Kaos dhe mister

79 27 14
                                    

VIII

Atë natë nuk i hoqa sytë nga laptopi. Kishte kaluar mesnata por nuk më flihej fare. Kisha arritur të siguroja disa informacione rreth viktimave dhe të dyshuarve nga interneti, por që asnjë nuk më dukej e dobishme. Për familjen Tantler kishte me bollëk, duke filluar nga pasuria vjetore, te aktivitetet e bamirësisë apo tenderat e kompanive fantazmë. Kishin pasur konflikte të vazhdueshme me disa familje të tjera, por që e kishin bazën në Uashington. Vetë Tantlerët qëndronin në Detroit ndaj nuk besoja se ajo puna e hakmarrjes qëndronte ende si mundësi. Nga ana tjetër, për familjen e drejtoreshës nuk kishte ndonjë gjë kushedi, përveç disa fotove të publikuara nga pjesëmarrja e tyre në disa aktivitete shkollore. E njëjta gjë edhe për Parkerin, çdo gjë e shkruar rreth tij kishte të bënte me çështje akademike dhe nuk na vinin në ndihmë. Ndërsa për Meganin nuk gjeja dot asgjë. Edhe pse kërkova kudo, ajo nuk përmendej asgjëkundi, madje as në artikujt e shkruar për familjen e Xhoakuin Parkerit. Si të mos ekzistonte fare, ose në versionin më të mirë, sikur të ishte mbrojtur në mënyrë të përsosur nga bota kibernetike.

Nuk e mbaj mend mirë në pashë gjë tjetër, pasi mu ngatërrua realiteti me ëndrrat dhe e gjeta veten duke fjetur në tavolinën e shkrimit. Hapa sytë dhe fytyra e parë me të cilën u përballa ishte e babit.

-Pa shiko, pa shiko, ora paska shkuar dhjetë dhe Rohana qenka në gjumë. Mos duhet të flesh gjithmonë në karrige që ta bësh gjumin mirë? -qeshi dhe u afrua pranë meje.

-Ose ndoshta duhet të fle pas orës tre, -thashë dhe iu bashkova së qeshurës së tij.

-Me çfarë po merresh? -afroi kokën te laptopi që qëndronte ndezur dhe ndryshoi menjëherë çehren në fytyrë. -Rohana, të kam thënë të mos merresh me këtë çështje.

Ula kokën për të parë çfarë ishte shkruar. Ditëlindja e Elia Tantlerit në Roçester Hills. Nuk mbaja mend asgjë.

-Nuk e kuptoj si mund të jesh kaq i qetë, -i thashë.

-Nuk jam, përkundrazi, -u mbrojt ai, -por unë nuk bëj dot asgjë. Ti nuk bën dot asgjë. Ka të tjerë që merren me këto punë, Rohana.

-E cilët janë të tjerët? -e dija që do të dilte në shtegun që doja.

-Policia, detektivët...

-Është Roberti, -e ndërpreva. -Robert Hansen është sherifi i Roçester Hills dhe ai që merret me këtë çështje.

-Djali i Benetonit? -arrita ta dalloja habinë në sytë e tij? -Kur u rrit ai?

-Nuk e di, -e anashkalova. -Rëndësi ka që ai më ka lejuar të marr pjesë në zgjidhjen e çështjes, kështu që çdo gjë është në rregull.

-Po shkoj t'i kujtoj pak atij djali rregulloren që duhet të zbatojë. Këta fëmijët e sotëm...

-Babi! -po ma bënte më të vështirë seç duhej, por nuk doja të punoja fshehurazi edhe në shtëpinë time.

-Shiko Rohana, -ndryshoi zërin në një ton më serioz, -jam i shqetësuar për ty. Nuk dua të të ndodhë gjë. Çfarë s'po dëgjojmë këto ditë dhe s'dimë ç'të mendojmë më parë.

-Nuk më gjen gjë. Por dua të më kuptosh, -ai tundi kokën në dyshim. Ndoshta isha vërtet e aftë në bindjen e të tjerëve.

-Pa më trego një herë, çfarë po përpiqesh të bësh? -tërhoqi një karrige dhe u ul pranë meje.

-As vetë nuk e di, -i thashë. -Mos pyet si, sepse pak a shumë nuk ka kuptim, por kemi gjetur tre të dyshuar. Dy vajza në klasë paralele me klasën time dhe profesori im i psikologjisë.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now