Aty ku filloi e gjitha

44 25 9
                                    

XIII

Tre javë më parë

E dinte që të pastronte shtëpinë me themel pas një dite aq të lodhshme në shkollë nuk ishte ide e mirë, por nuk e dinte se sa keq do të shkonte. E heshtur, e mbërthyer në një qetësi vdekjeje, me sytë e ngulur në radion e vjetër dhe fotot që ndodheshin në atë kuti kujtimesh, nuk do ta mendonte kurrë se ajo ishte gjëja që do të gjente atë ditë. Nuk mundi të rezistonte; pa e marrë parasysh se ku do ta çonte një veprim i tillë, vendosi gishtat delikatë mbi buton dhe vendosi të dëgjonte melodinë e kobshme, melodinë që do ta kthente gjashtë vite pas.

21 tetor, 2016
Ndërsa muzika i jepte gjithë sallës një hijeshi nostalgjike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, fustani i saj në një të kuqe të ndezur pa asnjë dyshim tërhiqte gjithë vëmendjen dhe shpallte qartë fitoren e tij. Edhe pse gati në të dyzetat, ajo asnjëherë nuk e kishte humbur sharmin dhe elegancën me të cilën rrëmbente zemrat e të gjithëve.

-Pra, kështu ia rrëmbeve zemrën dhe tët shoqi? - në sallë dëgjoheshin vetëm të qeshurat e tyre. Gotat me shampanjë trokiteshin, rrëkëlleheshin, shndërrisnin në duart e çdo pasaniku të ftuar në atë mbrëmje, njësoj siç shndërrisnin bizhutë që kushedi se sa shtrenjtë kushtonin në qafat e tyre.

-E mahnitshme kjo mbrëmje, më pëlqen kaq shumë atmosfera. Dhe muzika është e mrekullueshme. Tipike e xhazit klasik të Nju Orleansit të viteve 1800-1900.

-Jo aq e mrekullueshme sa ti sot, -ajo buzëqeshi dhe ktheu edhe njëherë gotën me shampanjë.

-Ku janë vajzat?

Pavarësisht se në çdo tavolinë biseda ishte e ndryshme, dhe ajo tërësi bisedash gumëzhinte në ajër si një koshere e madhe bletësh, muzika ishte ende më e lartë. Violinçelat dhe saksofonët ndoshta mund të dëgjoheshin edhe blloqe më tutje, ndoshta edhe pse në periferi, dëgjoheshin mjaftueshëm për t'ua prishur gjumin disa të moshuarve në rrugën e pestë. E megjithatë, fjalët që mundoheshin të thuheshin më heshtur, ishin ato që veshi i kapte më lehtë.

-Ndoshta nuk ishte ide e mirë të vinim këtu, a i dëgjon se çfarë thonë të gjithë nëpër dhëmbë? - por ajo kishte pirë shumë shampanjë për të dëgjuar përshpëritjet e njerëzve xhelozë që kishin ardhur në atë mbrëmje.

-Xhelozi, i dashur. Ata e dinë që nuk do e arrijnë dot kurrë pasurinë që ka ndërtuar Katerina me të shoqin dhe prandaj flasin. Se janë ziliqarë. Të njëjtën gjë thonë edhe për ne. Saherë i kam takuar Paloma Klarkun dhe Ema Stenlin në kafe, më shihnin sikur donin që të më binte tavani mbi kokë. Kështu janë klasa mesatare, xhelozë për klasat sipër tyre, - pija nuk e linte të mendohej shumë për fjalët që thoshte, dhe as të dëgjonte.

-Ti nuk po i dëgjon se ç'thonë. Që kjo pasuria e kësaj shoqes tënde është e paligjshme dhe këta janë marrë me lloj lloj aktivitetesh të pisëta.

-Qetësohu i dashur, - i vuri dorën në mjekër duke u munduar ta shihte në sy. -Katerina gjithë këto vite nuk më ka përmendur asnjëherë nga këto gjëra. Po të ekzistonte diçka e tillë do të ma kishte thënë, siç më ka thënë që e tradhëton i shoqi me një shërbëtore. Jam shoqja e saj më e mirë. Ku janë vajzat?

Ai vendosi të mos e hapte më këtë temë dhe hodhi sytë përreth në kërkim të së bijave.

-Atje, po kërcejnë të dyja.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now