Një vrasës apo më shumë?

104 29 17
                                    

VII

E shtuna ka qenë gjithmonë dita ime e preferuar e javës. Qoftë për të pushuar, qoftë për t'u përgatitur për javën e ardhshme, është dita më e favorshme. Dhe për më tepër, në raste si ky imi, një e shtunë vlente shumë. Ishte pikërisht një e shtunë ajo që më duhej, pas një jave aq të gjatë dhe të papërballueshme si ajo që sapo kishte kaluar. Ende nuk e kisha marrë veten nga e gjitha dhe ndonjëherë shpresoja akoma se e gjitha do të ishte një ëndërr.

Ora e kishte kaluar tetën por isha zgjuar kohë më parë. Për të qenë më e saktë, nuk kisha fjetur aspak, sado që isha munduar të qetësohesha. Në fillim Roçester Hills shokohet nga vrasja e vajzës së pasanikëve; më vonë kuptohet që kemi të bëjmë me një vrasës serial. Ndërsa tani kishim edhe emra. Asnjë të verifikuar, por tre të dyshuar. Kjo e fundit supozohej të më lehtësonte, por në të vërtetë, ishte diçka që nuk e gëlltitja dot shpejt. Gjithmonë kam dëgjuar se e veçanta tek vrasësit serialë, është se nuk të lënë aspak përshtypje se janë të tillë, dhe këtë e kisha imagjinuar më ndryshe nga se si ndihet në realitet. Si mund të jetë vrasës serial një profesor? Një studente që nuk i ka mbushur ende tetëmbëdhjetë? Një pjesë e konsiderueshme imja nuk donte të besonte në asnjë nga këto dyshime që tingëllonin si fantazi të trilluara. Por vrasja e Elias nuk ishte fantazi. Vrasja e vajzës së drejtoreshës nuk ishte diçka e trilluar. Vrasësi ishte i vërtetë, doja apo s'doja ta pranoja.

Do të takohesha sërish me Hedenin dhe Robertin në nëntë e gjysmë për të hulumtuar mbi të dyshuarit tanë. Më duhet ta pranoj se në gjithë këtë çështje, Roberti ishte një ndihmë shumë e madhe. Pavarësisht se kisha më pak se një orë kohë, nuk kisha dalë ende nga dhoma. Nuk ia hiqja dot sytë shkarravinave që kisha bërë në bllok, edhe pse ishin të gjitha pa kuptim. Çdo gjë kishte ndodhur njëra pas tjetrës. Në fillim vritet Elia Tantler, vajza e familjes së pasur të Tantlerëve, në shtatëmbëdhjetë tetor. Mendohet se vrasja ka patur si motiv hakmarrjen. Në njëzet e pesë, vritet vajza e drejtoreshës në gjimnazin e Roçester Hills. Jemi në momentin kur lindin dyshimet e para se kemi të bëjmë me vrasje seriale. Nga filmimet e kamerave dalin tre të dyshuar. Çfarë motivi mund t'i bëjë ata që të vrasin në atë mënyrë dy vajza të vogla?

Të njëjtat gjëra vërtita në mendje disa herë rradhazi derisa mu dha mundësia që t'i shprehja me zë të lartë. Kur arritëm në polici, ashtu si më parë Roberti ishte duke na pritur, dhe në një tabelë të bardhë kishte krijuar edhe ai një pistë dyshimi të ngjashme me atë në bllokun tim.

-Çështja është shumë e ngatërruar, në dukje e pazgjidhshme, -drejtoi gishtin tregues nga tabela. -Ashtu siç mund ta keni dëgjuar edhe më parë, zakonisht detektivët dhe njerëzit që merren me investigime, përdorin fije të kuqe për çështje të pazgjidhura dhe fije jeshile për pyetjet që marrin përgjigje. Këtë mënyrë përdor edhe unë, -tabela e tij nuk kishte asnjë fije të gjelbër në të. Më erdhi për të qeshur, edhe pse deri diku ky fakt ishte tragjik.

-Shiko, -ndërhyri kur e vuri re reagimin tim, -të paktën kemi disa baza. Dhe bazat tona janë, -nisi të numëronte duke treguar me gisht në çdo fotografi, -Tantlerët, drejtoresha, viktimat, gjimnazi i Roçester Hills, Megani, Shasta dhe Parkeri.

-Asgjë përveç vdekjes së viktimave nuk është bazë e sigurt. Dhe nga vdekjet s'ka asnjë gjurmë, nëse nuk e kam gabim, -fjalët e Hedenit tingëllonin çuditshëm. Sikur papritur t'i kishte humbur të gjitha shpresat se vrasësi do të gjendej, dhe kjo gjë më shqetësoi.

-Ka ndonjë gjë që nuk shkon? -e pyeta me zë të ulët, gati të heshtur.

-Gjithçka mirë, -u përgjigj shkurt dhe buzëqeshi lehtë.

-Siç po thosha, -Roberti na tërhoqi vëmendjen, -që të hetojmë mbi një vrasës potencial duhet të mendojmë si një i tillë. Është pikërisht ajo që the ti, Rohana. Çfarë mund t'i shtyjë këta njerëz të ndërmarrin krime aq të rënda? Që të fillojmë nga e para, çfarë dimë ne për këta të dyshuar? Si duket jeta e tyre nga një sy sipërfaqësor?

-Nuk e di, -fola nxitimthi si për t'iu shmangur pyetjes, edhe pse e dija që s'duhet ta bëja. Nuk doja të thosha diçka të gabuar dhe në ato momente po ndihesha sikur po merresha në pyetje.
-Nuk di shumë. Xhoakuin Parkeri është profesor i shkencave sociale. Mua më jep lëndën e psikologjisë. Mbahet ndër profesorët më të zgjuar të shkollës dhe ka bërë edhe disa doktorime, por nga ana tjetër është shumë i çuditshëm. Megjithatë, profesori shpërndan pozitivitet kurdoherë. Nuk duket aspak njeri i ligë. Duket se është shumë i përkushtuar ndaj punës së tij.

-Mos harro, Rohana. Kjo është ajo që thuhet gjithmonë në përshkrimet e vrasësve serialë.

-E kuptoj, -thashë me gjysmë zëri, duke uruar të mos ma kishte thënë diçka të tillë. -E çuditshmja mund të jetë ose gjenetike, ose nga, siç thonë të tjerët, zgjuarësia e tepërt. Dua të them se edhe e bija, Megani, të përcjell të njëjtat ndjesi. Nuk flet kurrë; askush nuk e di se çfarë është duke kaluar në mendjen e saj. Megani mund të ketë shumë karakteristika që u ngjajnë vrasësve serialë, edhe pse unë s'dua ta pranoj. Por sërish, edhe ajo duket si nga ata njerëz që nuk i bëjnë dot keq asnjë milingone.

-Megani është në klasë me ty?

-Në klasë paralele, por unë dhe Hedeni jemi bashkë me të në matematikën e avancuar.

-Mos ia ndaj sytë, atëherë, -tunda kokën në shenjë miratimi.

-Po Shasta është ajo e çmendura? -pyeti Hedeni dhe në mendje më erdhi dita që Shasta na ngriu gjakun në zyrën e drejtoreshës. Dhe po, "e çmendura" në shumicën e rasteve ishte një mbiemër që i përshtatej.

-Ajo është, -e vura re menjëherë reagimin e tij si të donte të thoshte në heshtje që vrasësi u gjet. Por do të doja të ishte kaq e thjeshtë. -Shasta është një person shumë i dashur për disa dhe shumë i urryer për të tjerë. Unë futem te kategoria e dytë. Shasta duket se e ka gjithë brendësinë e saj të mbushur me urrejtje dhe negativitet dhe sikur mundohet gjatë gjithë kohës ta injektojë atë sa më shumë të mundet tek të tjerët. Ajo do të bënte gjithçka që t'i shihte të tjerët të vuanin, vetëm për të kënaqur egon e saj. Thonë se dikur ka shpërndarë foto nudo të një vajze tjetër në shkollë vetëm për ta poshtëruar. Disa të tjerë thonë se ajo regjistron çdo bisedë në telefon, që t'i përdorë më vonë kundër atyre që kanë folur. Për Shastën jam e bindur që në mos psikopate, një problem e ka. Dhe të gjithë thonë se është mirë që t'i rrish sa më larg të jetë e mundur. Tani që po e mendoj, Shasta ka vërtet potencial për të qenë vrasëse seriale.

Roberti kroi mjekrën konfuz.

-Nuk e dija që ekzistonin njerëz të tillë.

-Më beso, as unë, -i thashë. -Por nga ana tjetër, Shasta është ai lloj njeriu që poston kafshë të lezetshme dhe fëmijë të vegjël në rrjetet e saj. A ka kuptim që ajo të vrasë fëmijë?

-Natyrisht që po. Shumica e vrasësve serialë janë të fiksuar me viktimat e tyre.

Më pëlqente mënyra se si Roberti mendonte. Ishte mjaft i aftë në punën e tij dhe unë po e shihja vetëm tani. Dhe njësoj si vite më parë kur armët tona ishin lodra dhe armiqtë tanë ishin pemët, ai ishte gjithmonë personi që gjente zgjidhje dhe na shpëtonte nga situata. Edhe pse vite më vonë, tani jemi në një gjendje aspak të ngjashme, aspak argëtuese, dhe lojtari i vetëm është vrasësi pa një identitet.

-Pyetja është kjo: Çfarë i shtyn këta njerëz të vrasin fëmijë të vegjël? Viktimat e vrasësve serialë në përgjithësi kanë një të përbashkët e cila lidhet me motivin e autorit. Elia dhe vajza e drejtoreshës janë të dyja nën dhjetë vjeç.

-Ishin, -korrigjoi Hedeni. Robertit siç dukej nuk i erdhi mirë dhe vazhdoi fjalën.

-Deri tani, kjo është e vetmja e përbashkët, që do të thotë se ky është motivi.

-Nuk është e vetmja, -në ato momente më erdhi në mendje diçka që mendova se do të ishte e rëndësishme. -Familjet e të dyja viktimave janë familje me reputacion dhe pasuri.

-Ky është një këndvështrim që nuk e kisha menduar, por vlen të përmendet. Bravo, Rohana, -mori një lapustil dhe shënoi mendimin tim te tabela e varur në mur. Hedeni buzëqeshi dhe më goditi lehtë në shpatulla.

-Si përfundim të tre mbeten të dyshuar, -Hedeni kishte të drejtë. Deri diku, të tre kishin premisa për të qenë vrasës. Ose ndoshta në një moment si ai, neve s'na mbetej asgjë tjetër veçse të dyshonim te çdokush. -Të mos humbasim kohë, -vazhdoi ai. -Kushdo qoftë vrasësi i vajzës së drejtoreshës, është njëkohësisht edhe vrasësi i Elia Tantlerit. Duhet ta nisim nga fillimi. Çfarë po bënin Parkeri, Megani dhe Shasta natën e vrasjes së Elias?

Melodi errësireWhere stories live. Discover now