Më lër të qetë!

140 33 117
                                    

II

Ende e shokuar nga çfarë kisha dëshmuar, refuzova të haja supën e ngrohtë të mamit. Lajmet po më buçisnin në vesh dhe dukej sikur më zhurmonin si bletët brenda një koshereje. Më dukej sikur më fajësonin mua; unë isha aty, e dija ç'po ndodhte dhe nuk bëra asgjë. Thjesht ngriva. Ndoshta po t'i kisha lajmëruar të gjithë do të mund ta ndaloja vrasjen e vajzës së vogël të drejtoreshës. Por nuk e bëra. Tashmë më dukej sikur e vrava unë. Sepse edhe unë kisha një pjesë shumë të madhe të fajit. Ndihesha e lodhur, e pafuqishme dhe më dukej sikur nga çasti në çast do më hapej koka nga mendimet që po më mbysnin. Unë kisha të drejtë, vrasja e Elias nuk kishte për qëllim hakmarrjen. Kishim të bënim me një vrasës serial, një lloj psikopati që vriste fëmijët e vegjël. Asgjë nga ato që po ndodhnin nuk ishte rastësi.

-Ende të shokuar nga lajmi i vrasjes së shtatë vjeçares me iniciale G.H, autoritetet shprehen se një vrasës serial është duke bredhur i lirë në Roçester Hills. Në trupin e pajetë të viktimës, ashtu si në rastin e vrasjes së një jave më parë, nuk është gjetur asnjë gjurmë gishtërinjsh apo shenjë tjetër që t'ua bëjë autoriteteve kërkimin më të lehtë. E vetmja gjurmë që ky vrasës mizor ka lënë, është një melodi e çuditshme saksofoni që është luajtur në të dyja rastet. Autoritetet janë në pritje.

E hodha telekomandën në drejtim të ekranit të televizorit që po më acaronte tej mase, por moderatorja vazhdoi të fliste si të ma bënte për inat. Janë të pritje? Në pritje të çfarë? Të një vrasjeje tjetër? Dy fëmijë ishin vrarë në mjedise publike, dhe ata nuk po merrnin asnjë masë. Mami erdhi e shqetësuar pasi dëgjoi zhurmën e bërë nga telekomanda e hedhur përtokë.

-Qetësohu Rohana, po i bën shumë dëm vetes duke u marrë me këtë çështje.

-Si të qetësohem? -e dija që donte vetëm të mirën time, por ajo s'po më kuptonte. -Unë isha aty dhe kisha mundësinë të bëja diçka. Ndoshta mund ta ndaloja. Por nuk e bëra! Ajo vdiq! -simfonia e saksofonit po më zhurmonte brenda kokës dhe më sillte ndërmend të gjithë momentin e vrasjes në shkollë, panikun e nxënësve të tmerruar që s'dinin ç'të bënin dhe trupin e pajetë të vogëlushes përtokë. E irrituar nga zhurma rrëzova ambazhurin e vogël nga komoja përbri shtratit tim. Krisja e tij e bëri mamin të klithte por të paktën zhurma e padurueshme në kokën time kishte ndaluar.

-Rohana, ç'bëre kështu? -nuk doja të ishte dëshmitare e asaj gjendjeje, por nuk po e kontrolloja dot veten. Ai moment nuk më hiqej nga sytë, më dukej sikur ishte duke mu lutur të bëja diçka, ta ndaloja gjithë këtë, por ndihesha kaq e pafuqishme për të vepruar. Mami erdhi pranë meje dhe nisi të më fërkonte ballin për të më qetësuar. As ajo nuk dinte çfarë të bënte apo çfarë të thoshte, dhe nuk i vija faj.

-Hedeni do vijë të të marrë për pak, dëshiron t'i them që ke ndryshuar mendje? Nuk më dukesh mirë.

Hodha sytë jashtë dritares. Dielli kishte perënduar dhe për pak do errësohej plotësisht. Nëse qëndroja e mbyllur në dhomën time do të bëhesha më keq, do ta rimendoja çështjen edhe njëherë dhe do të çmendesha. Të dilja me Hedenin ndoshta do të më bënte të ndihesha më mirë.

-Jo, është më mirë po të marr pak ajër. Do bëhem gati tani, -mami më buzëqeshi lehtë dhe më pas doli nga dhoma. U ngrita dhe pashë veten në pasqyrë. Rrathët e syve më ishin bërë më të zinj se më parë dhe më dukej sikur gjatë asaj jave isha dobësuar shumë. Mund të ketë qenë edhe psikologjike. Kapa flokët një bisht lart dhe rrëmova nëpër rrobat që kisha hedhur mbi karrige për të gjetur diçka për të veshur, edhe pse nuk ishte kjo gjëja që më shqetësonte në ato momente.

Dëgjova zërin e Hedenit dhe zbrita me të shpejtë për ta takuar. Vura re se ishte duke folur me mamin për mua, kështu që ngadalësova hapin për t'i dëgjuar.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now