|3|

159 33 51
                                    

-Hyrje-

"Dikur, nuk ekzistonte asgjë.

Dikur, nuk ekzistonte asgjë. Ose më saktë, ekzistonte asgjëja. Në të gjitha format e saj, dhe njëkohësisht në formën e saj të vetme. Paradoksale, por e vërtetë. Ose të paktën, kështu besohet.

Frika më e madhe e jona është frika nga asgjëja. Asgjëja është një lëmsh që mbledh në vetvete gjithçka, për ta bërë të duket si asgjë. Në thelb, asgjëja nuk ekziston. Por nëse nuk ekziston, atëherë si ka mundësi që ndeshemi me asgjë kudo?

Mbi trembëdhjetë miliardë vite më parë, ekzistonte asgjëja. Derisa për shkaqe të mistershme, për të cilat qeniet me dije të kufizuar janë munduar të krijojnë teori dhe të gjejnë përgjigjje, asgjëja u kthye në diçka. Në diçka të madhe, të cilën qeniet e quajtën Univers. Universi kishte kuptimin e tërësisë, gjithësisë. Pra ishte e kundërta e asgjësë.

Dhe për të qenë të sinqertë, Universi në fillesat e tij, ka qenë një rrëmujë e madhe. Një rrëmujë aq e madhe, saqë emërtimi i tij u ndryshua në Kaos. Tashmë, në Kaos nuk kishte asgjë tjetër veçse meteorë që digjeshin, lëmsha të zjarrtë që rrotulloheshin pa asnjë lloj rregulli, lëmsha të akujt, lëmsha të gaztë. Thelbi është që çdo gjë ishte si një lëmsh i madh. E vështirë për tu besuar kur tani shumica e lëmsheve janë abstraktë, dhe ekzistojnë vetëm në mendjen e qenieve. Qeniet s'kanë parë asnjëherë lëmsh të vërtetë. Të paktën jo si ai që ekzistonte në Kaos.

Megjithatë, Universi ishte gjithnjë në zgjerim, pavarësisht rrëmujës së pakontrolluar në të. Natyrisht, zgjerimi do të sillte ndryshimin. Pak nga pak, u duk sikur të gjithë lëmshat filluan të merrnin një formë të kuptimtë. Disa u ngjanin sferave, disa ishin pak më të gjerë e të tjerë pak më të shkurtër. Të tjerë dukeshin si të dekoruar nga unaza trupash të mëdhenj përreth tyre. E të tjerë, kishin fatin të vezullonin kundrejt gjithë trupave të tjerë ziliqarë. Kështu, lëmshat u kthyen në trupa, dhe Kaosi u kthye në Kozmos.

Kozmosi ishte një mrekulli e vërtetë. Diçka aq madhështore, sa qeniet e perceptuan si të pafundme, pasi nuk ishin të afta mjaftueshëm për të kuvenduar çdo cep të tij. Në Kozmos, çdo gjë funksiononte në bazë të rregullave. Çdo trup lëvizte rreth vetes si dhe rreth një trupi tjetër sipas një trajektoreje të caktuar që u quajt orbitë, sipas një linje kohore të përcaktuar, të saktë dhe të pandryshueshme. Kështu u krijuan të ashtuquajtura sisteme, galaksi, në të cilat trupat nuk guxonin të thyenin rregullat e vendosur. Sipas këtyre rregullave çdo trup kishte sistemin e vet kohor, ndaj koha gjatë së cilës një trup ekspozohej në dritë u quajt ditë, dhe ajo gjatë së cilës trupi qëndronte në errësirë, u quajt natë. Dita dhe nata më pas funksiononin sipas sistemeve dhe nënndarjeve të tjera, si javët, muajt, vitet. Mirëpo këto janë detaje të parëndësishme të cilat ndryshojnë nga trupi në trup. Çfarë ka rëndësi, është se çdo materie e dinte mjaft mirë vendin e saj në Kozmos dhe mjaftohej me të. Ndaj Kozmosi ishte përkufizimi i të përsosurës. Sipas qenieve, e përsosura duhet të jetë e pangjashme, e pazëvendësueshme, e plotë dhe e rregullt. I tillë ishte Kozmosi. Qeniet filluan ta admironin Kozmosin për atë çka ishte, duke i vendosur emërtime të ndryshme, por askush nuk guxonte të cenonte thelbin e tij.

Qeniet filluan të frikësoheshin se zgjerimi i mëtejshëm i Universit do të bënte të mundur shkatërrimin e Kozmosit dhe risjelljen e Kaosit. Kështu, ato me dije më pak të kufizuar studiuan deri në detajet më të vogla rregullat sipas të cilave Kozmosi funskiononte, për të arritur në përfundimin se gjithçka vërtitej rreth një ligji të vetëm, të cilin qeniet e quajtën Pentagon. Sipas këtij ligji, çdo gjë kishte formën e përsosur të pesë pikave, katër prej tyre të vendosur në distancë dhe koordinata të barabarta nga njëra-tjetra, dhe e pesta e vendosur në qendër. Tashmë, misioni i qenieve ishte të ruanin me fanatizëm këtë ligj, në mënyrë që të ruanin përsosmërinë e Kozmosit. Për këtë arsye, qeniet caktuan Rojtarët e Kozmosit.

Edhe Rojtarët e Kozmosit u vendosën në mënyrë të tillë që të respektonin ligjin e Pentagonit. E përkthyer kjo në pesë Rojtarë për trupat që zinin një vëllim mesatar, një Rojtar për trupat me vëllim të vogël, të cilët ishin vendosur në sisteme me pesë prej tyre, njëzet e pesë rojtarë për trupa që rrezatojnë dritë dhe gjashtëqind e njëzet e pesë për trupat të cilët qeniet nuk arrinin t'i kuvendonin plotësisht. Rojtarët kishin si detyrë të ruanin rregullat e brendshme të secilit trup, në mënyrë që rregullat e jashtme dhe baraspesha e Kozmosit të mos cenohej. Kjo e bëri shumë më të lehtë punën e qenieve, duke bërë që Kozmosi të ishte jetëgjatë dhe duke luftuar çdo kërcënim me vullnetin më të madh. Për shekuj me rradhë, Kozmosi ka qenë i mbrojtur dhe i sigurt, dhe kështu vazhdon të jetë. Qeniet studiuan çdo pjesë të Kozmosit që mundën, duke përmbledhur gjithçka që dinin në Librin e Pafund. U emërtua i tillë, pasi ishte ndërtuar në mënyrë të tillë nga qenie mjaft inteligjente, që të përmbante gjithçka të re që ndodhte me Kozmosin, qoftë edhe gjatë njësive më të vogla e më të papërfillshme kohore. Nëse ti ke në dorë një kopje të tij, do të thotë se je një qenie e destinuar për të ruajtur ligjin e Pentagonit. Kujdes! Numri i kopjeve të Librit të Pafund është një numër i përsosur, i cili as nuk zvogëlohet dhe as nuk shtohet. Ndaj ruaje kopjen njësoj si Rojtarët ruajnë Kozmosin. Në një tjetër linjë, do të përfundonte me 'paç fat', por këtu, fati yt është i përcaktuar. "

Shfletoi pa duruar në faqet në vazhdim, por u ndesh me një mori kapitujsh, shumicës së të cilëve nuk arrinte t'u kuptonte as titujt. Nuk e dinte se çfarë ishte e supozuar të lexonte dhe koka po i rëndohej nga e gjithë ajo mori fjalësh e pakuptimtë që Kejli i kishte lënë në dorë. U mundua të qetësohej një moment. Ndoshta e gjitha kjo ishte një tjetër ëndërr e keqe. Së fundmi netët e saj ishin plot të tilla, gjithsesi. Largoi sytë nga libri dhe shkronjat i shfaqeshin si iluzione në murin gri të dhomës. Në fytyrë i mori formë një buzëqeshje e zbehtë kur iu kujtua se si nuk i hiqte sytë nga drita e vogël e gjumit, vetëm që të krijonte iluzionin e saj si një pikë e vogël në mur më pas. Atëherë ishte vetëm një fëmijë.

Riktheu sytë në libër. Librat shumë të trashë të mbushur me leksionet e universitetit nuk i dukeshin gjë para tij. Psherëtiu thellë. Duhet ta merrte më lehtë. Mbase s'do të ishte aq e komplikuar saç dukej. Shfletoi sërish derisa sytë i zunë listën që tregonte permbajtjen e librit. Çuditërisht, as ajo listë kapitujsh nuk kishte një fund.

-Marrëzira, -pëshpëriti teksa u mundua të deshifronte shkronjat e stampuara në letrën e vjetër, duke përdorur gishtin tregues për ndihmë.

-Kapitulli treqind e gjashtëdhjetë e pesë: Planeti Tokë dhe përcaktimi i tij në Kozmos. Faqja dymbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë.

Me vetëbesim vendosi të shkonte në këtë kapitull, pasi aty mund të qartësonte të paktën disa nga pikëpyetjet në kokën e saj.

" Toka konsiderohet si një trup mesatar qiellor i cili pozicionohet në Kozmos duke u rrotulluar rreth vetes dhe rreth një trupi rrezatues sipas një orbite që përcakton përkatësisht një vit tokësor me treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë tokësore, të ndara në sisteme shtatë ditore të emërtuara javë tokësore, dhe në sisteme më të mëdha të emërtuara muaj tokësorë.

Megjithatë Toka është konsideruar si një trup tekanjoz, -uli sytë në fund të faqes për të lexuar shpjegimin e këtij emërtimi. -Trup tekanjoz: një trup i cili ka një vend të caktuar në Kozmos, por që hera-herës mundohet t'i shmanget ligjit të Pentagonit. Kështu, një nga katër vite në Tokë përmban një ditë më shumë, ditë e cila numërohet brenda muajit të vetëm më të shkurtër, i cili del jashtë rregullit të përgjithshëm të muajve. Një tjetër shembull është përplasja e dy muajve të njëpasnjëshëm me tridhjetë e një ditë, ndërkohë që rregulli i përgjithshëm në Tokë është zig-zagia tridhjetë-tridhjetë e një. Gjatë studimit të këtij trupi, këto fakte dhe të tjera i shqetësuan qeniet, pasi përbënin kërcënim të përgjithshëm për Kozmosin. Fajtorë për këtë u bënë disa qenie me natyrë komplekse, të çuditshme dhe të ndërlikuar, që thjeshtësisht u quajtën qenie njerëzore. Që Rojtarët e Tokës ta kishin më të thjeshtë kontrollin e tyre, caktuan të Dërguarit. "

Mbylli sytë dhe filloi t'i fërkonte. Ndihej shumë e lodhur për të vazhduar më tej. Mendja i shkoi tek i vetmi që mund ta ndihmonte. Mori telefonin dhe nxitimthi gjeti kontaktin e tij.

-Duhet të takohemi menjëherë. Ka shumë gjëra të cilat po ndodhin dhe ti je i vetmi që mund të më ndihmosh. Të lutem më shkruaj sa më shpejt, Deklan.

Teksa po ngrihej nga dyshemeja, vuri re edhe njëherë shenjën në kyçin e këmbës së saj. Katër pika të baraslarguara nga njëra-tjetra në distancë dhe koordinatë. Në qendër, pika e pestë.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now