VI

58 21 48
                                    

"Ka gjithmonë njëfarë marrëzie në dashuri, siç ka gjithmonë njëfarë arsyeje në marrëzi"
Frederiche Nietzsche

Nuk bënte shumë ftohtë. Vivieni kishte marrë pak minuta pushim përpara se t'i rikthehej provave të shfaqjes Goldin. Rrinte ulur në një nga tavolinat e jashtme të Uistëllit, lokalit të vogël përballë studios së provave, duke pritur për të bërë porosinë. Frynte pak erë dhe i skuqte hundën, por ajo kishte nevojë për atë freski që ta sillte në vete. Ishte stresuar më shumë seç duhej për këtë shfaqje, por ndonjëherë mendonte se nuk po bënte mjaftueshëm. Nuk ishte ndier ndonjëherë kështu, të paktën, jo që prej shumë kohësh. Edhe pse ishte e lodhur, donte që çdo gjë me shfaqjen të shkonte në mënyrë të përkryer.

-Të zakonshmen? -pyeti kamarieri Teo ndërkohë që pastronte tavolinën rrumbullake. Vivieni pohoi me kokë.

-Kristofer, mos vrapo kaq shumë, kam shumë çanta dhe nuk të ndjek dot.

Vivieni ktheu kokën menjëherë sa dëgjoi fjalën e parë, dhe vuri re një grua të shkurtër, ndoshta moshatare me të, që i thërriste një djali të vogël që vraponte para saj. Ndoshta do të ishte i biri. Një hamendësim i tillë i kujtoi se sa shpejt po iknin vitet, ndërkohë që në jetën e saj nuk po ndryshonte gjë.

Emri i djalit të vogël i kujtoi natën e javës së kaluar, në apartamentin e Rrugës me Bredha. Kishte ditë që nuk e kishte çuar nëpër mend emrin e tij. Këto kohë kishte qenë aq e zënë sa nuk i kishte dalë koha të mendonte për gjë tjetër veç shfaqjes. Madje kishte tre-katër ditë që nuk kishte kthyer asnjë gotë. Gota e xhinit që i solli Teo disa çaste më parë do të ishte e para.

Edhe pse jeta e lodhte në çdo sekondë, kërcimi për të do të mbetej gjithmonë terapi, një formë arratisjeje ku të mos e gjente askush, edhe pse e ndodhur para mijëra vështrimeve. Një formë çlodhjeje, çlirimi, rehatie. Asgjë që kishte ndryshuar në jetën e saj nuk e kishte bërë që ta donte kërcimin sado më pak. Përkundrazi, vitet e fundit e kishin bërë t'ia ndiente nevojën më shumë se kurrë. E dinte se ajo kishte lindur për atë talent. Ishte e vetmja gjë që e bënte të ndihej e plotësuar.

Hapi celularin në kërkim të artikujve të rinj që kishin shkruar për shfaqjen. Edhe pse kërkonte me këmbëngulje ta fluturonte mendjen gjetiu, nuk i vinte dot fre vetes.

-Goldin, shfaqja e artë e vitit; Një tjetër vit, një tjetër shfaqje emocionuese; Vivien Goldin u vë vulën Festave të Fundvitit me shfaqjen e saj.

Titujt ishin të ndryshëm por të gjithë shprehnin të njëjtën gjë: madhështinë shfaqjes së saj. Një madhështi që e zhyste në vetmi. Hodhi sytë në datën e shënuar në qoshe të ekranit. Nëntëmbëdhjetë dhjetor. Edhe pak dhe afronin Krishtlindjet. Një tjetër Krishtlindje e vetmuar për të.

Mendimet e tilla po ia bënin të pamundur të mos kërkonte edhe një gotë tjetër, dhe ndoshta edhe një tjetër pas asaj, por u ngrit ndërkohë që ishte ende e vetëdijshme, pagoi dhe kaloi trotuarin për t'u rikthyer në studio. E nesërmja do të ishte histori.

"Është bukur të shohësh sytë e saj të kaftë, kur ata shohin të mitë, ajo më sheh me admirim, e unë e shoh me dashuri."

-Ç'janë këto idiotësira! S'më besohet që po vendos emrin tim në këtë pirg zhgarravinash, -Kristoferi mbante në dorë librin e botuar, gati për të nesërmen. Kishte përbuzur çdo fjalë të atij libri, por i botuar dukej edhe më keq.

Pas tingujve të skenësWhere stories live. Discover now