39 parts Complete Iu duk sikur për disa çaste nuk mund të merrte dot frymë. Ndjeu një ngushtim në zemër, një ndjenjë faji e pendese që s'e dinte se nga i buronin. Fjalët kishin vendosur të largoheshin e po i dukej vetja memece. Hapte e mbyllte gojën, por në fund përfundonte duke mos thënë as fjalën më të vogël. Nuk e dinte se sa zgjati ajo gjendje, por e kuptoi se heshtja e saj nuk ishte e mirë për personin përballë.
- Të vdesësh? - pyeti me zë tepër të ulët, sa mendoi se ai s'do ta dëgjonte e u çudit kur ai pohoi me kokë për t'iu përgjigjur pyetjes së saj. - Të vdesësh, - përsëriti për të dytën herë, këtë herë më shumë me veten sesa me të. - Pse të vdesësh prej dhimbjes?
Këputi një gjethe nga një lule që e kish pranë dhe po luante me të e trishtuar. Ndihej sikur një gur i kishte goditur zemrën.
- Janë disa gjëra që ti s'i kupton Gabriela, - këtë herë ai foli butë, por vështrimi ishte po ai që kishte pak më parë, ai vështrim i trishtuar që ajo donte ta zhdukte prej fytyrës së tij.
- Atëherë më ndihmo t'i kuptoj, të lutem, - vështroi oqeanin në dyzim. - Unë... Nuk e di, nuk di ç'të bëj.
Ktheu kokën nga ai dhe i dhuroi një shikim të tillë të përvuajtur, sa edhe në sytë e tij u pasqyrua e njëjta dhimbje.
- Mos, - foli ai pas pak me zë të mërzitur dhe ajo s'e kuptoi se për çfarë po fliste, derisa ai vazhdoi fjalinë. - Mos u mërzit kaq shumë. S'dua të shoh trishtim në sytë e tu.
S'dinte ç'të bënte tjetër, përveçse ta përqafonte fort e të qëndronte në krahët e tij që i falnin siguri.
Filluar më 14 gusht 2018
Përfunduar më 2 nëntor 2018