|15|

102 30 64
                                    

Atë ditë moti i përngjante frikshëm me ditën e mallkuar kur ndodhi gjithçka. Rrezet e diellit nuk guxonin të shponin retë që kishin zënë vend në gjithë kupën qiellore; megjithatë as ato nuk ishin mjaftueshëm guximtare që të lejonin pikat e para të shiut të përplasnin tokën e thatë. Dukej sikur të gjithë ishin frikacakë për të hedhur një hap më tej, dhe sidomos ajo. Por nëse do të prisnin për ndonjë hap nga njëri-tjetri, asgjë nuk do të ndodhte. Ndaj ajo duhej të vendoste.

Nëse dikush do t'i thoshte qoftë edhe një ditë më parë se do të binte vetë dakord për të vepruar në atë mënyrë, nuk do ta kishte besuar kurrë. Ndërsa tani, qëndronte para derës së tij pa patur guximin të trokiste, apo të futej brenda. Mendimet i kishte të panumërta por nervat tashmë i ishin shkatërruar. Qëndronte atje në pamundësi për të folur, për të menduar apo për të vepruar. Dhe ndoshta ajo gjendje e palëvizshme do të qëndronte e tillë, nëse dera nuk do të hapej së shpejti.

-Leira! -në sekondën e ardhshme e mori në përqafim, si të kishte një jetë të tërë pa e parë. Mund ta ndiente lehtësisht se si ai po përpiqej të ngopej me aromën e saj, ndërkohë që ajo mundohej të mbante lotët e qëndronte atje si të ishte bërë prej porcelani. Ai e vuri re menjëherë këtë.

-Leira? -herën e dytë ishte diçka konfuze, një lloj pyetjeje e heshtur e cila nuk përmbante aspak entuziazëm dhe lumturi. Më tepër shqetësim, diçka të turbullt që as ai nuk ia vendoste dot emrin. Ndërsa ajo ishte penduar tashmë një mijë herë.

-Deklan, -fytyrën e saj e kaploi një mimikë e ftohtë, sikur befas të kishte mundur të zhdukte çdo emocion, ose të paktën të mos e lejonte të dilte në sipërfaqe.

-Çfarë ka ndodhur? Të bënë gjë ata? Pse je në këtë gjendje? E dija që s'duhet të të kisha lënë vetëm Leira! Pa shiko si të kanë katandisur.

Zgjati dorën për t'i rregulluar flokët, por ajo bëri një hap pas për ta ndaluar.

-Mos fol budallallëqe, Deklan. Duhet të kisha shkuar në Pontius kohë më parë, qëkur e gjitha kjo filloi. Atje kuptova se kush jam dhe cila është detyra ime, -fjalët i nxirrte si të ishin me grep ose si të ishte një fëmijë i vogël që kishte mësuar diçka përmendsh dhe të ishte detyruar ta citonte, gjë që e bënte shumë të vështirë për ta kuptuar.

-A nuk është kjo diçka e mirë? -pyeti duke shpresuar për një përgjigjje pozitive. Ajo pohoi me kokë.

-Është, shumë e mirë madje. Unë jam një e Dërguar, Deklan. Kam mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe. Është detyra ime, -i ktheu kurrizin, kështu do ta kishte më të thjeshtë, -t'i jap fund marrëdhënies sonë, -buzëqeshja në fytyrën e tij u zbeh menjëherë dhe ai kaloi pragun e derës për t'i dalë përballë.

-Nuk është koha për shaka tani idiote, jam shumë krenar për ty, -u mundua ta përqafonte, por ajo e shmangi menjëherë.

-Nuk ka asnjë shaka, -tha prerë. -Gjithçka përfundon këtu. Faleminderit që je kujdesur për mua gjatë gjithë kësaj kohe, por tani nuk kam më nevojë për ty. Tani e di se kush jam dhe ku përkas. Dhe ti nuk e ke vendin askund në jetën time. Je një qenie njerëzore që pate fatin të qëndroje pranë meje gjatë kësaj kohe, kaq, -nuk besonte dot asnjë fjalë që thoshte; çdo fjalë e bënte ta urrente veten më shumë. Pati fatin? Nuk do të konsideronte me fat asnjë person pranë saj; përkundrazi, ishte ajo që kishte patur fatin të njihte një njeri të tillë dhe të kishte dashurinë e tij.

-Do të më japësh llogari për refuzimin e përqafimit, sapo të mbarojë kjo shaka idiote, ta dish këtë gjë, -zërat e tij të brendshëm po luftonin keqas me njëri-tjetrin, ku nga njëra anë i thoshin se Leira e tij nuk do ta bënte kurrë këtë gjë dhe ishte thjesht duke u tallur, ndërkohë që nga ana tjetër fjalët e Kejlit e gërryenin përbrenda, por i luftonte dhe nuk donte t'i besonte. -Do të hyjmë brenda tani? Vërtet, po ia arrin qëllimit të më lodhësh.

E dinte mjaft mirë se me çfarë do të përballej që në fillim, por nuk kishte zgjidhje tjetër. Duhet të thoshte mijëra gënjeshtra që ta bënte të dukej si një e vërtetë. Ceresi kishte të drejtë, por dukej sikur Leira kurrë nuk do të mund të përgatitej mjaftueshëm për më të keqen e mundshme.

-Të lutem, pusho Deklan! -thirri duke u munduar të mos i lejonte lotët të shpërthenin. Mbylli veshët dhe filloi të tundte kokën si të donte të shkundte çdo mendim. -Si duhet të ta them ndryshe që ta kuptosh? Mori fund. Nuk dua t'ia di më për ty apo për çfarë kemi patur. Ti nuk je një nga ne dhe s'ke vend asgjëkundi. Nuk kam më nevojë për ty. Nuk dua të të shoh më kurrë. Dil nga jeta ime, Deklan. Dil dhe mos u kthe më! Ne kurrë nuk ishim lindur për njëri-tjetrin! -fërkoi fytyrën dhe mbylli sytë për të shmangur çdo kontakt me realitetin. Sepse në ato momente, të vetmen gjë që donte ishte të zhdukej nga gjithçka.

Ndërkohë, ai nuk mund ta perceptonte dot se çfarë ishte duke ndier. Nuk ishte njohur me diçka të tillë më parë. Çdo fjalë e saj i ngulej si thikë dhe ai vështronte se si plagosej pa bërë gjë për ta ndaluar. Ndiente më shumë se zhgënjim, diçka të ngjashme me tradhtinë, por më tepër se aq. Ajo situatë copëtonte pjesë nga ai në çdo sekondë që kalonte, derisa i formoi atë boshllëk të madh që i merrte frymën.

-Ti nuk mund ta bësh këtë, -vështrimi i tij ishte sa i zhgënjyer, aq edhe lutës e i varur në fijen e fundit. -Më thuaj që po tallesh dhe hyjmë brenda, të lutem. Nuk do të të mbaj inat për asgjë. Vetëm mos e vazhdo më këtë sepse vërtet po më mërzit, -por ajo ruajti qëndrimin e palëvizur e të heshtur kundrejt tij. E çfarë do t'i duhej ruajtja e Universit, kur bota po i shembej para syve?

-A kam ndopak rëndësi për ty Leira? -toni i tij ndryshoi rëndshëm si për t'iu përshtatur asaj situate të nderë.

-Deklan, të lutem! -tashmë lotët kishin marrë rrugën e tyre dhe nuk po përpiqej më t'i bënte t'i bindeshin. Aura e tij ishte e thyer dhe e dëmtuar në një mënyrë që e lëndonte dhe e vinte në faj edhe më tepër nga ç'ishte.

-Leira të lutem largohu që këtu, -sytë i mbante përtokë dhe zërin në një ton shumë të ulët, sikur kjo gjë të kishte ndodhur kohë më parë dhe ta kishte lodhur së tepërmi.

-Duhet ta bëja, -u mundua të justifikonte veten, edhe pse e dinte mjaft mirë që asnjë përpjekje nuk do e çonte gjëkundi.

-Leira largohu! -ishte përgjërim. Do të shkonte dhe do ta merrte dhimbjen me vete. Ndoshta do ta gëlltiste me kohën, ndoshta do ta bënte pjesë të saj e do mësohej me të, por e vetmja gjë që donte, ishte që ai një ditë ta kuptonte qëllimin e saj; ta kuptonte se edhe ai do të kishte bërë të njëjtën gjë në një situatë të tillë. Kështu nuk do të ndihej në faj.

Kur u largua, një pjesë të madhe të vetes e la atje. Pjesën që e plotësonte më tepër. Duart i ishin ftohur dhe thuajse nuk i ndiente, por as që e kishte vënë re. Ecte dhe si të mos i mjaftonin të gjitha, duhet të përballej edhe me shikimet kurioze të njerëzve që e përçmonin dhe e quanin të çmendur, duke pëshpëritur me njëri-tjetrin kushedi se çfarë. Sytë e saj ishin përhumbur në atë rrugë të cilën as që nuk e dinte, ndërkohë që në mendje i vinin si shkrepëtima kujtimet që kishte me të.

U kthjellua një moment për të parë rreth e rrotull. Liqeni i Bauronit me pamjen e të cilit u ndesh, iu duk së tepërmi si shpëtimi i vetëm. Lejoi ujin t'i prekte butësisht këmbët teksa ecte drejt thellësisë së tij. E ftohta që i përshkroi trupin i fali një kënaqësi të çuditshme, si të kishte patur nevojë për diçka të tillë kohë më parë. Dhe në momentin e parë që dallga tentoi ta merrte me vete, nuk luftoi aspak për të qëndruar, por e la trupin të bëhej pjesë e saj. Nuk dinte të notonte; ndoshta Deklani do t'ia kishte mësuar vitin që do të vinte, siç i kishte thënë. Por tashmë ajo gjë nuk i duhej. Donte vetëm të zhdukej, dhe të mos ndjente më asgjë. Ndoshta asgjëja do të ishte një ndjesi më e përshtatshme për të.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now