telefon, po ndaloi. Brajani kurrsesi s'do donte që ajo t'ia kthente lekët. Do t'i nxirrte ndonjë justifikim për ta bërë të ndryshonte mendje. Ndaj dhe vendosi të shkonte te shoqja e saj Ema e së bashku të kontrollonin në internet për ndonjë punë. S'kishte si ia bënte ndryshe. Brajani s'i linte rrugëzgjidhje.

-Përshëndetje Ema. Erdha kështu si papritur, po nuk kam shumë kohë. Më ndihmon me diçka të lutem? - u fut direkt në temë.

Ia shpjegoi asaj gjithë ç'kishte ndodhur. I besonte më shumë se çdokujt, shprehej lirisht me të, ishte e vetmja që e kuptonte.

-Ç'do bësh? Do ta pyesësh Brajanin se pse po i bën gjithë këto?

-Kot sa ta pyes. Gjithsesi s'do marr përgjigje.

-E drejtë.

Orët kalonin. Koka po i dhimbte kur Ema ia drejtoi telefonin e i tregoi një punë për në librari. Psherëtiu e çliruar. Të nesërmen gjëja e parë që do bënte pasi të mbaronte punë në kompani, ishte të shkonte te libraria dhe çdo gjë më në fund mund të mbyllej.

-Më në fund, kisha filluar të humbisja shpresat.

-Kur ke Emën, shpresat s'duhet të humbasin kurrë!

-Ke të drejtë.

Rrotulloi sytë duke qeshur dhe u rehatua në krevat pak më e qetë se më parë.

-Ja dhe hamshori yt, - i tha Ema pesë minuta më vonë duke qeshur.

-Ema, ç'dreqin thua!

-Hë moj Melionkë edhe ti si bën. Gjithë ky djalë këtu, shiko sa i bukur që është. E kupton që e gjithë kjo që po të ndodh është diçka romantike?

-Lëre hamshorin tim po shiko tëndin, - ia ktheu duke i hedhur me të shpejtë një sy telefonit të saj e duke dalluar figurën e Brajanit.

-Ehh, hamshori im kushedi ç'bën andej nga ka shkuar. Oh, shiko pak këtë foton. Kush është kjo vajza? Qenka e bukur.

U afrua pranë Emës. Atje pa bjonden që kishte vdekur, Amin, e cila kishte dalë një foto me Brajanin, sërish të dy duke qeshur, por tashmë ajo lumturi nuk i bëri përshtypje, e dinte se fshihte shumë zhgënjime pas.

-Thuaj që s'ka qenë e lumtur po të duash.

Nuk i ktheu përgjigje. I dukej histori e gjatë t'ia shpjegonte asaj gjithë ç'kishte mësuar kur ishte në paraburgim.

-Por ajo tashmë ka vdekur. Si thua, a ia ndien mungesën Brajani?

Shkundi supet, po thellë e dinte përgjigjen. Brajani i fshinte gjërat lehtë prej jetës së tij. Diçka ishte e qartë: ashtu kishte bërë edhe me Amin, ashtu mund të bënte me të gjithë.

Folmë për dashurinëDonde viven las historias. Descúbrelo ahora