VIII

71 20 30
                                    

"A është dashuria kjo nevojë e ngatërruar për të të patur pranë gjithë kohës? A është kjo siguri që ndiej në heshtjen tonë? A është kjo ndjenjë përkatësie, plotësimi?"
Chimamanda Ngozi Adichie

Disa minuta përpara se shfaqja të fillonte, jashtë kishte mbetur vetëm Kristoferi dhe nja pesë a gjashtë të tjerë që iu kërkonin punonjësve të kontrollonin edhe njëherë se mos ndoshta kishte mbetur ndonjë vend i lirë ose ndonjë nga spektatorët kishte hequr dorë dhe nuk kishte vendosur të vinte në shfaqje. Ndërsa Kristoferi kishte zgjedhur të mbante distancë, ende i pasigurt nëse do të përpiqej ende të hynte apo do të hiqte dorë përfundimisht, kur u kujtua se ajo shfaqje do të ishte eventi ku Kimberli do të njoftonte botimin e librit të tij të ri. Edhe pse ndër gjërat kryesore që kishte patur në mendje, atë mëngjes e kishte harruar fare.

-Më vjen keq, por i vetmi vend i lirë është numri gjashtëmbëdhjetë, dhe duhet të presim deri sa të fillojë shfaqja për të parë nëse ai do të vijë. Nëse jo, mund ta blini biletën e cila kushton njëqind e pesëdhjetë e pesë dollarë, -dëgjoi rojën teksa iu shpjegonte me durim qytetarëve të mbetur jashtë.

-Njëqind e pesëdhjetë e pesë?! -u dëgjuan disa zëra njëherazi, disa me ton habie dhe disa duke u ankuar për çmimin e lartë. Edhe Kristoferi u çudit.

Kimberli nuk ishte dukur gjëkundi. Francezi e kishte parë vetëm në foto, por e kishte parë aq shumë gjatë ditëve të fundit, saqë e dinte shumë mirë se nëse e shihte përballë, do ta njihte menjëherë. Vendosi të telefononte Herrisin për të marrë vesh ndonjë detaj. Hezitoi një çast, por përderisa kishte ardhur deri aty, bënte mirë ta çonte deri në fund. Dhe përgjigjja që mori ia vërtetoi dyshimet. Mesa dukej, Kimberli kishte hequr dorë nga shfaqja disa orë më parë, dhe kishte thënë se librin do ta njoftonte më vonë brenda asaj dite, në një event tjetër. Edhe pse kjo ishte ajo që priste, nga njëra anë Kristoferit nuk i erdhi mirë. Ishte marrë për shumë ditë të lodhshme me atë libër, dhe tani i zoti e shtynte datën si t'i donte qejfi.

Pa humbur kohë, Kristoferi u duk përpara portës, duke u prezantuar si Xhosh Kimberli.

-Jam i ftuar special, prandaj nuk kam biletë.

-I ftuar nga kush? Teatri nuk na ka lënë asnjë listë të ftuarish.

Kristoferi tentoi edhe njëherë.

-Nga vetë ajo që e ka bërë këtë shfaqje. Vivien Goldin, -roja pati dyshime.

-Duhet të konfirmoj me zonjën Goldin nëse fjalët tuaja janë të vërteta.

-Patjetër, -pohoi me qetësi të plotë. Pas shumë pak minutash, ndodhej në sallë.

Salla ishte madhështore dhe mbresëlënëse, me shandanë të mëdhenj floriri e abazhurë xhami në çdo cep, e mbuluar me të kuqen më të flaktë që i kishte zënë syri dhe e dekoruar deri në detajet më të vogla. Edhe pse mbante tre mijë e pesëqind veta dhe ndoshta më shumë, ajo sallë i bënte të gjithë të ndiheshin se kishin hapësirën e mjaftueshme për të cilën kishin nevojë, dhe kjo e habiste dhe e mrekullonte Kristoferin në të njëjtën kohë. Ai vërente me kujdes çdo cep të atij vendi. Njerëzit qëndronin ulur në vendet e tyre me të njëjtin durim që kishin edhe kur ndodheshin jashtë, në pritje të hapjes së perdeve e fillimit të shfaqjes. Disa të veshur thjesht, disa të kopsitur, të tjerë të veshur enkas për t'iu përshtatur pikërisht atij mjedisi, por të gjithë bashkë dukeshin se përkisnin atje. T'i shihte gjithë ata njerëz tashmë brenda dhe të ulur, e kishte bërë Kristoferin të mendonte nëse vërtet po bënte diçka për t'i kaluar disi më mirë vitet mjerane larg Marsejës, apo e kishte gëlltitur kohë më parë atë mjerim dhe kishte gjetur tashmë rehati në atë gjendje. E bëri të mendonte se ndoshta të gjithë njerëzit që kishte gjykuar, në të vërtetë jetonin shumë më mirë se ai, kishin një jetë shumë më të organizuar, më të lumtur, më të përmbushur. Dhe mendoi se ndoshta ishte faji i tij që e kishte mbyllur veten në atë mënyrë pa kërkuar asnjëherë për ndonjë rrugëdalje. Kjo e bëri të reflektonte gjatë sekondave të fundit të pritjes.

You've reached the end of published parts.

⏰ Last updated: Aug 10 ⏰

Add this story to your Library to get notified about new parts!

Pas tingujve të skenësWhere stories live. Discover now