13

127 17 89
                                    

Gjumi i doli në orën dy të pasdites, atëherë kur rrezet e diellit kalonin hareshëm perden për të rënë vija-vija në jorganin e bardhë. Rrudhi fytyrën prej dhimbjes. Kokën ia godisnin nga të gjitha anët me çekanë, ndërsa dora e vendosur në allçi shponte dhe dhimbte pareshtur.

U ngrit ndenjas dhe zgjati dorën e djathtë te komoja, prej nga mori qetësuesin që i kish rekomanduar mjeku. E vendosi mbi gjuhë, piu një gllënjkë ujë dhe u përtyp me zor.

Po qëndronte mbështetur mbas kokës së krevatit me sytë mbyllur kur një aromë e djegur ia ngacmoi hundët. Bëri përpjekje të ngrihej vrulltas, me mendimin se Ergi duhej të kishte harruar diçka ndezur dhe me shumë mundësi kishte marrë flakë, por dhimbja gati e la pa frymë kur dora e thyer iu përplas me komonë. E përtheu trupin përpara aq sa u bë një grusht, pa dashur të bërtiste sa të shqetësonte komshinjtë ngjitur.

-Obobo, e dogja, - dëgjoi ankesën e pashpresë të Ergit nga dhoma e ndenjies.

E shau nën zë, me dhëmbët ende ngjeshur njëri pas tjetrit. Do t'i kish kursyer vetes një dhimbje përvëluese po ta dinte se ai ishte atje.

Te dhoma e ndenjies shkoi më vonë, kur më në fund mes psherëtimash dhe rënkimesh, arriti të ndërrohej në veshje të tjera dhe të kalonte gjithë rutinën pas gjumit.

-Çfarë dogje? - qe pyetja e parë që i bëri kur u gjend përballë tij.

-Një gjellë. Tani porosita sufllaqe.

Çuditej se si nuk i kish rënë aq shkurt që në fillim. U ul ngjitur tij në divan, pa dëshirën më të vogël për të ngrënë.

-Si je sot?

-Mos më pyet, dhemb si dreqi. Ke folur me mamin? Më kishte marrë dy herë në telefon.

-Fola. Ishte bërë merak që s'i ishe përgjigjur.

-Çfarë i the? - pyeti pa mundur t'ia ndante sytë kuzhinës ku ishte bërë një katrahurë e vërtetë. As dhjetë duar s'do t'i mjaftonin për ta rregulluar.

-E gënjeva, i thashë që ishe te një shoqe. Mos bëj gafë t'i tregosh çfarë ndodhi, mirë? As Brunon mos ia zër fare në gojë, fare.

U ngërdhesh lehtë pasi mori një pozicion më të rehatshëm në divan, me këmbët që i vendosi mbi tavolinë. Tani e tutje kish gjithë mundësitë e botës për të kuptuar se çfarë fshihej në të shkuarën e saj. Nuk do ta linte në mëshirë të harresës, këtë e kish vendosur. Dhe meqënëse kohët e fundit shumë gjëra kishin filluar të mos i bënin sens, ndoshta s'bënte gabim nëse pyeste aty-këtu.

-Mirë, e kam marrë vesh që mami e urren Brunon, por jam kurioze pse.

-Sepse...- heshti teksa mendonte disa çaste. -Sepse mendon që Bruno ka bërë diçka të gabuar.

-Si për shembull çfarë? - pyeti me zërin e mëdyshur.

-Mjafton të dish që nuk ishte faji i Brunos, disa gjëra kanë qenë jashtë kontrollit të tij.

-Faleminderit Ergi, ishe shumë i qartë.

Rrotulloi sytë me një psherëtimë ndërkohë që dëgjoi zgërdhirjen e tij. Ai dinte diçka më tepër, ishte e sigurt për këtë, por sado që shumë gjëra e bënin te mendonin se Ergi e dinte lidhjen e saj të dikurshme me Brunon, sërish nuk i dukej aspak e logjikshme.

-Meqë jemi te Bruno, edhe ai më mori në telefon të më pyeste për ty.

-Po, më kishte marrë edhe mua. Mendoj të shkoj ta takoj. Di gjë a është në punë?

-Mbaron në orën nëntë. E di që të shkoi shumë mirë mendja? Ti shkon te Bruno, unë do marr Kejsin këtu në shtëpi.

Mendoi se ai po tallej, por fytyra dhe sytë e tij të lumtur nga ideja "gjeniale" e bënë të kuptonte se e kish gabim.

Mos më harroDove le storie prendono vita. Scoprilo ora