Pllaka guri. Pllaka guri dhe lule. Lule dhe qetësi. Qetësi e frikshme. Qetësi e zbrazët. Zbrazëti e shëmtuar. Shpirt i vetmuar. Sa më e mërzitshme mund të jetë? Sa e pakuptimtë? Sa boshllëk i madh? Lule dhe qetësi. Njerëz të veshur me të zeza, mungonin. Ishte vetëm ajo. Ajo dhe pllaka guri. Pllaka guri dhe lule. Lule të vyshkura. Lule të pamëshirshme. Lule që vazhdonin të qëndronin gjallë pas së gjithash. Lule mëkatare. Zbrazëti e shëmtuar. Qiell i zbrazët. Qiell i zymtë. Qiell mendjelehtë. Qiell që kërkonte vëmendje kurdoherë, edhe pse s'mundej, se ai qiell ia mori të gjitha. Mjegull e mallkuar. Erë e tërbuar. Erë e ftohtë. Acar i përhapur. Acar shpirti. Acar zemre. Acar që kishte filluar të zinte vend në frymëmarrje. Acar që kishte shtruar flokët e tij, në një pllakë guri.
-Po unë? - mëmëriti dy fjalë, -Po unë? Ku të shkoj? Ku të futem? A ka pllakë guri për mua? A ka lule për mua? A ka qetësi të më qetësojë? A ka diell të më ngrohë? A ka Zot të më japë fund?! O Zot! Kaq e pamëshirshme kam qenë me ty? Kaq shumë kam gabuar për ta merituar këtë qetësi mbytëse? Këto pllaka guri që qëndrojnë krenare kundër meje si të kenë fituar! A kanë fituar, Imzot? - ngriti kokën drejt qiellit për të marrë një përgjigje, por përgjigjja kishte frikë të dalë.
Një gjethe e pafajshme bie mbi një pllakë guri. Mbi një pllakë guri një një luleje. Një luleje të vetmuar...
-Kjo baltë është e pisët! Kjo baltë është e pisët, Imzot! A nuk ke mëshirë për mua? Kjo baltë është e pisët! Kjo baltë më njollosi! Kjo baltë më mallkoi! Serein, ah çfarë emri i pafat. Por jo. Jo Imzot, jo. Nuk mundem. Bëra mjaft dhe mora mjaft, - vazhdonte të thërriste drejt zbrazëtisë. As vetë nuk e dinte se çfarë po bënte. As vetë nuk e dinte se kujt po i drejtohej, por e dinte se duhej. E dinte se duhej të kishte një drejtim thirrja e saj. Një fajtor. Një jetë fajtore. Një shtrat fajtor.
Një jetë e qelbur nga fjalët e tepërta. Një jetë e pisët, jetë e poshtër! E pamëshirshme! E pamëshirshme kjo jetë! Ky realitet. Pllakë guri. Lule. Qetësi. Realitet. Realitet i çmendur. I papranueshëm. Realitet i dobët, më i fortë se ne.
U ul në tokë dhe përshkroi më dorë ngadalë një pjesë të saj.
-Ky ishte fundi? Fund, - filloi të qeshte me të madhe, -Ky po që është fund! Apo jo, Imzot?! Pllakë guri? Këtë meritojmë, pasi kemi kaluar çmendurinë? Pasi kemi provuar, e stërprovuar dhe përsëri asgjë? Pasi kemi jetuar? Asgjë? Pllakë guri, lule dhe baltë? - nuk po dinte se çfarë po fliste. Thjesht e dinte se përderisa asgjë nuk kishte kuptim në ato momente, as fjalët e saj nuk do të kishin.
-Kaq e etur je të vdesësh? - dëgjoi një zë të njohur prapa saj. Ktheu kokën për ta parë. E priste. Kishte kohë që e priste.
-Kjo ishte dëshira jote? Më thuaj, kjo ishte? Të na shihje në këtë gjendje? A je i kënaqur tani? Më thuaj, çfarë dëshiron më shumë? Dhe vazhdon të qëndrosh në trupin e saj, dhe vazhdon të qëndrosh para meje në trupin e saj. Sa më shumë dëshiron? - ishte e dorëzuar.
-Të them të drejtën, kjo gjë parashikohej. Nuk erdha pa qëllim këtu. Të paktën Aprinën po e sheh ende. Duhet të ndihesh krenare për këtë. Aprina më bëri shumë punë, vërtet. Por nuk ishte e vetmja. Kisha kohë që kërkoja për një objektiv Serein. Dhe ju më tërhoqët jashtë mase. Më joshët. Ishit kaq të sigurt që gjithçka rreth meje ishte një gënjeshtër. Populli nuk flet kot, e dashur. Sa do të doja që ta bëja këtë bisedë jo vetëm me ty. Por ja që fati të donte më shumë se të tjerët. E di që nuk e meriton Serein. Por ja që kështu ndodhi. Morali i përrallës është gjithmonë një gënjeshtër, jo unë. Gjithmonë do të fitojë e keqja, e dashur. Sepse sado i mirë të jesh me jetën tende, ajo asnjëherë nuk do të jete në krahun tënd, sepse nëse do të ishte, nuk do të përfundonte një ditë, apo jo?
Ajo e kishte të vështirë të fliste. Ishte e ftohtë. Shtrëngonte pëlhurën e hollë pas trupit dhe dëgjonte se si jeta e saj kishte luajtur shah dhe kishte dalë humbëse kundrejt tij dhe fituese kundrejt saj.
-Pse je ende këtu? Çfarë kërkon më tepër? Sa më shumë mendon se mund të vuajë dikush? - thërriste nga dhimbja.
-Serein, unë nuk jam këtu për ju. Ju jeni thjesht një karrem. Njeriu i tillë është krijuar. Të vuajë. Nuk do të mund të kthehem më kurrë në jetën time të mëparshme, por kjo jeta e re po më pëlqen më shumë. Sepse po kontrolloj jetët tuaja. Do t'i bëj të pendohen që më dëbuan, që më shkatërruan, që më burgosën për shekuj me rradhë duke pretenduar që nuk ekzistoj. Dhe gjeje pak se me kë na zëvendësuan. Me një krijesë që nuk duhet të kishte ekzistuar kurrë. Me ju. Me njeriun. Ne do të arrijmë gjithmonë atë që dëshirojmë Serein, sado që dikush të mendohet për zgjidhje apo të veprojë kundër nesh. Isha gjatë gjithë kohës me ju. Gjatë gjithë kohës duke dëgjuar ato planet tuaja të kota dhe qeshja me vete se sa e pafajshme mund të jetë qenia e njeriut, - e kishte gozhduar pas vetes duke e bërë të dëgjonte gjithçka që po thoshte.
-Pse po të dëgjoj? Pse po qëndroj me ty? Largohu! Çfarë kërkon nga unë? A nuk duket qartë se nuk mundem? Se nuk mundem më? Pse nuk i ke dhënë fund më parë? Pse na detyrove të jetonim kaq shumë? Pse? - u ul sërish në tokë. Trupi i dridhej dhe kishte orë që nuk kishte pushuar së qari.
-Sepse unë mundem. Dhe kur mundem, e bëj. Dhe kur e bëj, e marr. Dhe kur e marr, nuk kam më nevojë për ju apo çfarëdo tjetër që mund të ekzistojë. Sa i zbrazët ky vend. Vërtet ju njerëzit meritoni më shumë, - filloi të qeshte duke parë fytyrën e saj të zbehur, trupin e dorëzuar, dhe duart që i dridheshin vazhdimisht nga i ftohti që ndjente. Nuk ishte i ftohtë që e kishte ndjerë më parë. Ishte më i akullt. Më i acartë. Më kërkues nga trupi i saj për të mbijetuar.
-Duhet të mos e kishit bërë kurrë. Të luash me zjarrin... A e ke menduar ndonjëherë që pikërisht zjarri nënkupton të keqen? Apo se pse të keqen e kanë përkufizuar gjithmonë me ngjyrën e kuqe, dhe pikërisht të mirën dhe gjakun me të njëjtën ngjyrë? Sepse midis nesh nuk ka shumë ndryshim. Jemi të njëjtë, Serein. Thjesht me interesa të kundërt, - dukej të kishte ardhur në fund të bisedës.
Ishte ende zbrazëti. Ende qetësi. Zërat e tyre jehonin si të ishin të vetmit tinguj të mbetur në planet. S'kishte dëshmitarë të asaj shfaqjeje të shëmtuar. S'kishte spektatorë. Askush nuk do të dëshironte ta shihte, ndaj do të ishte e kotë të mendohej.
Pllakë guri, lule, qetësi. Kaq meritonte njeriu në fund të jetës së tij. Edhe pasi kishin kaluar vite me rradhë duke u përpjekur për të mbijetuar. Vite të tëra duke u zhvilluar, duke u munduar të bënte të përsosurën. Vite të tëra për të krijuar diçka të quajtur lumturi. Për të vuajtur në ditë të errëta dhe për të qeshur në ato të çelëta. Për të qarë kur ishte e mundur dhe herë-herë edhe të përmbahej se nuk lejohej ta bënte. Vite me rradhë jetesë. Dhe në fund të saj veç një pllakë guri, një lule, një qetësi.
-Ky është fundi, apo jo? Fundi i historisë? Fundi i legjendës? Kështu do të tregohet legjenda në të ardhmen? A do të jetë dikush për ta treguar dhe dikush tjetër për ta dëgjuar? Apo këtu përfundon e gjitha? Kështu? Këtu? Në zbrazëti? Atëherë më merr dhe mua! Më merr se nuk dua ta shoh fundin. Nuk dua ta prek atë. Më merr dhe mua, të përgjërohem!
✧༺𝕱𝖚𝖓𝖉༻✧
-Shpjegim rreth historisë-
Personazhi i Aprinës është zhdukur që në momentin kur ajo humbi ndjenjat që në fillim të historisë. Aprina, vdiq që në atë pjesë dhe në trupin e saj ka qenë gjatë gjithë kohës shpirti i zjarrit duke e komanduar atë, ndaj në histori tregohet shpesh që personazhi i Aprinës nuk ndihej mirë, sepse shpirti i zjarrit kishte lëkundje në të mbajturit gjallë trupin e saj të pajetë. Të gjithë personazhet kryesorë, pra adoleshentët të cilët ndoqën këtë histori, humbën jetën. Vdekja e personazhit të Serein, është lënë e nënkuptuar në fundin e pjesës, nuk është shkruar.
YOU ARE READING
Të luash me zjarrin
HorrorKur ishim të vegjël, na treguan se nuk duhet të luanim me zjarrin, por kurrë nuk na dhanë një arsye. Gjimnazi Kinderhaus, zhvillon një ekskursion veror me të gjithë nxënësit e asaj shkolle. Azriel Hubert, Serein Ardolf, Nesta Laurier, Dolent Hart dh...