🌺🌺🌺

174 13 2
                                    

Nuk vdes dashuria,

edhe nëse ndodh të shuhet e dashura...


Po të shkruaj

nga maja e botës

ku çmenduria

nuk më lë kurrë të lirë.

Kjo poezi, me një shkurtësi ungaretiane, do të thosha se e jep

më mirë se edhe vetë i gjithë opuskoli poetik gjendjen dhe

mosgjendjen e poetit, vendin, kudo e asgjëkundi, kohën apo

moskohën, misionin dhe antimisionin që mision është gjithsesi,

fatin, të shkruarit në majën e botës, në Olimpin e saj, ku

çmenduria, e kujt, e pjesshme apo gjenerale, nuk na lë të lirë, se

liria qënka dhe mënçuri. Do të jemi të lirë, aq sa do të jemi të

ditur.

Më i lirë se kudo mbase poeti është tek dashuria e tij, i çliruar

dhe nga liria e vet, ku shndërrohet në vetvete duke iu kushtuar

asaj që do, i kuptuar ose jo, madje dhe nëse nuk i kthehet kjo

dashuri, mjafton që ajo është brenda tij dhe e turbullon për të

bërë poetin, që e qetëson për të ndjerë poetin, për t’u bërë

ëndërr, për t’u bërë fjalë, për t’u bërë biografi njeriu.

Duke njohur nga jeta e autorit të këtij libri, unë që besoj se kur

jeta bëhet poezi, dhe poezia mund të bëhet jetë, dua të tregoj
këtu se ka pak kohë, ditë, shekuj, çaste, njëlloj janë, që e

dashura e tij u shua nga një sëmundje e rëndë dhe e

pashërueshme në Londër. Poezia e tij është ajo, me frikën e

ikjes, me parandjenja të fshehta, me ngazëllimin e të qenit

bashkë. Dhe tani që ajo s’është, poezia bëhet arkëmorti i saj i

kristaltë, me qirinjtë e metaforave përreth.

Por dhe më shumë se aq, janë psherëtimat, shëtitjet, lotët, stinët,

mbi të gjitha fjalët.

Dhe unë të harroj në poezitë e mia.

Kështu e shpreh ai të pa harrueshmen. Vdekja dhe jeta dhe ajo

që është mes tyre, mbi të dyja, që i ndan, që i bashkon, që u jep

kuptimin më të lartë, dashuria, janë dhe mbeten brenda fjalëve:

unë ndjek nga pas/fjalët që s’më thua. Pra, të shkosh në një

Eden heshtjeje, se Ne jemi fjalë/që duam njëri tjetrin. Ja, pra,

qëllimi i njerëzve dhe i poezisë së tyre, i gjithë krijimtarisë

artistike. Të duhemi se ne jemi dhe ajo që themi.

Edhe kur vdes e dashura, nuk vdes dashuria.

Vdekja, duke u futur mizorisht dhe pa mëshirë në mes, me

një xhelozi të verbër, nuk arrin ta ndërpresë, por

përkundrazi, të jep dhe mundësinë e tejkalimit të kësaj

prove mortore.

Dua të puth dhe fjalët e tua, thotë poeti, thjesht, me një befasi

mahnitëse. Fjalët mbeten, të shkruara, të pashkruara, të thëna,

në ajër, në kujtesën e gjithçkaje, të pathëna, në heshtjen folëse

dhe poezia janë buzët e kësaj puthjeje. E dëshiruar nga të gjithë.

Me një pakuptim të kuptuar më mirë se kurrë.
Një ëndërr e gjatë me ty.

Të mbaj nëpër shkallë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Dhe kaq shumë fjalë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Unë të mbaj në krahë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Nuk thua asnjë fjalë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Për ku vrapoj vallë?

Një ëndërr e gjatë me ty.

Dhe të puth në ballë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Ti me fustan të hollë.

Dikush komenton.

Ti e palos ngadalë.

Dikush kërkon tri kukulla.

Dikush më thotë tri fjalë.

Unë të shtrëngoj fort.

Dhe të ngre në krahë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Unë jam me ty.

Dua të jem me ty.

Të të them një fjalë.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Gjithmonë pranë meje.

Gishtat janë të tutë.

Përkëdhelin lehtë.

Përkëdhelin ëmbël.

Përkëdhelin buzët.

Përkëdhelin flokët.

Përkëdhelin sytë.

Dhe të shkretat fjalë.

Një ëndërr për mua.

Një ëndërr e gjatë me ty.

Ah, ... ti me ato fjalë!

Një ëndërr e gjatë me ty.

🌺🌺🌺Where stories live. Discover now