|21|

78 29 74
                                    

Gjithçka kishte dalë jashtë kontrollit. Të Dërguarit dhe Aatamit kishin arritur t'i kapërcenin portat e larta dhe të futeshin në oborrin madhështor të Pontiusit. Qetësia dhe harmonia e dikurshme tashmë ishte shkatërruar dhe ishte shndërruar në një vorbull të madhe rreziqesh, në të cilën mund të humbisje menjëherë nëse nuk do të tregoje kujdes mjaftueshëm. Pesë Rojtarët tashmë ndiheshin shumë më inferiorë para një turme të tillë, si të mos kishin qenë vetë ata që i kishin udhëhequr gjatë gjithë kohës.

-Çfarë është kjo mosbindje e tillë? Çfarë po përpiqeni të bëni? -ngriti zërin aq sa mundi që të kishte mundësinë të dominonte mbi zhurmën e pasosur të zërave të tyre të çmendur.

-Kërkojmë Leira Patersonin! Nëse nuk doni që situata të përkeqësohet, asgjësojeni atë dhe ne do të tërhiqemi, -nuk dihej me siguri se nga vinte zëri, por dukej si një zë i përbashkët me të cilin të gjithë binin dakord.

-Asgjë nuk zgjidhet në këtë mënyrë. Kërkesat tuaja janë të bazuara në askund. Duhet të ruani qetësinë dhe t'i riktheheni detyrës suaj, -nuk donte ta shprehte hapur, por kishte një parandjenjë të keqe, dhe parandjenjat e tij ishin gjithmonë të vërteta. -Duhet të bëjmë diçka me patjetër, -iu drejtua katër të tjerëve. -Ata nuk do të ndalen me kaq dhe besoj se do të ketë shumë të lënduar.

-Mundohu të jesh pak më pozitiv, Kiron, -u kthye drejt turmës. -Dëgjoni të Dërguar dhe Aatami. Kjo që po bëni është e gabuar. Leira Paterson është një prej jush dhe si e tillë duhet të pranohet.

-Çfarë duhet bërë me çfarë është bërë dhe po bëhet janë shumë larg Zoti Koel. A nuk ishe ti ai që propozoi shfarosjen e të gjithëve ne vetëm për të mbuluar gabimet dhe paaftësinë tuaj? Në fillim vdekja e të Dërguarës Delansi, më pas zbritja juaj në Tokë dhe plani për të na asgjësuar të gjithëve. Nuk jemi aq naivë saç mendoni ju, o Rojtarë.

-Është e kotë të vazhdojmë me fjalët, -shtoi një tjetër. -Siç duket Rojtarët nuk do ta dorëzojnë lehtë pasardhësen e të Dërguarës Delansi. Shkatërroni gjithçka, bëni ç'të jetë e mundur derisa të arrijmë qëllimin tonë. Ne nuk kemi për tu larguar që këtu! -brohoritje dhe thirrje të shumta u dëgjuan njëzëri më pas. Turma u shpërnda me shpejtësi duke rrethuar gjithë oborrin dhe duke përdorur çdo mjet rrethanor për të dëmtuar ndërtesat dhe punonjësit që përpiqeshin t'i ndalonin. Dukeshin si një grup kafshësh të egra që nuk i bindeshin askujt, por vepronin në bazë të intuitës së tyre hakmarrëse.

-Duhet të veprojmë shpejt, -situata ishte alarmante dhe asgjë nuk ishte në favorin e tyre, por duhet të bënin diçka sa më parë.

-Nuk mund ta lejojmë këtë që po ndodh. Ne jemi Rojtarë. Ata nuk janë të shumtë në numër, të shumta kanë përparësitë përballë nesh, si ajo e të mos qenit në rrezik për jetën.

-Pikërisht. Dhe nëse nuk e kanë më këtë përparësi...

-Koeli ka të drejtë, -miratoi Ceresi. -Nuk mund të mendojmë për sigurinë e tyre, sepse nëse vazhdojmë kështu, ata do të përfundojnë duke vrarë njëri-tjetrin gjithsesi.

-E drejtë. Në një situatë të tillë, ka shumë gjasa që termat e Pontiusit të mos funksionojnë siç duhet, dhe të ketë lëkundje nga ligji i Pentagonit. Aty jashtë po luhet me jetën dhe fatet e tyre, dhe ne s'na mbetet asgjë tjetër veçse të bëhemi pjesë e kësaj loje. Juno? -duhet që edhe ajo të binte dakord. Nëse nuk ishin të bashkuar, nuk mund të arrinin asgjë.

-Në rregull, por Leira duhet të mbrohet me çdo kusht, -nuk mund ta pranonte hapur se sa shumë ajo vajzë i kujtonte Aspenin, por as nuk mund ta mohonte. Dinte vetëm se duhet ta mbronte. Ndoshta kështu do të shpëtonte disi nga ndjenja e fajit që nuk mundi të bënte asgjë për të mbrojtur Aspenin, për t'i shpëtuar jetën. Tashmë ishte ndryshe, ishte shumë më e fuqishme se atëherë, dhe nuk do të lejonte të ndodhte e njëjta gjë sërish.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now