- A nuk mendon se u bë pak vonë? - e pyeta teksa po ecnim përkrahë njëri tjetrit në rrugën e madhe e të ndriçuar lehtë. Nata kishte hedhur mantelin e saj mbi qiell, dhe e vetmja gjë që mund të vihej re ishin yjet që ishin i vetmi ndriçim i asaj nate.
- Mjaft u shqetësove, ti nuk ke njeri në shtëpi që të të bërtasi për vonesën. Pastaj, është vetëm ora 6. - tha ai duke më parë thellë me sytë e tij që po më dukeshin më të zinj se nata. Largoi ngadalë shikimin dhe lakoi cepin e buzës pak, por nuk e kuptova pse.
Dukej shumë më i madh se unë edhe pse ishte vetëm në vit të tretë, kurse unë në vit të dytë, vetëm 16 vjeçe. E takova rastësisht një ditë në shkollë, e më pas shumë ditë me radhë. Dukej sikur më vinte pas, sikur më ndiqte, por nuk e kuptoja pse. Ama ajo që dija ishte që prekjet e tij më bënin të ndihesha jo shumë mirë, në siklet, dhe shikimi i tij...kohët e fundit ishte bërë shumë i egër. Por gjithsesi tanimë isha mësuar me të. Ishte hera e parë që dilnim vetëm ne të dy, dhe si për çudi zemra po më rrihte ndryshe. Nuk e di pse kisha një parandjenjë të çuditëshme, që më shtrëngonte kraharorin.
- Ja pra. - tha ai duke ndaluar përpara një pallati të madh qe nuk e kisha parë më parë.
- Ëm... Çfarë po bëjmë këtu Albi? - e pyeta dhe mora vetëm një buzëqeshje si fillim. Por jo buzëqeshje të ngrohtë...
- Këtu? Këtu është shtëpia ime. Do shkojmë pak lart sa të marr diçka dhe pastaj do të shoqëroj për në shtëpi para orës nëntë. - tha dhe para se të më linte kohë të përgjigjesha më kapi për krahu duke më tërhequr lart.
Nuk kundërshtova. Nuk fola.
Sa budallaqe. Sa naive...
Hapi derën e apartamentit dhe më la vend të futesha e para. Ndezi dritën, dhe u ul i rehatuar në divan. Kurse unë ngela në këmbë si e shastisur. Çfarë po bëja aty?
- Eja ulu. - tha duke më bërë vend në prehërin e tij. E pashe si të ishte alien duke ngritur njërën vetull. Si mund të ma kërkonte atë gjë kur ne me zor se quheshim miq.
- A nuk mendon se ai vend nuk është për mua? - i thashë unë duke buzëqeshur pak si për t'u treguar e mirë dhe e qetë.
Sa budallaqe. Sa naive...
- Ky është vendi për të dashurën time. - tha ai duke u ngritur në këmbë dhe duke buzëqeshur.
Thellë thellë ngriva. U tremba. Pse mi tha ato fjalë? Filloi të më afrohej me hapa të ngadaltë, me buzëqeshje në fytyrë. Unë ecja mbrapa, edhe pse e dija që ato hapa diku do ndalonin. Dhe ai moment erdhi. Qe muri ai që më pengoi të ecja më tutje, edhe pse e dija që ajo ecje do të ishte e pavlerë.
Më mbështeti me forcë pas murit, dhe afroi fytyrën e tij me timen.
- Është... U bë vonë. - mora guximin të flisja me lotët që tani ishin krijuar brenda syve të mi, por nuk kishin guxim të dilnin.
- Më beso mua. - tha. U mundova t'i largohesha, por nuk munda pasi më kapi duart me forcë duke më gozhduar edhe më shumë, edhe më fortë trupin tim me murin. Pastaj puthiti edhe trupin e tij fortë me timin.
"E neveritshme" - mendova. Ishte hera e parë që po qëndroja kaq pranë me një djalë, dhe si për herë të parë nuk po më dukej e këndshme. Por nuk kisha faj, kishte puthitur thuajse cdo centimetër të trupit të tij me timin, përveç kokës. Gati sa nuk po më shtypte.
-Të lutem... - nisa të flisja unë kur ai më ndaloi duke më vendosur dorën para buzëve. Qe pikërisht momenti kur buzëqeshja i iku nga fytyra dhe i la vendin një pamjeje me inat, me përbuzje. Lotët ende endeshin nëpër sy gati për të dalë, por nuk bëra zë. Vetëm e shikoja në sy si për të kërkuar, pak mëshirë, pak dhembshuri. Po nuk gjeta asgjë. Madje ishte e kotë që kërkoja.
Sa budallaqe. Sa naive....
Më kapi me forcë mjekrën dhe pa e pasur problem më puthi. Po po, më puthi, më mori puthjen që unë e kisha ëndërruar ndryshe, atë të parën, e mori pa mëshirë si i etur për të.
Por, ah sikur të kishte qenë vetëm puthja ajo që ai do të merrte atë natë...

YOU ARE READING
Mos i beso... ✔
ContoVajza... por edhe djem... hidhini një sy sepse bëhet fjalë për dicka që ndodh përditë këto kohë, e nuk ikën pa pasoja. Fatmirësisht nuk eshte histori personale, por e frymëzuar nga ndodhi te përditshme. "Real men don't rape"