10

108 18 48
                                    

Sado që u përpoq të nanuriste veten me gënjeshtra për të përftuar qoftë edhe grimcën më të vogël të sigurisë, nuk mundi të vendoste gjumë në sy. Veç një dremitje e lehtë e pati zënë gjatë agimit të akullt të ditës, për të përfunduar nga një trembje e beftë që s'e lejoi t'i mbyllte më sytë.

E pati të pamundur të qëndronte në të njëjtin vend, ndaj qetë, mbi majë të gishtave, doli prej dhomës dhe iu drejtua kuzhinës. Hapi sirtaret me radhë për të gjetur se ku qëndronte çaji; ish kura e saj e përhershme për të përballuar më mirë streset e ditës.
Gjeti disa lloje te një nga raftet e poshtme, i shikoi me radhë dhe vendosi për çajin e limonit.
Brenda pak minutash e bëri gati. E mori në dorë për t'u ngrohur, pa e ndier nxehtësinë përvëluese në duart që vazhdonin ende të qëndronin të ngrira.

Kuzhina, me anë të një dere të gjerë prej xhami, lidhej me një kopsht të vogël, të rrethuar nga një mur dy metër i lartë. Bimët kacavjerrëse dhe llojet e tjera të cilave ajo me sinqeritet pranonte se s'ua dinte emrin, e kishin shndërruar atë hapësirë të vogël në një parajsë qetësuese.

U ul në një nga karriget e buta që qenë vendosur atje, pallton duke e ngjeshur më tepër pas trupit. S'kish ndërmend të lëvizte, edhe pse era e mprehtë i shponte fytyrën si gjilpërë pavarësisht rrezeve të gënjeshtërta të diellit.

Një orë më vonë Ergi i erdhi pranë dhe u ul në karrigen ngjitur saj, me një kafe të fortë siç e kish zakon çdo mëngjes.

-Si fjete? - e pyeti për të thyer heshtjen midis tyre.

-Keq, - u përgjigj ai duke lëvizur qafën majtas-djathtas për të çliruar muskujt. -Mezi më zuri gjumi. Po më dukej sikur isha në ëndërr kur më ra alarmi.

-Bëj kujdes kur të shkosh në punë, mirë?

-I kujdesshëm jam gjithmonë.

U ngërdhesh lehtë me fjalët e tij, por vazhdonte ta shihte e merakosur. Ai nuk i merrte ndonjëherë seriozisht këshillat e saj. E dinte se dhe ai rast s'kish ndonjë ndryshim, por s'mund ta ndalte veten së i thëni ato fjalë.

-Ke folur me babin? Ç'u bë me Klestin dhe Dionin?

-Do rrinë në arrest shtëpie derisa të bëhet gjyqi. Të paktën janë mirë.

-Epo gjysma e së keqes. Ti do shkosh drejt e në punë?

-Po, bëhem vonë po u ktheva në shtëpi. Ti rri këtu derisa të zgjohet Bruno. Mund të ketë nevojë për kujdes.

Çoi gotën e çajit në buzë mendueshëm, e fokusuar te një pemë limoni në cep të murit. A vazhdonte ende Gentjani të qëndronte poshtë pallatit?

-Më duhet të dal tani, s'dua të bëhem vonë.

-Punë të mbarë, - i tha ndërkohë që ai nxitoi t'i linte një puthje në faqe.

E ndoqi me sy derisa u largua, pastaj nxorri plot mundim frymën e rënduar.
Gota e çajit u boshatis. E rrotulloi disa herë në dorë pa arsye, derisa më në fund vendosi të ngrihej. Dëgjoi zilen e telefonit të saj që prej dhomës së ndenjies; me shumë mundësi kish kohë që binte.

Shkoi atje me hapa të ngadaltë, si të dëshironte që zilja të pushonte dhe të kish një shkas për të mos u përgjigjur. Por kjo nuk ndodhi. Zilja vazhdoi deri në momentin kur ajo e mori telefonin në dorë dhe vështroi numrin. A duhej të ndihej e lehtësuar që s'ish numri i Gentjanit? S'ish e sigurt. Ai mund të ish duke e telefonuar nga dikush tjetër.

U ul në divan për të suportuar trupin, pastaj lëvizi gishtin djathtas ekranit për t'u përgjigjur.

-Po?

Mos më harroDonde viven las historias. Descúbrelo ahora