Zhurma vibrimesh të largëta po i shkonin në veshë. Nuk ia kish idenë ç'po ndodhte. Dinte vetëm se po vinte rrotull një dyqani mbushur anë e mbanë me lule. Aroma e tyre e ëmbël ia ngacmonte hundët butësisht, ngjyrat e ngrohta ia qetësonin mendjen. Midis grumbullit të pafund të luleve, në një qosh të vetmuar disa lule blu kishin nxjerrë kokën.
-Përshëndetje.
Zëri i luleshitësit erdhi mbas një banaku të gjerë druri që zbukurohej në të dyja anët me lulet "mos më harro".
Ngriti vetullat e habitur.
Ishte Bruno. A nuk ishte polic ai? Pse kishte veshur një përparëse të çuditshme jeshile, ngjyer me dheun e luleve në disa vende?Vibrimi u ndje sërish. Ende nuk po e kuptonte prej nga po vinte. Rrotulloi trupin konfuze, tashmë duke parë vetëm blu rreth e rrotull.
-E ndien edhe ti këtë vibrim?
-Najla, - i erdhi çuditshëm ai zë, si nga një botë tjetër.
-Po?
-Najla... Çohu. Po të telefonon Ergi.
Iu desh njëfarë kohe të perceptonte se çka po ndodhte. Rrezet e diellit mëngjesor kalonin xhamin e dritares dhe po i binin mbi fytyrë, prej kuzhinës vinte një aromë e mirë, qëndronte shtrirë në divanin e dhomës së ndenjies me një mbulesë mbi trup.
Dhe ndërkohë telefoni vazhdonte vibronte acarueshëm mbi tavolinën prej xhami.E mori përgjumësh në dorë dhe e vështroi për disa çaste me trurin e mpirë. Dy-tre sekonda më vonë shtyu ikonën e jeshiltë djathtas dhe telefonin e vendosi në vesh.
-Al...
-Ku je? Pse nuk ke ardhur akoma? Nga dreqin je futur?
-Mjaft me këtë ton, nuk është hera e parë që s'kthehem në shtëpi, - ia ktheu e bezdisur duke larguar mbulesën prej vetes. Bruno tashmë nuk qe në dhomë, me shumë mundësi qe drejtuar në kuzhinë. -Shkova te një shoqe, mirë? Do qëndroj pak këtu dhe do vij.
-I di këto shoqet unë. Më dërgo një foto.
-S'kam nerva të merrem me ty Ergi. Kur të them do vij, do vij. Kaq. Mos e zgjat më tepër.
E mbylli telefonin ndonëse ai kish filluar të fliste sërish i acaruar. Pasi e vendosi mbi tavolinë, shtriqi trupin e ngurtësuar. Kërcitja e disa kockave i shkoi në vesh.
U ngrit me përtesë prej shtratit, dhe duke qenë se nuk donte ta ndërpriste Brunon nga çfarëdo gjëje që mund të ish duke bërë, filloi t'i merrte dhomat me radhë në kërkim të tualetit. E gjeti në fund të korridorit.
Gjëja e parë që bëri ishte të shihte veten në pasqyrë. Me shumë mundësi nuk kishte lëvizur aq shumë gjatë natës, sepse ndryshimi i vetëm në makiazhin e saj qëndronte në një prishje të vogël të penelit.
Hapi çantën e vogël që kish marrë me vete në party dhe që atje nxorri një fshirës makiazhi dhe një furçë dhëmbësh. Kish zënë mend prej së shkuarës që t'i merrte me vete kudo që shkonte; në situata të tjera qe detyruar të pastronte fytyrën me sapun të lëngshëm duarsh dhe dhëmbët me dorë.
Kur mbaroi rutinën e mëngjesit, doli prej tualetit tashmë në kërkim të kuzhinës. E gjeti Brunon duke vendosur pjatat me pancakes në tavolinë, në mesin e së cilës gjendej një vazo e vogël me zambakë paqeje. Aroma e kanellës, e çajit me boronicë vendosur në një filxhan me petale rozë, e luleve, ia mbushën mushkëritë me gëzim.
Ai ngriti kokën dhe i hodhi një vështrim të shpejtë. I vuri re një ngritje të vogël të cepave të buzës, një shkëlqim të ëmbël në sy.
VOUS LISEZ
Mos më harro
Roman d'amourNajla ishte e bindur se kishte rikthyer gjithë memorien që kishte humbur vite më parë, ndaj më në fund vendos të fokusohet plotësisht në krijimin e një fillimi të ri. Gjithçka dukej mirë. Fillimi i universitetit nuk ishte aq i tmerrshëm sa kishte m...