|fund|

126 27 80
                                    

Hapi sytë dhe u përball me një pamje të mjegullt, asgjë ndryshe nga ajo e disa ditëve më parë. E ndiente kokën shumë të rënduar ndaj nuk bëri përpjekje për tu ngritur, por priti derisa imazhet t'i qartësoheshin pak nga pak dhe vuri re se si të njëjtat qenie që donin t'i merrnin jetën pak më parë, tashmë ndodheshin pranë saj, në pritje të ndonjë ndryshimi në gjendjen e saj shëndetësore. U kollit lehtë, gjë që tërhoqi vëmendjen e tyre dhe i mblodhi rreth kokës së saj menjëherë.

-Çfarë ndodhi? -pyeti konfuze, pasi ndiente një dhimbje shumë të madhe në kokë për të kujtuar me qartësi momentin e fundit që kishte dëshmuar para se të përmendej në atë dhomë.

-Në momentin që gjithçka do të shkatërrohej, ti arrite të prekje tulipanin. Fuqia e tij ndikoi mbi gurët e Rregullatorit duke e çuar gjithçka ngadalë në vendin e vet. Por ishte shumë e madhe për tu përballuar nga një qenie njerëzore e thjeshtë, ndaj ndikoi edhe te ti, duke bërë që të të humbnin ndjenjat, -ishte Vesta ajo që i dha përgjigje pyetjes së saj, ndërkohë që me një napë në ngjyrë qumështi fshinte djersët që kullonin nga balli i saj. -Por tani je mirë.

Shtangu para fjalëve të saj. Iu deshën disa çaste që të kuptonte se vërtet ia kishte dalë mbanë. Ndjenja të ndryshme i ishin përzier me njëra-tjetrën; lehtësim, gëzim, habi, hutim, dhe ndihej se së shpejti do të shpërthente në lot për t'i lënë të gjitha jashtë.

-Mendoj se këtu merr kuptim fraza "je me fat". Ti nuk do të vdisje, gjithsesi. Ke edhe pesë vite të tjera të mërzitshme për të jetuar, -ajo u sforcua të qeshte dhe i kujtoi vetes se e motra s'kishte për të ndryshuar ndonjëherë. -Ia dole, Leira.

-Leira, -ktheu kokën dhe pa fytyrën e Junos, të ngazëllyer, të mbushur plot jetë si asnjëherë më parë. -Është dikush që dëshiron të të takojë.

Për herë të parë pas aq shumë kohësh e ndjeu zemrën të plotësuar. Nuk hezitoi të hidhej menjëherë në krahët e tij, në përpjekje për të marrë sa më shumë nga aroma e tij e të çmallej sa të mundej. E ndërkohë ai e përqafoi fort, për të mos e lënë më asnjëherë të shkonte. Asnjëri nuk mjaftohej me tjetrin; zemra iu digjte nga një mall i epërm e i pashpjegueshëm, si të kishin qenë larg njëri-tjetrit një jetë të tërë. Lejuan sytë të takoheshin me shikime e të huazonin ndriçimin nga njëri-tjetri për t'i mbushur me jetë. Ndihej gjallë.

-Por, çfarë ndodhi? -nuk foli dot më tepër, pasi buzët ia rrëmbeu puthja e saj, që i fali ëmbëlsinë që i kishte munguar prej kohësh.

-Të thashë Deklan, asgjë dhe asnjë nuk do të na ndajë.

-Ju tokësorët jeni shumë të ndjeshëm, -foli Koeli ndërkohë që hodhi vështrimin drejt Junos, e cila e kuptoi menjëherë se flitej edhe për të, ndaj qeshi teksa vazhdonte të vështronte ata të dy me admirim.

-Çfarë do të ndodhë me profecinë? A do të vazhdojë të zbatohet ajo edhe me të Dërguarit e tjerë në vazhdim? -pyeti shumë pak para largimit përgjithmonë nga Pontiusi.

-Nuk e dimë ende, Leira, por diçka do të ndodhë me siguri. Qeniet e larta do të mblidhen së shpejti dhe do të marrin një vendim të përgjithshëm, sapo gjendja të qetësohet pak dhe gjithçka të shkojë pak nga pak në vendin e vet.

-Ishte kënaqësi që u njohëm, Rojtarë të Tokës, pavarësisht gjithçkaje.

-Do të na marrë malli, -u shpreh teksa do të takohej me të për të fundit herë. -Ti e gjete veten, Leira. E gjete ku përket. Shpresoj që dashuria të jetë gjithmonë pranë teje...

Pesë vite për Leirën ishin gjithçka që i duhej për të realizuar ëndrrat që kishin ushqyer të dy. Ajo kohë e limituar e bëri të kuptonte se ndonjëherë nuk duhet të priste për momentin e duhur, pasi ndoshta ai mund të mos vinte kurrë. Ndaj ishte koha që të dy të zhdukeshin nga gjithçka, dhe të zhdukeshin pikërisht nëpër ëndrrat e tyre.

Epo, jo gjithçka shkoi sipas planit. Pavarësisht përpjekjeve të Deklanit, Leira nuk mësoi dot kurrë të notonte, ndaj ëndrra e garës me delfinë ndryshoi pak formë dhe delfinët u bënë kamardare plastike.

Të paktën do të shkonin për gjueti thesari në një ishull të humbur me harta të cilat nuk ishin të vërteta dhe kafshë vdekjeprurëse; vetëm po të mos ishte për Deklanin që më vonë zbuloi se kishte alergji thuajse nga çdo lloj poleni. Por tek e fundit vlerësuan faktin se Leirës nuk iu desh të përballej me asnjë kanibal.

Por megjithatë, nuk shkoi e gjitha aq keq. Leira më në fund mundi të shihte gjirafa nga afër, edhe pse ishin gjirafa të porsalindura të mbyllura në kafazet e kopshtit zoologjik më të afërt, dhe u zhgënjye disi nga gjatësia e tyre.

Ballkoni i Romeos dhe Xhuljetës do të ishte një vend perfekt për një udhëtim romantik, por nuk kishin kohë për të bërë para mjaftueshëm për të udhëtuar nga Kanadaja në Itali, ndaj prenotuan biletat për shfaqjen teatrale të kësaj tragjedie në fundjavën e ardhshme.

E mira ishte që atë Hallouin më në fund kishin kostume të një cilësie më të pranueshme, pavarësisht se Deklani sërish zgjodhi kostumin e vampirit, dhe kjo preferencë s'kishte për të ndryshuar ndonjëherë. Por ishte një nostalgji e mrekullueshme që i çoi pas vite me rradhë, në kohën kur s'ishin veçse fëmijë.

Dhe sado që lejuan që këto ëndrra të plotësoheshin pjesërisht, krijuan ëndrra të tjera, që i bënin ta donin njëri-tjetrin dhe jetën edhe më shumë dita-ditës. Dhe kështu, i zinte gjumi duke dëshmuar perëndime të mahnitshme të Diellit, e kalimin e hijshëm e të pakrahasueshëm të Hënës nëpër fazat e saj.

Megjithatë, të shihnin yjet do të ishte gjithmonë shkëputja më e bukur që ata do të mendonin ndonjëherë nga realiteti, ndaj nuk ngurruan ta bënin këtë herë pas here, duke vendosur herë njëri e herë tjetri sytë në teleskop, për t'u mrekulluar nga hapësira kozmike.

Leira ishte një qenie njerëzore që mendonte se nuk mund të bënte asgjë e vetme. Mendonte se kishte ardhur në jetë vetëm për t'u përballur me dhimbje dhe vuajtje, dhe kësisoj, jeta e saj nuk do të merrte kurrë kuptim. Dhe këto mendime e pengonin gjithmonë të bënte një hap më tepër, të përpiqej më shumë.

Por Leira mësoi gjëra vërtet të konsiderueshme gjatë këtij rrugëtimi të rrezikshëm e të pazakontë për një qenie njerëzore. Mësoi se cili ishte thelbi në fjalët e gjyshes së saj. Mësoi se çfarë do të qëndronte gjithmonë, ishte ajo dhe rruga e saj, dhe vetëm ajo do të mund të vendoste për të. Edhe nëse dikush apo diçka do ta fuste në rrugë të gabuar, ajo kishte fuqinë të ndërronte drejtimin e saj, dhe për këtë, nuk do të ishte kurrë vonë.

Mësoi se hero nuk të bënte titulli apo vlerat që ishin të pëlqyeshme nga të gjithë. Ndonjëherë hero mund të bëhet edhe një qenie e dobët, me flokë të dëmtuar, probleme shëndetësore dhe një jetë të rrëmujshme. Mjafton të bëhesh si fillim heroi i vetes, e më pas heroi i të tjerëve. Nuk do ta bëjë askush tjetër për ty, dhe jo sepse nuk interesohet mjaftueshëm, por sepse nuk mund të arrijë dot aq afër vetes tënde, sa vetë ti. Leira mësoi se dashuria do ta mbante gjithnjë gjallë shpirtin, pavarësisht situatës në të cilën trupi do ta gjente veten.

Leira mësoi se e përsosura nuk ekzistonte asnjëherë në formën e saj të plotë, pasi gjithmonë do të kishte diçka që do të dilte nga ajo guackë e tillë e patundur, por përsosmëria gjendej fare lehtë në gjëra të vogla, që e bënin jetën e bukur nëse dije si t'i vlerësoje.

Dhe sa herë që së bashku me Deklanin shihnin yjet, ndërmend i vinte ai vend që kushedi sa larg përtej syrit njerëzor mund të fshihej. I vinin ndërmend si kujtime therëse, por me vlerë, ato pesë shtigje të humbura.

Të humbura, sepse Leira gjithnjë humbiste në madhështinë e tyre sa mbresëlënëse, aq edhe mizore.
Të humbura, sepse Leira nuk e kishte gjetur kurrë veten ndër to.
Të humbura, pasi luftonin për të ruajtur të përsosurën, kur në të vërtetë nuk ekzistonte diçka e tillë.
Të humbura, duke qenë se në atë vend të gjithë ata që kishin shkelur, herët a vonë, do ta ndienin veten humbës qoftë edhe njëherë.
Të humbura, sepse qëllimi i tyre ishte i tillë.
Të humbura dhe të papërfillshme në hapësirën e pafundme kozmike.
Të humbura, kundrejt dashurisë së tyre të përjetshme.

Dhe kudo të përfundonte materia e tyre kur udhëtimit në Tokë t'i vinte fundi, shpirtërat e tyre përkisnin bashkë.

∘₊✧──────✧₊∘
|fund|

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now