|17|

83 30 56
                                    

-Kisha dyshimet e mia për problemet e tua mendore Leira Paterson, por tani jam plotësisht i sigurt që ti nuk je mirë, -hapi sytë dhe i puliti disa herë ngadalë për të qartësuar vizionin e turbullt dhe imazhet e shumëfishuara të njerëzve të veshur me të zeza që vinin anë e mbanë dhomës. Nuk iu desh shumë të kuptonte se ku ndodhej. Tavani i lartë i dukej sikur do t'i shembej në kokë nga çasti në çast; sikur e vetmja gjë që e mbante ishte një fije e vogël peri që së shpejti do të këputej. Madhështia e Pontiusit tashmë i dukej e rëndë dhe mbytëse, sikur të ishte një lloj burgu i kamufluar nga muret e bukura.

-A e ke idenë se ç'po bën? Fati yt është i përcaktuar vajzë! Nuk mund të vdesësh kur të duash. Por shoh se po të pëlqen kaq shumë të vuash, saqë të gjitha po ia bën vetes, -u sforcua që të ngrihej. Ndonëse shihte më qartë, zërat e irrituar nuk arrinte t'i dallonte se nga vinin. Ndihej sikur veshët ende i buçisnin nga uji. Të pestë Rojtarët ndodheshin atje përballë saj, ndërkohë që ajo zgjodhi të heshtte.

-Le t'i bëjmë gjërat pak më të qarta Leira, -ky i fundit ishte një ton më i përmbajtur, megjithatë te Leira erdhi me ngarkesën më të lartë negative, si një lëmsh i mbledhur që mund të shpërthente nga momenti në moment. -Asgjë që ti bën nuk mund ta ndryshojë fatin tënd dhe afatin kohor që është caktuar nga qeniet për ty. S'ke asgjë në dorë. Duhet të ndihesh e lumtur që arrite të shpëtosh një jetë, dhe të jesh e duruar për të kryer punën tënde ashtu siç duhet. Ashtu siç e Dërguara Delansi do të donte ta shihte pasardhësen e saj, -si Rojtari i Dhimbjes, ai dinte ta godiste në pikat e saj më të dobëta.

-E lumtur? -përsëriti. -Ti arrin ta ndjesh energjinë time. E di që mundesh. Tani më thoni i nderuar Kiron, çfarë mund të bëj unë në këtë gjendje që jam? A jam vërtet e aftë për detyrën idiote që kam përsipër apo kjo është e vetmja gjë me të cilën të gjithë këtu gënjeni veten? Ceres? Rojtari i Dashurisë! -theksoi tonin ironik. -Më thuaj Ceres, çfarë lumturie supozohet që unë të kem, kur s'kam më asnjë njeri që dua? Në fillim vratë gjyshen, më pas më kërcënuat të ndahem nga Deklani dhe së shpejti do të vrisni edhe Kejlin. Seriozisht, nuk mund të ndihesha më e lumtur se kaq. Vesta? Sheh ndonjë kurim për mua në rregullatorin tënd? Të dukem si një e Dërguar e suksesshme, Koel? Juno...

-Pusho, e Dërguar! -e ndërpreu. -Ne nuk jemi përgjegjës për fatin tënd. I dashuri yt mund të ishte asgjësuar me kohë dhe ti as që nuk do ta mësoje. Në vend që të jesh mirënjohëse, hiqesh si qenia më e zgjuar dhe na tregon se çfarë duhet të bëjmë. Mbaj vendin që të takon.

-Ju qenkeni rojtarë, por jo përgjegjës. Për çfarëdo që ndodh, faji mund të bjerë mbi këdo tjetër përveç jush, kështu?

-Ajo ka të drejtë, -katër shikimet njëherazi u kthyen nga ai, -deri diku, -shtoi për t'iu shmangur presionit. -Nuk mund ta mohojmë se së fundmi, edhe ne e kemi gjetur veten në shumë gabime, dhe për këto vetëm ne mbajmë përgjegjësi. Por sidoqoftë, çdo veprim i yti po na i bën gjërat më të vështira Leira. Ndoshta ke shumë pikëpyetje në kokë dhe s'mund të gjesh përgjigjje për gjithçka. Por kjo kështu ka për të mbetur, çfarëdo që të bësh. Ky është fati yt, -mbylli veshët dhe shtrëngoi nofullat në përpjekje për të mos dëgjuar asnjë nga fjalët e tyre. Ndihej sikur kishte ngecur në fjalinë "ky është fati yt", dhe çdo përpjekje që bënte për të dalë që aty, e fundoste më tepër. Kjo grackë po i merrte frymën.

-Bëj pak pushim, -i tha ftohtë dhe ua bëri me shenjë të tjerëve që ta ndiqnin. -Ceres? -bëri sërish me shenjë për t'i rikujtuar mesazhin.

-Pas jush do të jem, -ndërkohë që katër të tjerët u larguan, ai vështroi me kujdes hapat e tyre derisa u zhdukën plotësisht. Ajo e pa dyshimtë dhe ndjeu një frikë të çuditshme që i krijoi një lëmsh në bark.

-Eja Leira, ti duhet të dish më shumë, -hezitoi një moment, por nuk kishte ç'të humbiste, ndaj e ndoqi duke i besuar intuitës së saj. Nga të gjithë Rojtarët, Ceresi ishte i vetmi që nuk kishte pritur shumë prej saj, që e kishte paralajmëruar dhe që e kishte informuar më shumë.

U ngjitën në shkallë që dukeshin sikur s'kishin për të mbaruar, aq sa Leira nisi numërimin por e humbi shumë shpejt. Çuditej me faktin se si ata ecnin përgjatë atyre dhomave dhe korridoreve si të mos kishin asnjë problem me orientimin, por më pas i kujtonte vetes se ajo kishte qenë shtëpia e tyre për më shumë se qindra vite.

Shkallët e nxorrën në një vend që nuk ia kishte zënë syri më parë, sa të shkretuar e të shkatëruar, aq edhe misterioz. I përngjante si papafingoja e ndonjë shtëpie të vjetër tipike në filmat që shihte me Deklanin, dhe duke harruar se çfarë kishte bërë disa orë më parë, uroi për të disatën herë që ta kishte pranë në ato momente. Vetëm në qendër të dhomës kishte dritë, mjaftueshëm për të ndriçuar librin që ndodhej mbi një tavolinë të vogël, shumë të ngjashme me tavolinat që kishte parë në rregullatorin e Dashurisë, kur takoi për herë të parë Ceresin. Ai bëri disa hapa dhe pa u vonuar shumë shfletoi disa faqe në libër. Më pas hodhi vështrimin drejt saj dhe e pyeti:

-A ke dashur të dish rreth Profecisë së Ndaluar?

Kjo pyetje e bëri atë menjëherë që në mënyrë të pakontrolluar të afrohej drejt librit. Në pamje të parë dukej identik me çdo kopje që kishte hasur, por ajo që e joshte ishte pikërisht togfjalëshi të cilin askush nuk ia shpjegonte. Nga ana tjetër, Juno ia kishte bërë të qartë gjatë atyre ditëve se nuk duhet të shkelte asnjë rregull, pasi kjo natyrisht do t'i përkeqësonte gjërat. Të shihte që nga një anë një Rojtare fliste pafund për rregullat dhe ligjet dhe një tjetër Rojtar i thyente disa herë rradhazi, e bënte të ndihej çuditshëm.

-A nuk është e ndaluar të flasësh për të? -ai tundi kokën dhe qeshi. Shprehia që kishte në fytyrë e bënte të dukej se nuk ishte aspak i shqetësuar.

-Mendoj se ti bën shumë pyetje, dhe nuk je aq falënderuese saç duhet Leira. Mund të të kisha lënë në dhomën tënde, të bëje pushim ashtu siç Juno urdhëroi.

-Më fal, -pëshpëriti. Diçka i dukej e çuditshme. Nuk ndihej sikur po bënte gjënë e duhur, por sikur vazhdimisht një zë i brendshëm i thoshte të mos dëgjonte dhe të mos ndiqte askënd, pasi herët a vonë, të gjithë donin ta shihnin të vuante. E urrente që gjendej aq shpesh midis dy dilemave dhe duhet të merrte një vendim.

-Pse po e bën këtë? -pyetja e rradhës erdhi pikërisht nga ai zë i brendshëm, nga nënvetëdija e saj që nuk e kishte dëgjuar. Nuk ishte e sigurt për asnjë hap që hidhte. Nuk ia kishte idenë se çfarë do të ndodhte me të. Nuk besonte dot askënd dhe sidomos atë. Nuk e dinte pse ai herë i dukej si njeriu i vetëm që mund ta ndihmonte, e herë aq i dyshimtë, sa kishte për ta rrënuar keq.

-Dua të të ndihmoj, por ti nuk po e vlerëson mjaftueshëm. E di çfarë, ndoshta nuk ke qenë edhe aq kurioze për të mësuar rreth kësaj profecie. Ndoshta do të jem ngatërruar unë, -bëri një hap të vogël të qëllimshëm për tu larguar.

-Jo prit, -nuk e la të përfundonte fjalinë. Çfarëdo qëllimi që ai të kishte, asnjë e keqe nuk i kishte ardhur prej tij. U afrua dhe hodhi sytë në libër. Kjo duhej të ishte mjaft e rëndësishme, shumë më e rëndësishme se arsyeja e veprimeve të Ceresit, e cila mund të zbulohej edhe më vonë. Mori frymë thellë para se të niste të lexonte; ishte një huq i vjetër që e bënte gjithnjë për të çliruar stresin në shkollë, pavarësisht se asnjëherë nuk funksiononte. Ktheu një shikim pyetës nga ai dhe në mendje i erdhën fjalët e asaj dite. Duhej ishte e përgatitur për të gjitha, ose të paktën, t'i merrte parasysh që të mos përballej me të papritura. Uli sytë poshtë për të lexuar titullin.

"Kapitulli shtatëqind e dy: Profecia e Ndaluar."

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now