-Disa kujtime ndodh që të mos rikthehen kurrë, Najla, - pranoi doktoresha me kujdes ndërkohë që shihte Najlën me dhembshuri.
U përpoq t'i merrte lehtë në shpirt ato fjalë, por qe proces i lodhshëm. Fërkoi ballin me dorë si të kish diçka që e bezdiste, kur ndërkohë thjesht kërkonte kohë për të pranuar fjalët që doktoresha sapo i kish thënë. Nuk foli, në pritje të fjalëve të tjera të saj. E teksa priste, sytë i mbante ngulur te një vazo në tavolinë që mbante një kaktus të vogël. Preheshin butë rrezet e drekës mbi atë lule plot jetë.
-Kjo nuk varet vetëm nga shkalla e dëmtimit të trurit gjatë aksidentit, por edhe nga traumat emocionale. Nëse ndodh që një ngjarje të jetë aq shumë traumatike, sa truri e ka të pamundur ta përballojë, ai zgjedh ta bllokojë atë kujtim si një mekanizëm mbrojtës. E di që dëshiron të kujtosh çdo gjë të së shkuarës sate, por përpiqu të kuptosh se sado që humbja e kujtesës mund të duket e tmerrshme, ndonjëherë është edhe një bekim. Ti nuk kujton asgjë që ka lidhje me mënyrën se si e humbe kujtesën. Kjo po të mbron nga një barrë shumë e rëndë emocionale.
-Por kjo nuk është gjëja e vetme që nuk kujtoj, - u ankua duke lëvizur më në fund shikimin prej kaktusit të vogël, në drejtim të doktoreshës. - Shumë momente me familjarët e mi janë fshirë si të mos kenë ekzistuar kurrë. Kam humbur kaq shumë gjëra...
-Të lutem, ji më e butë me veten. Mos ushtro shumë presion për këtë çështje. Si thua, nuk do jetë më mirë sikur të fokusohesh në kujtimet që je duke krijuar tani? Në njerëzit që ke pranë? Kujtimet e dikurshme ndoshta kthehen, ndoshta jo, por ti ke në dorë të krijosh gjëra të tjera, shumë herë më të bukura. Mundohu për këtë dhe jepi kohë trurit të procesojë gjërat në momentin e duhur.
Çliroi frymën që po e mbante pa e kuptuar në kraharor, pastaj mori në dorë çantën e krahut para se të ngrihej.
-Ke të drejtë, po fiksohem shumë me këtë çështje.
-Është mëse normale duke marrë parasysh rrethanat. Eja sërish po pate diçka që dëshiron ta diskutosh, mirë?
-Në rregull, shumë faleminderit. Mirupafshim.
Shtrëngoi dorën e saj para se t'i hidhte një shikim të fundit dhomës së rregullt, për t'u ndeshur më pas me korridoret e spitalit. Me hapa të shpejtë, por të kujdesshëm, doli në ajrin e freskët të muajit Mars. Thithi fort në mushkëri aromën e mirë të luleve jasemin nga një lokal pranë, ndërkohë që xhaketën e shtrëngoi lehtë mbas vetes për të luftuar erën që po synonte t'ia rrihte trupin.
Po ecte me hapa të qetë, me shikimin përballë në rrugët e populluara prej njerëzve, mendimet si rrjetë merimange në trurin e saj.
Po bëheshin dy vite e nëntë muaj që Bruno qëndronte në burg, dhe muajt që kishin mbetur po i dukeshin më të gjatë se shekujt. Me entuziasmin e një fëmije katër-vjeçar priste ditën e vizitave kur më në fund shihte fytyrën e tij, por minutat në dispozicion rridhnin tmerrësisht shpejt dhe zvarrë i tërhiqte këmbët për t'u larguar nga ai.
Herën e kaluar e kish gjetur me temperaturë të lartë dhe me ethe, e pavarësisht gjendjes në të cilën ish, ai nuk kishte mundur të qëndronte shtrirë pa parë sytë e saj. Ishte larguar prej burgut plot frikë, sikur një dorë e padukshme të kishte lidhur fije në trupin e saj dhe ta tërhiqte pas si marionetë. Vetëm lutej vazhdimisht, duke shpresuar që ajo lutje të arrinte qiellin dhe të gjente një përgjigje.Hapi telefonin për t'iu hedhur një vështrim numrave në të. Më pak se gjashtëmbëdhjetë orë për ta takuar sërish Brunon.
Nuk shtyhej. Asgjë nuk shtyhej.Psherëtiu rëndë dhe hodhi sytë rrotull në lokalin që e kish veç tre hapa larg. Mikeli qëndronte brenda. Duhej të kish kohë që e priste.
Pas daljes nga burgu një muaj më parë, ai i kishte kërkuar të takoheshin për të biseduar. Fillimisht kishte dashur ta refuzonte, por ndërroi mendje kur kujtoi ndihmën që i kish dhënë Brunos. I detyrohej një falje të vogël dhe një sqarim të së vërtetës, njëjtë siç i kish treguar Iljonës të shkuarën e vet.
YOU ARE READING
Mos më harro
RomanceNajla ishte e bindur se kishte rikthyer gjithë memorien që kishte humbur vite më parë, ndaj më në fund vendos të fokusohet plotësisht në krijimin e një fillimi të ri. Gjithçka dukej mirë. Fillimi i universitetit nuk ishte aq i tmerrshëm sa kishte m...