Atë ditë

161 20 0
                                    


"Të gjitha gabimet e së shkuarës po më ndjekin këtë natë. Karma që ka qenë duke më kërkuar për kaq shumë kohë, më në fund më është shfaqur në derë. Kjo është çfarë unë quaj vetmi."

-M.S.K

V

Një orë rrugë kishte kaluar e më në fund fillon të shohë pallatin në të cilin ndodhej apartamenti i saj. Ndaloi makinën në parkim, e mbylli dhe u drejtua nga shkallët. Ditët e fundit, ishte turbulluar mjaftueshëm për të mos u ndier mirë. Kudo që shkelte, ata i dilnin para syve si silueta dhe nuk e linin të qetë.

" Ndonjë detaj i ri? " - i dërgon mesazh njërit prej policëve të Karlsplatz-it që njihte prej kohësh. I duhej të qëndronte në kontakt me çdo zhvillim të ri. Edhe pse nuk priste përgjigje, e mori një të tillë jo shumë më vonë se pyetja e saj.

" Jemi ende duke kërkuar. Mendojmë se kemi gjetur diçka tek mjetet e tyre elektronike. Eja nesër te zyra ime. Do të të jap më shumë detaje. Natën e mirë! "

I kujtohej mirë ajo ditë. Ishin të tre në prapaskenë dhe Madlin nuk po ndihej dhe aq mirë. Duke u munduar ta ndihmonte, Filipi e mbështeste dhe i mbante dorën, me qëllimin për t'ia mbushur mendjen të vazhdonin aty ku e kishin nisur. Para kësaj, ajo i ishte lutur disa herë atë natë që ta shtynin koncertin, por ishte e pamundur. Gjithë shpenzimet do të shkonin në kosh, biletat e të ftuarve që do të anuloheshin do t'i inatosnin ata dhe e gjithë kjo do t'i bënte të mos ktheheshin më kurrë për Bartholdët. Do të ishte një dështim i madh ndërrimi i planeve në momentin e fundit, por kjo mund të kishte qenë një shenjë që askush prej tyre nuk e pa. Ndoshta ajo kishte diçka të rëndësishme për të folur, por askush nuk ja dha mundësinë.

Pavarësisht kësaj, asgjë nuk ishte në dorën e saj. Kështu mendonte ajo, edhe pse Korneli e fajësonte shpesh dhe ia përmendte gjithmonë faktin se, nëse ai do të ishte atje, asgjë nuk do të kishte shkuar për keq, dhe nata nuk do të merrte një rrjedhë të tillë të mistershme.

Shumë pak prej spektatorëve e kuptuan se diçka nuk shkonte. Të tjerë ende mendonin se ishte një marifet i Bartholdëve dhe se ishte pjesë e skenës, e të tjerë mendonin se gjithçka ishte bërë për t'i dhënë çiftit më shumë vëmendje. Kishte dhe nga ata që ishin të çliruar nga lajmet që qarkullonin se Bartholdët kishin hequr dorë nga muzika, duke ua bërë më të thjeshtë të tjerëve të ekzekutonin të tyren. Ata shpesh ishin parë si pengesë në prodhimin e projekteve të reja, për sa kohë nuk pranonin të bashkëpunonin me artistë të tjerë. Kjo gjë, nga njëra anë i shtonte famën, e nga ana tjetër i bënte të ishin më të urryer nga të refuzuarit.

Hyri në kuzhinë dhe mbushi një gotë me ujë. Duhet të kthjellohej. Gjendja e saj nuk do të ndryshonte asgjë. Ishte e detyruar të duronte.

Pas pyetjes së Klarës, Korneli ishte zhytur në mendime. Ta gënjente, apo të shpëtonte njëherë e mirë? Kohët e fundit kishte qenë në mëdyshje për çdo veprim apo vendim që kishte marrë, duke filluar që nga largimi i tij për në Itali.

-Çfarë të bën ta mendosh këtë? - kështu e filloi diskutimin.

-Epo ja, nuk e di. Dukeni gjithë kohën të ngrysur dhe nuk e pëlqeni prezencën e njëri-tjetrit. Mund ta dalloj këtë, nuk jam budallaqe, - Klara e dinte mirë që do ta kishte të vështirë të kuptonte diçka nga kjo, por po përpiqej të bënte më të mirën. Nëse iu duhej të gjenin çiftin e Bartholdëve, duhet të punonin bashkë duke mos pasur asnjë dyshim për njëri-tjetrin.

-Ajo zuri vendin tim të punës Klar, a nuk të duket diçka normale të mbash mëri? - teksa fliste hidhte sytë anembanë vendit. Kaq shumë kujtime të shkuara dëm.

Simfonia e humbur e VjenësWhere stories live. Discover now