15

117 17 44
                                    

Dalja prej taksisë qe e vrullshme. E njëjtë qe dhe mbyllja e derës së makinës, aq sa mbas vetes arriti të dëgjonte të bërtiturat dhe sharjet e acaruara të taksistit. Megjithatë nuk i bëri përshtypje. Përveç rrahjeve aq të frikshme të zemrës dhe fjalët "ju jeni të fejuar", asgjë tjetër s'mund të ndikonte në emocionet e saj të bëra përshesh.

Kaloi kangjellat e hekurta që rrethonin stacionin e policisë dhe mjaftoi një shikim i vetëm për të vënë re trupin e Brunos. Qëndronte diku në cep së bashku me Enion, ky i fundit duke e përmbushur më së miri lutjen që Najla i kish bërë nëpërmjet telefonit fill pasi qe larguar nga Rovena.

U detyrua ta thithte ajrin sikur të ishte hera e fundit që do kryente një frymëmarrje, pa mundur ta fshihte dhimbjen që iu krijua në fytyrë prej sëmbimit të vrazhdë në kraharor.

Ai më në fund arriti ta vinte re. Nuk e kuptoi se si arriti t'i bënte ballë peshës së rëndë të shikimit të Brunos, rëndësi kish që hapat në tokën e fortë e çuan shumë shpejt pranë tij.
Enio u largua pa thënë çerek fjale ndërkohë që Najla luftonte të mbante brenda syve lotët e hidhur.

-Çfarë kërkon Najla? - ia priti Bruno ftohtë pa ia ndarë sytë.

-Si munde të ma mbaje të fshehtë, Bruno? Si?

Mezi i formuloi ato fjalë. Lëndim në çdo tingull që zëri krijonte, dridhje të tjera të pavullnetshme të trupit.

-Çfarë? - pyeti ai me gjysmë zëri.

-Që jemi të fejuar! Pse dreqin duhet që këto gjëra t'i marr vesh prej një personi të panjohur?!  E ke idenë se në ç'gjendje jam?!

-S'mund ta diskutojmë këtu këtë bisedë.

-S'më intereson! Do ta diskutoj ku të dua meqënëse ti as që kishe ndërmend të më tregoje!

Ai e kapi nga krahu pa folur, gjest që e shtyu Najlën ta tërhiqte krahun pas vetes me forcë.

-Nuk mund të më shmangësh këtë herë, do m'i tregosh të gjitha.

-Më vjen keq, në rregull? - i tha duke i qëndruar pranë. -Më vjen keq për gjithçka, por më beso kur them se çdo gjë po e bëj për të mirën tënde.

-Nuk dua të bësh asgjë për të mirën time! Dreqin! Jemi... të fejuar! Si munde të mos ma tregoje diçka të tillë, për atë Zot?! Si mundët të gjithë të më gënjenit?! Ti, mami, Ergi...

Vendosi duart në kokë duke bërë disa hapa të vegjël rreth e rrotull, pastaj, kur kuptoi se as lëvizja s'po e ndihmonte për të hequr ndjesinë e të qarit, ndaloi sërish, loti i parë duke i rrjedhur në faqe.

-Mos qaj, të lutem.

Arrinte të shihte turbullazi se si vetullat e tij qenë rrudhur prej trishtimit. Ia vuri re duart që i shtrëngoi fort në një grusht, si të kish frikë se në të kundërt do shkonin te faqet e Najlës për t'ia fshirë lotët.

-Pse ma bën këtë? - pyeti me ngashërimë. -Të duket se çdo gjë bëhet më e lehtë duke u sjellë në këtë mënyrë? Kur një herë më mban larg dhe një herë më afron?

-E urrej veten për mënyrën se si po sillem me ty, nuk e meriton këtë gjë, por...

-Ku janë unazat? - e ndërpreu pasi u largua prej tij.

-Por nuk kam zgjidhje tjetër, - vazhdoi fjalinë.

-Ku janë unazat?

Bëri një hap larg, edhe pse kështu e la të ftohtin t'i përplasej në çdo pjesë që tashmë nuk mbrohej më prej trupit të Brunos.
Vështrimi i ngurtë që i dha nuk linte vend për diskutime, aq sa ai, pas një psherëtime të thellë, lëvizi me njërën dorë bluzën në nivelin e qafës derisa tërhoqi varësen e fshehur poshtë bluzës. Dy unaza qëndronin varur në të. Me gurin e pathërrmueshëm në fyt, zgjati dorën derisa ndjeu në të varësen bashkë me unazat.

Mos më harroWhere stories live. Discover now