"Pse, e dashur, nuk mundem të jetoj kur nuk je me mua?"
Ernest HemingwayMëngjesi me shi nuk kishte mjaftuar për të ndaluar entuziazmin e qytetarëve amerikanë. Të kapur dorë për dore, krahë për krahu, apo të vetmuar me duar nëpër xhepa ku shtrëngonin fort biletat e blera që prej një jave ose edhe më shumë kohë më parë, të gjithë mbanin rradhën me durim ose jo, duke ngritur kokën herëpashere për të kontrolluar nëse rradha po vijonte të zvogëlohej dhe llogarisnin me hamendje dhe sa minuta duhet të prisnin. Të gjithë, përfshirë francezin Kristofer dë Bua.
Ishte ende herët, ora s'kishte shkuar nëntë dhe shfaqja ishte përcaktuar për në dhjetë e njëzet e pesë. Megjithatë, të tre mijë e pesëqind vendet e lira në Shtëpinë Metropolitane të Operas ishin blerë, dhe secili, diku, kishte një vend që priste të zinte. Disa, ose më saktë, shumica, ishin me fat. Të privilegjuar me halle më të pakta në numër, ose të paktën, me një interes më të veçantë për teatrin, ata kishin zgjedhur dhe kishin blerë të parët, duke zënë kështu vendet më të mira. Kishte më pas njerëz që nuk kishin pse të qaheshin, kishin zënë një vend të përshtatshëm edhe pse jo më të mirin e mundshëm. Kishte edhe nga ata që fati i kishte dashur aq shumë, sa ia kishin dalë të siguronin një biletë në momentin e fundit. Për ta, vendi i caktuar në biletë nuk kishte shumë rëndësi, për sa kohë që do të qëndronin brenda për të parë shfaqjen. Më pas kishte njerëz që nuk kishin asnjë biletë, kishin shkuar në rradhë me shpresën se do të merrnin një, por ishin dorëzuar shpejt kur ishin përballur me turmën e njerëzve atë mëngjes. Ishte dhe Kristoferi.
Francezi nuk kishte marrë kurrë pjesë në evente të atij lloji, ndaj nuk ia kishte marrë mendja se do të përfundonte në fund të rradhës, pa biletë dhe pa shpresë për të marrë një të tillë. Shumë herë ia kishte mbushur mendjen vetes që thjesht të hiqte dorë, por tashmë përveç arsyes kryesore që e kishte sjellë atje, ishte kureshtja që po e mbante të mbërthyer. Habitej kur shihte se si mijëra njerëz duronin gjithë atë kohë të mbledhur si miza, i kushtonin energjinë, minutat dhe paratë e tyre, vetëm për të parë dhe për të admiruar një njeri të vetëm, që në fund të ditës, mbetej një njeri si të gjithë të tjerët. Një njeri që trajtohej si Zot, duke qenë shumë larg një të tilli, por duke patur të vetmen armë që i nevojitej, famën. Kristoferi çuditej kur mendonte që ky mund të ishte rasti më i rëndomtë që i kishte rënë të dëshmonte, dhe se kështu në të vërtetë, funksiononte e gjithë bota.
-E gjitha kjo për çfarë? -tha ndër dhëmbë. Donte ta shihte me sytë e tij se për çfarë bëhej e tërë kjo bujë. Dhe i ndodhur midis atyre njerëzve, rikujtoi fjalët e kërcimtares që ndodhej pas atyre portave. Se si ishte kërcimtarja më e njohur në të gjithë Pensilvaninë. Se si çdokush do të paguante dhe do të bënte çmos që ta takonte qoftë edhe njëherë. Ndoshta ajo kishte të drejtë, por në mendjen e tij ende nuk i jepte dot kuptim. Megjithatë, në mëngjesin e njëzet dhjetorit, ai ndodhej atje, midis turmës së madhe të njerëzve, duke patur të njëjtin qëllim me ta, të hynte brenda.
Vivieni ishte nervoze. Në prapaskenë, asgjë nuk ishte e rrëmujshme, por mendja e saj ishte një katastrofë. E kishte bërë këtë gjë edhe vitin e kaluar, por asnjëherë nuk ia kishte dalë të shiste të gjitha vendet dhe të kishte kërkesa për më shumë. Kjo e stresonte dhe e bënte të kuptonte se sa e madhe ishte në të vërtetë vorbulla e famës që rrethonte jetën e saj dhe se sa shumë e në mënyrë dinamike po rritej dita-ditës. Nuk donte të humbiste kontrollin, por ndihej sikur çdo gjë po i rrëshqiste nga duart që tashmë i kishin djersitur. Asistentja Beker e vuri re këtë gjë.
-Mos u shqetëso Vivi, gjithçka do të shkojë mirë. Në fakt, gjithçka është mirë, -theksoi fjalët e fundit. -E shikon veten? Je një yll i vogël i bukur që shkëlqen, -i fërkoi shpatullat dhe buzëqeshi. Edhe Vivieni harkoi buzët.
YOU ARE READING
Pas tingujve të skenës
RomanceNë jetën e Kristoferit gjithçka do të ndryshojë natën kur ai vendos të strehojë një grua të dehur në apartamentin e tij. Vivien Goldin, një kërcimtare me famë e skenave botërore, nuk kujton asgjë se si përfundoi atje. Një gjë është e sigurt; për asn...