17

120 17 66
                                    

Mars 2014

Preku me dorë një luledielli të vogël që s'i kish hapur akoma gjethet. Ishte e butë, e njomë prej shiut që kish rënë një ditë më parë, shkëlqyese.

Ndjeu shikimin e Brunos mbi veten e saj, por nuk e ktheu kokën. Kishin qëlluar të dy me një orë të lirë gjatë mësimit dhe qenë ulur në një lëndinë jo aq të frekuentueshme nga të tjerët, mbi një mbulesë që Najla e merrte gjithmonë me vete për raste të tilla. Ai sapo e kishte pyetur për të atin, temë që nuk e kishin diskutuar kurrë në dy vite shoqëri.

-Më fal, ndoshta s'duhej të kisha pyetur.

Ndjesa e tij e bëri të vendoste buzën në gaz. Ndeshi më në fund në sytë e qetë, automatikisht duke u qetësuar edhe vetë. Efekt i mahnitshëm, e kish adhuruar gjithnjë.

-Jo, nuk është ndonjë sekret, vetëm se nuk e kam diskutuar me askënd këtë temë. Babi im... epo... nuk jetojmë më me të. Prindërit u divorcuan një vit pas lindjes sime. Mami thotë që ka qenë një kontrollues i paparë, xheloz i tmerrshëm për gjëra të vogla.

-Të merr malli për të?

-Dukem e keqe nëse them "jo"?

Sikleti i asaj pyetje-përgjigjeje u largua kur ai qeshi sërish. Sa i afërt. Sikur të kish dhjetëra vite që jetonte me të, sikur të ish pjesë e familjes.

-Nëse ai nuk sillet mirë me ty, atëherë nuk dukesh.

-Jo, deri tani me mua është sjellë mirë, por më shpifet imazhi i tij kur mami më tregon për të. E imagjinon që nuk dëshironte ta linte të shkonte në punë? Është çmenduri të mbarosh një universitet të mirë, të bëhesh një arkitekte e zonja dhe të lësh punën vetëm se yt shoq thotë "të shohin kolegët, s'dua të të shohë njeri me sy". Po pra, dhe ajo do mbyllej në shtëpi vetëm se ai ashtu donte. Nuk e linte të lyhej qoftë në mënyrën më të lehtë të mundshme, s'e lejonte të vishte fustane, as të dilte me shoqërinë, as të vizitonte të afërmit.

-Paska qenë pak ekstrem me thënë të drejtën.

-Pak? Ka qenë shumë. Më kanë thënë se për një kohë mami ra në depresion, - heshti për pak, pastaj vazhdoi sërish. -Ajo nuk ma ka treguar këtë gjë, por tezja thotë se pas depresionit vendosi të divorcohej. Babi u martua prapë dy vite më vonë, tani ka edhe dy djem, ndërsa ne të tre shkuam në Itali. Nuk qëndruam për shumë kohë atje, u kthyem sërish kur xhaxhi Berti u plagos në punë.

-Keni ndërmend të lëvizni sërish?

E vështroi gjatë në sy. Teksa një puhizë e lehtë frynte dhe i lëvizte lehtë flokët që tashmë qenë zgjatur për t'i dhënë një pamje tejet femërore, vuri re diçka në vështrimin e tij. Një shkëlqim të nderë, një lutje a një kërkesë pa zë, një vështrim që të zgjaste dorën për të të çuar në një vend të huaj, por të mahnitshëm, të dashur.

-Jo, - u përgjigj ndërkohë që u detyrua të hiqte sytë prej tij për të rregulluar pak cepin e mbulesës që era e kish ngritur.

-Më vjen mirë. Jam mësuar keq me ty dhe tët vëlla. Jeni shokët e mi më të mirë.

Një ngrohtësi i zuri vend në gjoks, çka i dha udhë një buzëqeshjeje të formohej në sipërfaqe.
E besonte, sepse shoqëria e tyre qe forcuar mjaft që vitin e kaluar, atëherë kur u bë shok me Ergin. Miqësia e tyre lindi disi çuditshëm. Ergi, si një vëlla i painteresuar që ish për të motrën, për një vit rresht as që e kish vënë re se Najla shoqërohej me Brunon pothuajse çdo ditë. Ai nuk mundi ta linte vetëm kur kuptoi se Najla kish më tepër shoqëri me të dhe me miqtë e tij, sesa me shokët dhe shoqet e klasës së vet. Kish vënë re se këta të fundit nuk silleshin aq ngrohtë me të, ndaj e kish mbajtur pranë vetes si ta kish motër të vogël.

Mos më harroOù les histoires vivent. Découvrez maintenant