-Më kishte marrë malli shumë për ty, Najla, - u shpreh Armela me lot ndër sy, pa e shkëputur kapjen që i kish bërë dorës së Najlës që prej fillimit. -Ta kam ndier shumë mungesën.
-Do takohemi shpesh tani e në vazhdim, derisa ti dhe xhaxhi Erjoni të thoni "u mërzitëm".
Tjetra qeshi çiltërsisht, me vështrimin herë nga vajza e herë nga Bruno. Nuk e kish parë Brunon kaq të lumtur prej vitesh, të cilët ishin ndier si shekuj. Rrezatonte aq shumë gëzim, aq paqe, ku të dyja këto kishin munguar në familjen e tyre që para katër vitesh, dhe kishin arritur majën vitin e kaluar me humbjen e Ermaldit.
-Vetëm prej teje nuk mërzitemi. E di që keni shtëpinë tuaj, po na vizitoni më shpesh, mirë? Se nuk shtyhen ditët.
-Do vijmë kur të mundemi, të premtoj.
-Po Kamela... është këtu?
Marrëdhëniet e tyre qenë djegur si letër që pas aksidentit të Najlës. Me ta marrë këtë të fundit në Itali për t'u shëruar, ajo nuk pat guxuar të krijonte një shteg lidhjeje që i kujtonte të shkuarën e kobshme.
-Po, - u përgjigj në gjemba disi e rezervuar.
-Mund të takohemi?
-Hmm... Ndoshta ndonjëherë tjetër?
Tjetra nuk tha gjë pas asaj pyetjeje të thënë pafajësisht, e sigurt se diçka ish prishur në lidhjen nënë e bijë.
-Të më falësh pak, duhet të jetë duke telefonur Erjoni, - kërkoi Armela ndjesë kur dëgjoi telefonin tek binte në dhomën tjetër.
Kur ngelën vetëm në dhomë, në atë vend që për hir të së vërtetës nuk i shëmbëllente më mjedisit aq të ngrohtë të së shkuarës, ndjeu Brunon tek luante me flokët e saj të gjatë.
-Ndoshta Kamela ndërron mendje kur të bisedojmë sot, - theu heshtjen, i sigurt se Najla ish duke torturuar veten me mendime rreth së ëmës.
-Nuk e di Bruno. M'u duk shumë e vendosur në fjalët që më tha dje.
-Kanë qenë fjalë të thëna në inat e sipër, - insistoi më tepër në të tijën.
-E njoh mamin më mirë se ti. Edhe po nuk e ndjeu diçka që thotë, është krenaria ajo që nuk e lejon të bëjë hapa pas.
-Krenaria për hir të vajzës edhe shtypet.
-Mhm, meqënëse e thua ti, - tha e përkëdhelur teksa mblidhej në kraharorin e tij si një mace që kërkonte ngrohtësi, paçka se nuk besonte në atë çka ai kish thënë. -Ajo duhet të jetë shumë e acaruar, ndoshta të thotë diçka që të lëndon.
-E di që do thotë, dhe e di që do ketë të drejtë. Është nënë, normal që do shqetësohet.
-Drejtësia është tjetër, ofendimi është tjetër, - aludoi qetësisht me vështrimin në sytë e tij.
-Kështu thotë lulja ime blu? - bëri shaka tek i linte një puthje të vogël në majë të hundës.
-Kështu është.
-Erjoni thotë se ka shumë punë, - ndërhyri Armela që sapo kish hyrë në dhomë me telefonin në dorë. -Të kërkon shumë ndjesë që nuk mundet të vijë tani për të të takuar, por ka një operacion të rëndësishëm para.
-S'ka gjë, do takohemi më vonë. Ndoshta vjen para se të ikim, - u përgjigj duke u rikthyer në pozicionin fillestar që kish pasur.
-Po nëse qëndroni sot këtu?
Vështroi nga Bruno e mëdyshur. Pa mbyllur punë me të ëmën, do ta kish vështirë të jepte një përgjigje mbi atë çështje. Dhe për më tepër Bruno ish fiksuar që brenda asaj dite të shkonte në polici dhe të jepte dorëheqjen, çka deri tani e kish zvarritur për t'i bërë qejfin Najlës.
YOU ARE READING
Mos më harro
RomanceNajla ishte e bindur se kishte rikthyer gjithë memorien që kishte humbur vite më parë, ndaj më në fund vendos të fokusohet plotësisht në krijimin e një fillimi të ri. Gjithçka dukej mirë. Fillimi i universitetit nuk ishte aq i tmerrshëm sa kishte m...