U ngrit prej divanit dhe u drejtua në vendin ku ndodhej televizori. E fiku dhe ktheu sërish kokën nga ata të gjashtë, për t'iu hedhur një vështrim. Dukej i çuditshëm. Qëndroi pa reaguar për disa minuta, më pas u afrua sërish me ta dhe u ul. U mendua për një çast, derisa fjalët e tij thyen qetësinë.
-Shpirti i zjarrit... Kam dëgjuar edhe më parë për të. Bëhej shpesh tema e gazetave në atë kohë, - qëndronte i menduar. Nuk e kishte imagjinuar se kjo temë do të hapej sërish pas kaq shumë vitesh.
-Është folur edhe më parë për të? - u interesua Aprina. Kishte kohë që e priste atë çast. Momentin kur të gjithë të besonin se ishte e vërtetë dhe jo thjesht një legjendë.
-Shumë kohë më parë. Mund të isha më i vogël se ju. Në vendin ku jetoj, në atë kohë flitej shumë për këtë. Thoshin se legjenda do të bëhej e vërtetë. Shpirti do të ringjallej. Për këtë arsye të gjithë ishin të frikësuar, dhe një e moshuar, e cila quhej si magjistarja e fshatit, krijoi disa varëse për fshatarët, e cila të mbante larg nga ai shpirt. Duke i besuar asaj, pothuajse të gjithë morën nga një të tillë për t'u mbrojtur. Shumë familje të cilat nuk e morën atë varëse, u përballën me shumë fatkeqësi, deri në vdekjen e një ose më shumë pjesëtari. Nuk e mbaj mend shumë mirë, por njerëzit e atij fshati thonë se në atë periudhë nuk mundën të ndiznin zjarre. Fatmirësisht ishte verë, dhe mungesa e zjarrit për ngrohtësi nuk u ndje dhe aq shumë, por dihej se nevojat e tjera që e përfshinin atë, nuk u plotësuan. - filloi të shpjegojë ai.
-Fikja e zjarreve! - klithi Aprina, -Njëri prej policëve na informoi se në gjithë vendin të gjithë ishin duke pasur probleme të tilla.
-Është e çuditshme se si ndodh vetëm në një vend të caktuar dhe me njerëz të caktuar, - vazhdoi.
-Besohet se shpirti ndjek vetëm ata që supozohet se nuk i janë bindur rregullave që vendosi natyra kur i dha dënimin! - po fillonte të hynte brenda temës, pasi gjeti dikë që besonte gjithashtu. Nëse ishin të vërteta ato që ai tha, atëherë e vërtetonin se legjenda nuk ishte një trillim, dhe se vërtet ai shpirt ishte shkaku pse e gjitha po ndodhte.
-Mund të largohemi tani që e kuptuam se nuk ka gjë në këtë shtëpi? - iu drejtua Azrieli Sereinit, por ajo ishte shumë kureshtare të mësonte më shumë.
-Por ne po e marrim vesh të vërtetën! - tha ajo dhe u afrua më shumë për të dëgjuar.
-Janë gënjeshtra! - mohoi sërish ai.
-Ndoshta s'janë! - ngriti supet Taurieli dhe u ul gjithashtu pranë të tjerëve.
-Siç e tha edhe ai, ka ndodhur edhe më parë, - u afrua me të tjerët duke ndjekur Taurielin.
-Nga ta dimë ne se ai nuk po gënjen? Po sikur të ketë marrë vesh se çfarë po ndodh dhe tani po aktron se nuk di gjë dhe se ka ndodhur më parë? Tek e fundit kush është ai? Një i panjohur! - nuk mund ta besonte se vendosën të dëgjojnë historitë e tij.
Askush nuk i ktheu përgjigje. Ishte duke qëndruar më larg të tjerëve që të mos dëgjonte gjë, por gjithsesi veshi i kapte disa fjalë. Të tjerët ishin të fokusuar në atë që duhet të bënin. Mendonin se ai do t'i ndihmonte, para se gjithçka të dilte jashtë kontrollit.
-Dhe si arritët të shpëtonit prej tij? - pyeti Serein, duke u munduar të ishte më e vëmendshme.
-Nuk shpëtuam. Thjesht ai nuk doli kurrë më. Thonë se natyra veproi sërish, por askush nuk e mban mend. Ndoshta sepse të gjithë u pajisën me atë varëse... - kishin kaluar shumë vite, ndaj mendimet i kishte të vakëta.
-Ti po thua se nuk mbahet mend zgjidhja?
-Pak a shumë. E vetmja gjë që mbaj mend është ajo varëse, por me shumë siguri një miku im mban mend diçka më shumë. Është më i moshuar, ndaj duhet të dijë.
YOU ARE READING
Të luash me zjarrin
HorrorKur ishim të vegjël, na treguan se nuk duhet të luanim me zjarrin, por kurrë nuk na dhanë një arsye. Gjimnazi Kinderhaus, zhvillon një ekskursion veror me të gjithë nxënësit e asaj shkolle. Azriel Hubert, Serein Ardolf, Nesta Laurier, Dolent Hart dh...