Dita ishte e zymtë. Mbaj mend, që tek ecja pikë pikë mbi mua kokrriza si perla të shiut binin dhe, një rrymë e ftohtë ere përkëdhelte me poshtërsi therëse ato pak sipërfaqe lëkure që kisha guxuar t'i lija pa mbuluar. Ndalova tek strehëza pranë stacionit të autobuzit pasi nuk kisha marrë me vete çadër; shiu kishte filluar pasi kisha dalë nga shtëpia dhe për të nuk qeshë përgatitur.
U ula dhe thellë mora fymë me hundë. Në rrugë nuk shihej këmbë njeriu; dhe sikur të kishte, nuk do vihej re aspak pasi shiu u dendësua aq shumë ato momente saqë gjithçka që ndodhej 10 metra larg qe e pamundur të shquhej.
Nuk po prisja autobuzin. Nuk po prisja dikë. Ishte ora 5 pasdite. Errësira që kish pllakosur rrugën dhe shiu, e bënin atë këndin pranë stacionit të autobuzit ndriçuar nga një dritë e fuqishme reklame elektrike të dukej si një pistë e veçuar nga e gjithë bota zhytur në terr. Mora fymë thellë. Brinjët më dhimbnin tek shtyheshin nga diafragma dhe mprehtësia e atij ajri sikur t'i rripte mushkëritë. Ngrita sytë lart.
Së pari nuk e dija pse kisha dalë atë pasdite. Nuk ishte ndonjë ves i pashpjegueshëm a i çuditshëm imi më shumë se sjelle instiktive, reagim natyral ndaj gjendjes në të cilën gjendesha; një lodhje përtej asaj fizike thjesht nuk më lejonte të kryeja asgjë. Për të krijuar një përshtypje të situatës në të cilën ndodhesha mjafton të përfytyrosh jetën si një garë vrapimi dhe, sikur krejt papritur këmbët e tua të fillojnë të shkurtohen deri në momentin që forca dhe vullneti yt nuk ecin paralelisht me hapin fizik duke shkaktuar një ndjenjë të papërballueshme pamjaftueshmërie, pangopshmërie...
Kisha dalë sepse ashtu ma kish dhënë truri.
Një siluetë e një njeriu që, sikur kish mbirë nga hiçi më tërhoqi vëmendjen. Ecte me një hap të çuditshëm dhe të diktueshëm dhe në mes të shiut, por shumë të njohur për mua. Ula kokën dhe u mundova të shtiresha sikur nuk e kisha vënëre mikun timj që po i afrohej strehës pranë stacionit të autobuzit.
Ora qe 5 pasdite; më kishte dalë nga mendja se në atë orë miku im U. mbaronte punën dhe merrte autobuzin për në shtëpi. Zhurma e hapave të tij jehonte në rrugën e zbrazur dhe në mes të shiut. Kur ai ndali për pak caste, e mora të mirëqenë që tjetri më kishte vënë re dhe, meqë streha qe e ndriçuar mirë gjithashtu e mora si fakt të kryer dhe se tjetri kishte arritur të më njihte.
Zuri një vend përballë meje. Unë, me kokën ulur por me sytë fshehtazi tek ai po shtiresha sikur nuk e kisha mendjen dhe sikur nuk ia kisha vënë re prezencën. Dhe u bë akoma më e vështirë kur për një sekontë pata përshtypjen se tjetri u zgjat drejt meje, ashtu sic bëjmë kur duam t'i flasim dikujt.
Arsyeja pse nuk doja t'i flisja qe pakëz e ngatërruar. Bëhej fjalë për takime rastësore tejet të shpeshta si ai i atyre momenteve të cilat në situatën ku ne ndodheshim ditët e fundit mund të keqkuptoheshin si reflektim i dëshirës sime së shprehur verbalisht për ta takuar shokun U. dhe për t'i komunikuar diçka me rëndësi rreth të cilës tjetri me sa dukej nuk kishte interes. Thënë shkurt, nuk doja të krijoja përshtypjen e gabuar se kisha filluar ta ndiqja vetëm e vetëm për t'i shprehur ndonjë prej mendimeve të mia egoiste pasi, që të arrish deri në atë pikë kërkon propocione guximi dhe, kryesisht budallallëku dhe tendencash prej të marri që unë as nuk i shfaqja dhe as nuk kisha premisa për ta bërë në të ardhmen.
A e kisha të sigurt se tjetri e shihte situatën në të njëjtën formë siç e shihja unë? Aspak. Mendja ime kishte tendeca të tregohej paranojake dhe të parashikonte gjithmonë rezultatin më negativ të mundshëm në një situatë me justifikimin se, vetëm ashtu mund të shmangeshin pasojat negative. Ishte një formë me anë të së cilës shprehej sistemi mbrojtës imi, ose ajo çka njihet gjerësisht si "defense system" i mendjes ndaj 'sulmeve' të jashtëm. Por sërish, dhe pse e dija që e tërë kjo mund të ishte fragment i imagjinatës sime, pjellë e një fantazia të tersët, frika ndaj të panjohurës dhe mungesa e dëshirës për të marrë përsipër riskun më kishin zhytur në kënetën e të mbimenduarit.
Me shumë mundësi, nga mungesa e interesit që kisha shfaqur ato momente për të komunikuar me tjetrin (pasi të themi që tjetri nuk e dinte që ia kisha vënë re prezencën do ishte fyerje për nivelin e tij të inteligjencës; për këtë arsye e mora të mirëqenë që tjetri ishte në dijeni të faktit), i fundit u spraps nga pozita që kishte marrë pak momente më parë.
Ato momente kur fillova të kuptoj se përshtypjet e mia rreth situatës kishin qenë të gabuara ishin momente kur dyshimi më kaptonte cilësinë e gjykimit të çdo situate tjetër: nëse kisha gabuar aty, çfarë më garantonte se nuk kisha gabuar dhe në situata të tjera? Nëse e kisha gjykuar gabim situatën me shokun U., çfarë më siguronte se nuk kisha gabuar dhe në gjykimin tek i cili qeshë bazuar kur u ndava nga A., apo kur lashë vendin e punës tek qendra tregtare, apo në sa e sa zgjedhje të tjera, vendimmarrjen e të cilave e kisha bazuar në atë formë të të menduarit? Në momentet që gjykimi im paranojak rreth një situate rrëzohej, ndodhte efekti domino dhe çdo bindje imja binte përtokë po atë çast! Siguria dhe vetëbesimi, tashmë në rrafsh me tokën nuk më linin rrugëzgjidhje tjetër veçse të tërhiqesha pas dhe të spastroja çfarëdolloj bindjeje që mund të kisha krijuar duke më lënë mua krejt pa asnjë përgatitje përballë situatës. Ky, ishte shkaku i krijimit të shumë skenave të padëshiruara periodikisht dhe krijimit të përshtypjes se njerëzit më shihnin si njeri të paqëndrueshëm. Po sikur kjo bindje të qe shkaktuar nga vetë mendimi, që nga fakti se unë kisha krijuar përshtypjen se njerëzit më shihnin si të paqëndrueshëm të nxitej sjellja ime si i tillë?
Nuk dija më asgjë.
Autobuzi erdhi dhe disa njerëz u derdhën jashtë tij. Ngrita sytë më në fund dhe e pashë shokun U. në sy. "Do të shihemi", sikur më tha me një ndjenjë parashikimi tek po humbiste mes turmës që po krijohej në mënyrë surreale në 'pistën' e ndriçuar nga tabela elektronike.
Ndoshta e kisha patur gabim, ndoshta jo. Ndoshta do takoheshim sërish nesër dhe do t'i thoja se takimi i djeshëm kish qenë rastësi ashtu si takimet e tjera ditët e fundit. Por paranoja më thoshte se, me këtë fjali do imponoja të kundërtën e asaj që doja të thoja. E braktisa si ide. Ndoshta më e mira qe të mos bëja asgjë. Dhe pse me shumë mundësi do të çonte në ftohjen e mëtejshme të marrëdhënies që kishim preferoja ta mbyllja në atë formë sesa me anë të ndonjë konflikti. E vlerësoja shumë që ta humbisja në atë formë dhe pse kurrë nuk ia kisha shprehur, sërish nga frika e keqkuptimit. U kujtova që në fund të fundit ne nuk ishim miq të vërtetë dhe se, humbja e asaj marrëdhënieje që kishim do kishte kosto të papërfillshme. Këtë herë e dija që nuk e kisha privilegjin e të dyshuarit. Dhe kjo e vërtetë më digjte.
Ndoshta do takoheshim sërish, çdo herë më të huaj se herën paraardhëse. Ndoshta jo. Ndoshta.... ndoshta nuk do takoheshim më kurrë! Ku i dihej? Duhej të mësohesha se do përballesha rregullisht me situata ku asgjë nuk do ishte e sigurt.
Ndoshta do takoheshim sërish, ndoshta jo. Ndoshta nuk ia vlente ta mendoja më. Nuk e dija. Nuk dija më asgjë.
YOU ARE READING
Në stacionin e autobusit
Short StoryHistori e shkurtër e një personazhi i cili përballet me frikën ndaj të panjohurës.