🪞4 🪞

21 5 1
                                    

Ishin zogjtë, me cicërimat e tyre, që shënuan ardhjen e mëngjesit. U ngrita me një ndjenjë drithërie. Çarçafët më ishin ngjitur pas trupit, si mbetjet e një ëndrre të trazuar. Ngrihem ngadalë, duke fërkuar sytë dhe marr një moment për të thithur qetësinë rreth meje. Sodisë zbrazëtinë e madhe të dhomës së ndenjes, ku mobiliet, ende të mbështjella me shtresa mbrojtëse plastike, qëndronin si roje. Asgjë nuk pipëtinte.

-Është shumë qetësi,-them butë.

Ngrihem nga kolltuku, ku kisha fjetur mbrëmë dhe kërcas lehtë qafën. Hedh sipër bluzën që gjendet aty në anë dhe drejtohem për në banjë. Hap rrubinetin dhe i hedh fytyrës nja dy grushte ujë. Me fytyrën që kullon, drejtohem dhe marr peshqirin që rri varur. Sytë i hedh nga pasqyra që ka nevojë për pastrim. Dora rrëshqet poshtë, bashkë me peshqirin. Mbështetem me duart në lavaman, teksa sytë nuk më ndahen nga reflektimi. Rri një copë herë duke e parë. Veshët sikur nuk më dëgjojnë mirë. Bllokimi i pushton. E vetmja gjë që arrij të dëgjoj, është kakofonia e rrahjeve të zemrës me zhurmën e ujit që rrjedh pa pushim. Pse duket sikur po mbytem...në këtë heshtje ? Diçka më thotë se duhet të kujtohem për diçka ? Çfarë më duhet të kujtojë ? Një emër ? Një fytyrë ? Çfarë ? Ndihem i rëndë . Këmbët mezi më mbajnë. Mbërthej lavamanin më fortë. Gishtat më dhembin. Ul kokën dhe marr frymë me shpejtësi.

-Jam mirë. Jam mirë. Çdo gjë është në rregull. Je thjesht i lodhur.

Kokën e ngre lart me sytë që i mbaj mbyllur me forcë. Për një moment, stuhia duket se ka kaluar. Gjithçka është në rregull. Shoh nga rrubineti që vrullin nuk e ka ndalur apsak. E mbyll dhe drejtohem për në dhomë, ku më pret punë kolosale. Muret kanë nevojë të kruhen mirë dhe më pas të vendoset bojë e freskët.

Kruarja e mureve duhej bërë sa më parë, pasi nuk e dija se sa "do ta bëj nesër"do të kalonin. Por i gjithë procesi, dukej ndryshe. Kush e dinte se një përmirësim i vogël në shtëpi do të ndihej si një seancë terapie ? Është sikur po heq shtresat e shkuara të jetës sime.

-Betohem se nuk kam parë kurrë një mur kaq të vendosur për të qëndruar i shëmtuar.

Drita e diellit depërtonte në xhamat e mbuluar me letrën e tejdukshme, duke krijuar harta të vogla hijesh. Pas kruarjes, marr kovat me bojë dhe i pozicionojë pranë këmbëve të mia. Gjendem përballë me faqen e murit qe është i gjithi i gërvishtur. Kaloj gishtat përgjatë strukturës së ashpër të murit, duke kujtuar kohët kur e ngjeshja veshin mbi të, duke përgjuar bisedat e prindërve të mi, duke imagjinuar se ishte pjesë e një sage epike. I dëgjoja çdo natë, teksa flisnin. E gjithë biseda ishte pothuajse rreth meje. Herë ishin biseda të mbushura me përkujdesje e herë me tension të vazhdueshëm.

Ishte qesharake se si një dhomë mund të ndihej si pjesë e njeriut. Ashtu si këta katër mure, që kishin qenë shoqëruesit e mi të heshtur, gjatë çdo pëshpëritjeje të netëve të nxehta të verës dhe çdo shpërthimi lotësh. Ata kishin parë posterat e heronjve të mi, që vareshin në qoshe : kujtime të ëndrrave që mund të kishte vetëm një djalë. Por tani, ata janë të veshur me një nuancë të zbehur ngjyrë bezhë, si një fotografi e vjetër që humbet ngjyrën e saj, dhe unë jam gati për diçka të re. Tërhiqem mbrapa për të parë rezultatin e punës. Çdo gjë duket e pastër. Të vetmet gjëra që mungojnë, janë mobiliet që gjenden poshtë.

-Sot ndihej si një lak i pafund. Kush e dinte se rinovimet mund të ishin kaq rraskapitëse ?

Vetëm pasi heq letrën mbrojtëse nga dritaret, kuptoj që ka ardhur koha e drekës. Vendos ta lë të thahet, teksa marr pak kohë për të përgatitur diçka për të ngrënë. Vërtet në frigorifer nuk do gjeja shumë, por kishte diçka sa për të thyer urinë. Papritmas, kujtohem për Tobian. Nuk e kisha parë rrotull gjithë ditën. Nuk e kisha idenë se ku mund të ishte, ama mendja ime donte që të ishte diku i sigurtë, diku në një cep të njohur të shtëpisë. Mendimet më nxiten të dalë jashtë e të kërkojë.

E gjej në oborrin e përparmë, me gjunjët përdhes duke shkulur barërat e këqinj. Ai ka qenë gjithmonë i zellshëm. Ndërsa unë isha duke u përpëlitur nga frika, duke u humbur në kaosin e jetës, ai ishte atje, duke u tokëzuar. Fjalë për fjalë. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai është kaq i përqendruar. Ai di të kujdeset për gjërat e vogla që kanë rëndësi.

-Një ditë tjetër me pluhur dhe djersë,-thotë duke fshirë ballin.

-A ke menduar ndonjëherë nëse do ishte më mirë ta kishim lënë të kalbej, këtë relike ëndrrash të harruara ? -pyes teksa kokën e sjellë vrik.

-Oh, Evanor, më trembe. Jo, as që më ka kaluar në mendje kjo gjë. Fundja, ky është i vetmi vend ku unë mund të endem.

-Çfarë do të thuash ?

-Dua të them, më shiko. Njeri pa njeri. Veçse një endacak rruge. Sa këtu, atje. Diku në mendjen e zemrën e dikujt.

-Po për mua ? Çfarë të mire ka kjo shtëpi, për mua ?

-Gjithçka. Tani mund të kesh një banesë tënden. Një vend ku mund të jesh vetëvetja. Një vend për familjen tënde...

-Unë nuk kam asnjë familje, -them. -Nuk kam një grua...as fëmijë.

Tobiah më sheh me keqardhje dhe duket se pendohet shpejt, për fjalët e tij.

-Mendova se...

-Po ti ? -pyes. -Po i kalon të 25-tat. A nuk duhet të ishe duke njohur dikë ?

-Jeta si beqar më ngjet më shumë,-thotë.

-Pra kemi vetëm njëri-tjetrin, apo jo ? Nuk mund ta imagjinoja, ta bëja këtë vetëm.

-E vërtetë.

-Por...nuk mund të ndalojë së ndjeri, sikur diçka mungon. Sikur po vrapojmë në rrathë, duke u përpjekur të mbushim një boshllëk që thjesht nuk do të mbyllet.

-Është e vështirë të shkundësh atë ndjenjë. Ndonjëherë, pyes veten nëse ne jemi thjesht fantazma të vetes sonë, që kalojmë nëpër rutinat tona të përditshme pa jetuar vërtet.

-Mendoj shumë për këtë...si na ndjek e kaluara jonë, edhe nëse përpiqemi të harrojmë. Kujtimet mbeten dhe ato ngjyrosin gjithçka që bëjmë.

-Por a nuk janë kujtimet ato që na formojnë ? Ata na kujtojnë se kush ishim dhe kush mund të jemi. Edhe ato të dhimbshme.

-Sigurisht, ata na japin formë. Po sikur të bëhen zinxhirë ? Po sikur të na pengojnë ?

-Ti mendon shumë, apo jo ? -më thotë.

Fjalët më avullojnë. Kapërdihem dhe sytë më ulen përdhesë. Mos kisha shkuar shumë larg me ato pyetje ? Mos po lija gjëra të nënkuptoheshin ?

-Gjithmonë kështu ke qënë,- shton pas një pauze. -Nuk pushoje dot.

-Gjithsesi...mobiliet nuk do ngjiten vetë deri në kat të dytë. -them. -Kam nevojë për ndihmën tënde.

Mes shumë dridhje krahësh, muskujsh që sforcoheshin, mbajtje fryme dhe shakashë herë-herë të hedhura nga Tobiah, arritëm të kompletonim dhomën.
Era e bojës, aq sa e këndshme, vazhdonte të kundërbonte përreth. Ishte e vështirë të flihej.
Pasi dal nga dhoma, në drejtim të shkallëve, qimet poshtë qafës i ndjej se janë ngritur. Ajri ndihet i dendur dhe i ngarkuar. Nga fundi i korridorit, duket se dikush po afrohet në drejtimin tim. Tingulli i butë i hapave jehoi në veshët e mi. Në fillim duket ritmik dhe konstant, më pas duket i shpejtë, gati për të mu vërsulur. Zemra më rreh fortë. Ndjej frikë. Mbërthej parmakun e shkallëve dhe vendos të kthej kokën pas. Tingulli i hapave nuk dëgjohet më. Çdo gjë është në qetësi. Nga poshtë dëgjohet Tobiah që më thërret për darkë.

You've reached the end of published parts.

⏰ Last updated: Aug 12, 2024 ⏰

Add this story to your Library to get notified about new parts!

Përshpëritja e pasqyrësWhere stories live. Discover now