27

106 18 42
                                    

Mikelin e gjeti ulur në karrige te zyra e drejtorit duke shkundur këmbën lart e poshtë. U ngrit prej karriges menjëherë sapo vuri re Brunon, dhe një zhurmë ngjethëse detyroi mishin e Brunos të mblidhej i gjithi pavullnetshëm. Sytë e tij analizues u ngulën mbi Mikelin si të donin t'ia zhbironin shpirtin, çka bëri tjetrin të vështronte rrotull në siklet, pa e përballuar dot peshën e rëndë të atyre syve.

-Po ju lë vetëm, - qe zëri i drejtorit ai që më në fund nxiti Brunon të largonte sytë një çast. -Vetëm pesë minuta, asnjë më tepër.

Pritën të dëgjonin mbylljen e derës me një "krak" të ashpër para se të fillonin bisedën.

-Të dëgjoj, mund të flasësh.

Mikeli bëri një hap përballë dhe i zgjati letrën që gjatë gjithë kohës e kish çuar sa nga njëra dorë te tjetra, aq sa cepat qenë përthyer dhe fleta qe zhubrosur dukshëm.

-Është një listë e të njohurve të Roland Osmanit. Dikush prej tyre mund të jetë duke e ndihmuar.

-Mund? - pyeti vetullngritur me zërin e qetë pasi i hodhi një vështrim të shpejtë emrave dhe vendeve të shënuar në to. -Gjëja e fundit që dua të bëj është të humbas kohë duke iu shkuar pas personave që ndoshta nuk janë aspak të lidhur me Rolandin.

-Mirë, harroje fjalën "mund", - bëri një shenjë me dorë për të përforcuar fjalinë e sapothënë. -Të siguroj që janë. Madje ai që bëri listën ishte gati të vendoste dorën në zjarr për këtë këtu.

Lexoi emrin e personit që tregoi gishti i Mikelit. Gazmend Hysa. Gjinar, Elbasan.

-Këtu duhet të jetë me patjetër.

-Mirë, faleminderit.

U bë gati të largohej pas asaj përgjigjeje të thjeshtë, me emrin e Gazmend Hysës që po i përsëritej vazhdimisht në mendje, e me një zjarr të frikshëm që ndiente t'ia errësonte sytë, po mbi të gjitha arsyetimin. Fjalët e Mikelit e ndaluan pa bërë dy hapa.

-Si është Najla?

Gëlltiti me pahir ngacmimin në fyt, pa harruar të shtrëngonte fort me litarë ashpërsinë dhe reagimin e tepruar me të dëgjuar emrin e Najlës të dilte prej buzëve të tij. Prej atyre buzëve që e kishin puthur kur ndërkohë Bruno digjej për t'ia ndier aromën, apo të prekte lehtë e pafaj dorën e saj.

-Mirë, - vazhdoi sërish me përgjigjet e thata e pa ndjenjë, pastaj u mbush thellë me frymë për të ardhur në vete. -Të kërkon ndjesë për gjithçka ndodhi me Gentjanin.

Dhe më pas hapi derën e iku pa dashur të dëgjonte asnjë fjalë më shumë, sepse nuk mundej të qëndronte më gjatë kur ndërkohë letra në dorën e tij po krijonte një plagë që thellohej pa ndalim.

Hipi në makinë i heshtur, vështroi për disa sekonda portën e burgut që u mbyll me zhurmë shurdhuese, pastaj nisi makinën.

-Të shohim a do më shpëtosh këtë herë, Roland Osmani.

Dhe pas këtyre fjalëve, asnjë fjalë tjetër nuk doli prej tij.

***

-Perimetri është i pastër, - dëgjuan zërin e Orgestit prej radios të vendosur te xhepi në sup.

Një i RENEA-s sapo kish qëlluar personin e fundit që i kapi syri te kati i dytë i fabrikës, drejt e në ballë në momentin kur ai kishte nxjerrë kokën për të qëlluar me automatik.
Nga ana tjetër, detektori i eksplozivëve nuk kish zbuluar gjurmë të ndonjë lënde shpërthyese, ndaj, pas komandës që Orgesti iu dha sërish për t'u vënë në lëvizje, policët e FNSH-së u bënë gati të hynin brenda fabrikës.

Enio shtyu derën me këmbë, një lëvizje e vetme duke mjaftuar për të shkallmuar derën e vjetër. Ndërkohë që ajo copë e rrënuar po bënte një zhurmë vërtet të dhimbshme për veshët, sytë vigjilentë përshkuan gjithë gjatësinë e dhomës për ndonjë rrezik, gishti gjatë gjithë kohës te këmbëza e armës. Por shikimi u fokusua te pellgu i gjakut poshtë këmbëve, te zhurmat ritmike të pikave që binin në tokë e në supet e tyre, dhe një forcë magnetike e bëri të ngrinte kokën lart. Instiktivisht u shty disa hapa pas, si të donte të largohej nga pamja që sapo kish parë.

-Çfarë dreqin....

-Kujdes, kontrolloni rrotull!

-Xhek, Edmond, Arti, kati i dytë!

Orgesti po ndante detyrat me nxitim ndërkohë që Enio kish ngulur sytë te kokat e prera të dhjetë personave, varur në tavan me anë të disa litarëve të hollë.

-O dreq, po m'vjen me vjell.

-Ruani përqëndrimin! - iu bërtiti Orgesti në fytyrë. -Xhek, ngjitu lart! Enio, eja me mua.

Para se të ndiqte Orgestin për të kontrolluar brenda fabrikës për ndonjë rrezik të mundshëm, njëri prej litarëve u këput dhe koka e prerë ra pranë këmbëve të tyre. Fytyra e një vajze jo më shumë se njëzet vjeçe.

Hoqi shikimin tej, vetëm tani plotësisht i bindur për të ndjekur pas Orgestin para se t'i bashkangjitej Xhekut në deklaratën që kish bërë. Ndihej tepër larg për të dëgjuar bisedat që policët e tjerë po bënin, apo telefonatën e dikujt me shefin e policisë. Dhe sado që u përpoq me gjithë fuqitë e tij të ndërpriste imagjinatën e tmerrshme në atë çast, nuk i ndaloi dot imazhet e Brunos nëse ai binte në duart e Rolandit.

-Enio, je mirë? - dëgjoi zërin e Samuelit pas vetes.

Ndaloi pranë disa pakove të hapura rrëmujshëm, një pirgu plehrash që qelbte erë dhe një shisheje birre të hedhur diku më larg. Vështroi tjetrin në sy, për herë të parë në jetën e tij duke u ndier aq i shqetësuar.

-Ia kam merakun Brunos. Më duket se do bëjë ndonjë budallallëk.

-Shefi i tha të mos përzihej.

-E njeh Brunon a si? - iu kthye i acaruar, edhe pse e dinte se tjetri s'ish aspak fajtor për gjendjen e tij.

Prej radios së tyre u dëgjuan disa zhurma, ndaj ranë në qetësi për të dëgjuar se çfarë do thuhej.

-Flet Edmondi. Ka diçka që duhet të shihni në katin e dytë.

Nuk duheshin shumë mend për të kuptuar se diçka e keqe i priste. Ngjitën shkallët e dëmtuara vende-vende, aq sa të bënin të dyshoje nëse do mundeshin të të mbanin deri në krye, dhe më pas u hasën sërish me të njëjtën masakër të kryer nga Roland Osmani: dhjetë koka të tjera të varura me litar.
Por sytë e Enios nuk mundën të shihnin fytyrat e vdekura. Në vend të kësaj, u gozhduan te muri përballë si të donte ta depërtonte tej e tej.

Në murin të cilit i kish rënë suvaja dhe myku qe përhapur gjithë gëzim në të gjitha anët, një mesazh qe shkruar me gjakun e viktimave.

"Dorëzoni Brunon brenda një ore, në të kundërt sheshi "Skënderbej" do hidhet në erë. Dhe ky do jetë vetëm fillimi."

Mos më harroWhere stories live. Discover now