III
Rrugët e ngrira në atë mes tetori të kobshëm s'bënin gjë tjetër veçse paralajmëronin se dimri i këtij viti do të ishte me të vërtetë i vështirë për t'u kaluar. Dhe mua nuk më nevojiteshin pikërisht ato rrugë të acarta për të ma treguar. Me ngjarjet që kishin ndodhur, e dija që nuk do të gjeja paqe për një kohë të gjatë, ndoshta gjithë dimrin e vështirë. Ngrita kokën lart. Ndihesha sikur natyra qëllimisht e përshtaste ngjyrën e qiellit me gjendjen time, si për ta rënduar dinakërisht atë. Qielli ishte gri, por frynte një erë e ftohtë dhe shi nuk binte. E urreja atë lloj moti, dhe ndoshta natyra e dinte.
Si për çudinë time, apo si për të mu kthyer e gjithë bota kundër, në shkollë mbizotëruese ishin asgjë tjetër veç thashethemeve të njerëzve të ngurtë e moskokëçarës, për fëmijën e vogël që humbi jetën. Te dera kryesore dhe te porta hyrëse qëndronin disa policë që krijonin një situatë qesharake, të cilët më në fund ishin kujtuar se në një institucion arsimor është parësore siguria. Drejtoresha mungonte, s'kishte dyshime. Bashkë me të edhe nxënës të tjerë. Deri tani objektivat ishin fëmijë të vegjël, por të gjithëve u dhimbsej jeta dhe nuk do ta rrezikonin për një ditë shkolle.
Orën e parë kisha psikologji. Duke mos humbur kohë nëpër hallakatjet e dollapeve e budalliqe të tjera si këto, hyra menjëherë në klasë, edhe pse mësimi donte edhe goxha të fillonte. Klasa ishte bosh, në vetmi totale. Dhe ndonjëherë, më dukej e habitshme se si mund të ndryshonte në mënyrë aq të menjëhershme një mjedis i tillë; nga një mjedis i ngushtë, i zhurmshëm e plot lëvizje, në një mjedis të heshtur, të vetëm, e çuditërisht të madh. E dalëngadalë madhështia e saj u zbeh, vendi u zvogëlua e zhurma sërish zuri vend në fronin e saj. Jo për shumë kohë. Për habi, të gjithë pushonin së foluri, si të mos kishin më gojë, sikur t'i harronin fjalët, në momentin që mësuesi hynte në klasë.
Xhoakuin Parker, asnjëherë nuk e kishte ngritur zërin gjatë mësimit, por hija e rëndë e tij dukej sikur mbulonte klasën që në hapat e parë. Ishte i qetë, si të kishte vendosur një rregull për të qenë i tillë, e kësisoj këtë farë rregulli duhet ta zbatonim të gjithë me rradhë. Shpesh përshkruhej si një njeri shumë i zgjuar, por nga ana tjetër i çuditshëm. S'kisha as dy muaj që bëja mësim me të, dhe kisha rënë shumë shpejt dakord me këto mendime.
Si çdo vit në shkollën tonë regjistrat do të vinin shumë vonë, edhe pse gjoja ishim në një shkollë me rregull e me emër. Në fund të fundit, jetonim në Roçesterin kodrinor. Duke qenë mjaft i çuditshëm, profesor Parkeri kishte një fiksim po aq të pashpjegueshëm për rregullin, i cili shkonte aq larg sa atë ditë ishte duke u munduar të mbështillte në mënyrë perfekte me një letër ngjitëse transparente regjistrin e tij, duke anashkaluar orën e mësimit. Qëndrimi në bangë të parë me Izin më bënte të shihja deri në detaje veprimet e tij, ku me saktësi maksimale priste copat e panevojshme të letrës dhe i linte mënjanë duke i grumbulluar, sikur t'i duheshin më vonë për diçka tjetër. Si e shkëputi letrën nga pjesa e saj që mbante anën ngjitëse, vendosi me përpikëri në mënyrë vertikale regjistrin mbi të. Dukej sikur me anë të një vizoreje të padukshme, la të dyja pjesët e letrës në anët e regjistrit të barabarta deri në përsosmëri. Priti disa sekonda, me sytë e ngulitur në letër. E në një moment që ndoshta as ai nuk e priste, lëshoi regjistrin dhe e la të përplasej në bangë, duke bërë një zhurmë që zgjoi Teon në bangën e fundit që gjithmonë flinte, dhe që na trembi e na bëri të hidhemi përpjetë mua dhe Izin. Ndoshta ai e vuri re që ne po e sodisnim me aq vëmendje. Buzëqeshi i kënaqur, si të kishte arritur diçka të rëndësishme. Pasi ktheu anët e ngjitëses në njërin nga kapakët, ishte momenti i përplasjes së kapakut tjetër. Kjo përplasje erdhi më butë, ose ndoshta na u duk e tillë sepse e prisnim. Pasi ktheu anët edhe nga ky kapak dhe mendoi se kishte përfunduar, ngrysi vetullat. Vuri re se disa flluska të vogla ajri ishin krijuar, sepse ngjitësi nuk ishte përputhur mirë në kapak. Shkoi në katedrën e tij dhe kërkoi për një kapëse letrash prej teli duke bërë atë zhurmën acaruese të sendeve të vogla metalike që godasin njëra-tjetrën. Situata u bë mjaft qesharake kur, si të ishte gjëja më normale në botë, ai nisi të shponte vrima të vogla në flluskat e krijuara, në mënyrë që të nxirrte ajrin. Ishte një veprim i zgjuar, por që shkaktoi të qeshura në më shumë se gjysmën e klasës. Edhe ai e vuri re dhe ngriti kokën.
-Kush j'ua mbështjell librat? -tha dhe më pas tundi kokën duke qeshur. U ktheva të shihja nëse ndonjëri nga ne i kishte librat e mbështjellë, por siç ma priste mendja, të gjithë kishim treguar pakujdesinë dhe mosinteresimin tonë për shkollën në librat e zhveshur dhe kapakët e grisur, thuajse të hequr. Dhe ishte vetëm muaji i parë. Izi nuk kishte asnjë gërvishtje të vetme në librin e saj, por as ajo nuk e kishte të mbështjellë. Ishte si një lloj pakti i pashkruar që ishte vendosur kohë më parë për gjimnazet, e që askush nuk guxonte ta shkelte.
-S'kisha dyshime! -tha dhe uli sërish kokën duke vazhduar me shpimin e flluskave. Ndoshta në kokë po bluante të njëjtin mendim si unë. Puna e tij përngjante shumë me përsosmërinë. Pasi bëri ç'mundi me ato hapësirat e ajrit aq të padëshiruara, më në fund shkëputi regjistrin nga dora, dhe zhubrosi me inat letrën që kishte shkëputur pak më parë me aq kujdes nga ngjitësi. Një tjetër veprim i papritur. Dukej sikur ky veprim u krye nga nënvetëdija e tij. Sikur Xhoakuin Parkeri i vërtetë do ta paloste letrën e do ta ruante për diçka tjetër, në qetësi totale dhe me kujdes maksimal. Dukej sikur zhubrosja me zhurmë e letrës arriti kulmin e lodhjes së tij, inatit dhe mundit të tij. Si të ishte ai veprim shlyerja e të gjithës. Ishte i vetmi veprim i pasaktë që bëri.
Pulita sytë dhe kuptova se isha përfshirë aq shumë në mbështjelljen e një regjistri, saqë për herë të parë më doli nga mendja për disa momente ngjarja makabër që s'më linte të flija netëve. Nxorra telefonin për të parë orën. Kishin kaluar më tepër se dyzet minuta.
-Atëherë, Rohana Grifin, -ktheva sytë në drejtim të tij. Edhe ai ishte duke më parë mua. Priste një përgjigjje, ndërkohë që mua mu desh një kohë reagimi më e gjatë se normalja për të dhënë një të tillë.
-Po, -thashë në gjysëm zëri. Shpresoja shumë të mos e zgjaste marrjen në pyetje për mësimin e ri. Kisha ditë që nuk kisha hapur asnjë libër dhe nuk e dija se sa mund të mbaja mend nga shpjegimi i dy javëve më parë.
-Pse nuk e ke librin? -ula kokën për tu përballur me bangën boshe të shkarravitur kushedi që kur. Doja që thjesht të kisha harruar ta nxirrja nga çanta, por e vërteta ishte se në çantën time qëndronin ende librat e së hënës, të cilët, as që e kisha marrë guximin t'i ndërroja.
-E kam harruar, -nuk kisha as kohë dhe as nerva të mjaftueshme për të gjetur një justifikim ndoshta më të përshtatshëm. Por të paktën shpresoja të vlerësohesha për sinqeritetin, edhe pse nëpër shkolla në fakt, të mësojnë të kundërtën.
-Pra, nuk je përgatitur për sot? -zgjodha ta mohoj diçka të tillë. Tek e fundit, marrja e librit nuk do të thoshte përgatitje. Nuk e dija se ku do të më çonte e gjitha kjo, por diçka më thoshte se mund t'ia dilja mbanë edhe pa libër.
-Dua të më flasësh pak për mësimin e kaluar, pra çfarë mban mend ti, meqenëse nuk mendoj se ke mësuar, rreth çështjeve të së gabuarës sipas psikologjisë, së drejtës, dhe ndjenjës së fajit, -kjo e fundit mu duk sikur shembi tavanin mbi kokën time, duke kumbuar si jehonë nga zëri i tij i thellë. Ndoshta po shihja halucinacione. Asgjë nuk më kujtonte të kishim marrë një mësim rreth kësaj, ose ndoshta dy javë më parë as që më shkonte mendja ta mendoja si diçka tjetër veçse një mësim shtesë për të të humbur kohën. Ula kokën. "Ndjenja e fajit", e shkruar me shkronja të mëdha e të theksuara në librin e psikologjisë së Izit që qëndronte hapur, ishte e para gjë që mundën të kapnin sytë e mi.
-Pra, që ta bëj më të qartë zonjushë Grifin, si mund të shpjegohet faji si koncept? Ç'lidhje ka me të drejtën a të gabuarën, dhe si ndikon faji në ndërgjegjjen e njeriut? -se si ndikonte faji në gjendjen e njeriut e dija fare mirë, vetëm se në ato momente doja vetëm të zhdukesha e të largohesha nga ajo fjalë që po më ndiqte ngado. E ndërkaq koha kalonte pa asnjë përgjigje nga ana ime.
-Izolda, ndihmoje pak shoqen, -Izi pohoi me kokë dhe hodhi një vështrim të mbushur me keqardhje drejt meje. Ajo e dinte fare mirë se ç'po kaloja.
-Faji është një gjendje emocionale ku ne përjetojmë konflikt me vetveten, kur kemi bërë diçka që ne besojmë se nuk duhet ta kishim bërë, ose anasjelltas, pra kur nuk kemi bërë diçka që besojmë se duhet ta kishim bërë. Kjo mund të shkaktojë një gjendje apo ndjenjë e cila nuk largohet lehtë dhe mund të jetë e vështirë për t'u përballuar, -çdo fjalë e saj më shponte si thikë duke ma bërë të pamundur të dëgjoja më tepër. Pa i thënë asgjë askujt, dhe pa marrë leje, dola me nxitim nga klasa. Frymëmarrja më ishte shpejtuar dhe ndihesha sikur mezi mund të merrja frymë. Duhet të veproja shpejt, ose përndryshe ajo ndjenjë nuk do të më linte asnjëherë të qetë.
YOU ARE READING
Melodi errësire
Misterio / SuspensoNjë tragjedi e frikshme që i ndodh një familjeje në të shkuarën, do të shkaktojë që vite më vonë, Roçester Hills të përfshihet nga një masakër e vazhdueshme pa asnjë të dyshuar. Disa vrasje seriale të herëpashershme do të vënë në lëvizje policinë dh...