3

386 38 164
                                    

-Nuk besoj se kemi ngatërruar rrugë, apo jo?

I kishte shkuar frika deri në palcë. Pylli edhe gjatë ditës dukej i errët, pemët i dukeshin sikur do këputeshin e do ta zinin nga poshtë, pale edhe ato retë e errëta të ngarkuara me shi që e bënin më të frikshëm peizazhin.

-Jo, mos u shqetëso, jam i sigurt se kjo është rruga për te biblioteka.

Qetësia e tij e thellë, hapat e sigurt që merrte, sikur asgjë në botë të mos e lëndonte e të mos i bënte dëm, i shkaktuan jo pak çudi Xhejsit, kësaj vajze thellë të brishtë e jashtë të fortë si plumb.

La qetësinë të pllakoste midis të dyve, atë heshtje të rëndë mortore që aq shumë për shtat i shkonte gjendjes në të cilën ndodheshin, dhe qetë e kujdesshëm hidhte sytë përreth për të kapur ndonjë gjë të pazakontë apo dëmprurëse.
Nuk u ndesh me asgjë nga ato që priste, përveçse me bibliotekën e zymtë dy katëshe plot lagështirë mureve, ku ngjitur tyre disa bimë ishin kapur fort e vazhdonin ngjitjen e tyre deri në majë të ndërtesës.

-Përse është në këtë gjendje? - e pyeti Marvinin kurioze pa ndaluar, duke vazhduar të ecte me hapa të lehtë e ndërkohë e kishte të pamundur të mos e ekzaminonte më mirë atë vend të trishtë.

-Ka vite që askush nuk vjen më këtu. Kjo pjesë e pyllit është bërë e pabanueshme që kur ndodhën të njëjtat masakra që u përsëritën edhe këtë vit. Njerëzit kanë frikë të shkelin këtë tokë ku aq shumë gjak është derdhur.

Duke u përpjekur të hiqej sikur asgjë në botë nuk kishte ndikuar në gjendjen e saj, që ta frikësonte e t'ia bënte mishin kokrra, iu afrua disa hapa pranë Marvinit.
Nuk kishte faj, apo jo? Ai ishte i armatosur, ajo jo. Ai ishte i aftë të përballonte sulme të mundshme, ndërsa ajo me siguri do të bëhej preja e këndshme e çdo lloj grabitqari, qoftë ky njeri a kafshë.

-Ohh, s'paska as dritë. Bukuri, - turfulloi e zhgënjyer kur u fut brenda bibliotekës.

Në errësirë (sepse Xhejsi betohej që vetëm disa rreze të dobëta e pothuajse të padukshme dielli arrinin të hynin aty), filluan të kontrollonin nëpër raftet e pluhurosur e me rrjeta merimangash.

-Si fillim më duhen disa fjalorë. Jam kurioze të di se ç'ka dashur të komunikojë ky person me ato poezi, e sidomos me disa fjalë kyçe që pikasa.

Marvini pohoi heshtur me një tundje pothuajse të padukshme të kokës.
Iu futën punës me një zell që askush prej tyre nuk e shprehu, por që e ruajtën brenda vetes si një ndjenjë që do t'u jepte motivim deri në përfundimin e punës.
Por nuk do të shkonte shumë kohë kur nervat t'iu bëheshin çorap e Xhejsi të kuptonte se ishin duke kontrolluar në raftet e gabuar.

-Këtu nuk do të gjejmë gjë. Ka vetëm libra të politikës e të luftërave nëpër botë. Do bënim mirë të shihnim lart.

Sërish u vendosën në lëvizje për të shkuar në katin e dytë. Ecnin me ngadalë në shkallët që u tundeshin poshtë këmbëve e që i bënin të mendonin se nga momenti në moment do të shembeshin.

Dhoma ku u gjendën, më e madhe e me po të njëjtin ndriçim si dhoma e parë, por disi e frikshme për shkak të errësirës që mbizotëronte në raftet e fundit, e bëri Xhejsin të detyrohej të thithte ajrin erë myk për t'u siguruar se akoma mund të frymonte.
Kurrë nuk i kishin pëlqyer vendet e errëta, as ato të mëdha, as boshet, as të vjetrat.

Duke lënë mënjanë ato mendime, përveshi mëngët e vazhdoi sërish punën që kishte nisur pak më parë. Krahët i rëndoi me jo më pak se pesë libra të trashë qindrafaqësh, të cilët i gjeti më lehtë seç e kishte parashikuar.
Kur u kënaq me punën që kishte bërë, buzëqeshi vesh më vesh e u kthye nga Marvini.

-Gjete gjë?

-Po, - dhe ngriti në ajër dy libra të tjerë. - Mendoj se mjaft janë këta që u gjetën. Edhe me kaq e do lodhesh shumë.

-Oh, mos u shqetëso, - i foli e habitur kur pa tiparet e tij të përfshira nga një ndjenjë e lehtë meraku. - Do më ndihmojë Dilani.

Ecte me shikimin drejt teksa thoshte ato fjalë, por ndërkohë, para se të dilte, shikimi tërthorazi i rrëshqiti në raftin pranë: një fytyrë ujku ishte skalitur mahnitshëm në drurin e errët.

I shkoi pranë dhe lehtazi e preku me dorë. Një zë ndihmues brenda vetes i tha se diçka fshihej në librat e atij rafti.
Me shumë siguri do të kishte bërë një hap nëse terri, që i ngjasonte një pusi të errët pa fund ku as rrezja më dritëpakët, më e vogël e diellit nuk depërtonte dot, nuk do ta kishte bërë të stepej.

-Duhet të vijmë herë tjetër për të kontrolluar këtu, mirë?

E pa Marvinin në sy kur i fliste, u mjaftua me një "po" të ngurtë të dalë nga ato buzë njëjtë si ngjyrë qershie dhe u larguan.

-Mund të të ndihmoj edhe unë nëse ke nevojë për diçka, - filloi ai bisedën teksa po zbrisnin shkallët ngadalë, por Xhejsi, e cila ishte në mëdyshje për këtë gjë, pasi e dinte se Dilanit s'do t'i vinte mirë nëse e merrte në shtëpi, i dha një përgjigje që në fakt nuk e ndiente.

-Nuk besoj se do jetë nevoja. Ndoshta arrij të kuptoj ndonjë gjë me Dilanin, sado që ai...

Këmba i rrëshqiti në një pjesë të lëmuar të shkallëve, çka bëri që fjalët t'i ndërpriste në mes e të nxirrte prej buzëve një pasthirrmë të frikësuar. Librat i rrëshqitën nga duart, vazhduan rrugën e vet derisa arritën në sipërfaqen e sheshtë.
Ndërsa ajo nuk u ndesh me tokën, as me disa cifla majëmprehta druri që i kishte vënë re që në fillim, por u ngjesh fort pas një kraharori të gurtë, e kapur nga dy krahë të shkathët që e shtrëngonin butë pas vetes.

Me frymën e shpeshtuar nga frika e me rrahjet buçitëse të zemrës, vështronte pa shkëputje në sytë e Marvinit. Duart e holla ia kishte vendosur fort në shpatulla, ndërsa këmbët i ndiente çerekun në shkallë e pjesën tjetër në ajër. Nëse nuk do ishte për të që vazhdonte ta shtrëngonte, ajo krejt lehtësisht do ishte rrokullisur shkallëve si ndonjë top futbolli.

-Kujdes. Mund të lëndohesh kështu.

Zëri i tij i thellë, tejet burrëror, apo ajo nënqeshje tërheqëse që arriti të kapte në më pak se një sekondë në buzët e tij, i bënë përshtypje.

Mërmëriti dobët një falenderim para se të ulte shikimin e të ndiente Marvinin ta ulte një shkallë më poshtë, si të kishte kapur një fëmijë të vogël kopshti.

Mblodhën librat, pastaj pjesën tjetër të rrugës e bënë pa shkëmbyer as edhe një fjalë të vetme, pa thyer dot ato akorde të mbrapshta të një melodie shurdhe.
Kur arriti përballë shtëpisë së vjetër, u kthye nga ai dhe e vështroi miqësisht.

-Mirupafshim. Besoj se do shihemi sërish së shpejti.

-Mos ngurro të më telefonosh në çdo moment, qoftë ky ndonjë çast që e sheh të papërshtatshëm.

Një buzëqeshje e lehtë dhe e pavetëdijshme iu ravijëzua në fytyrë.
Nuk i tha gjë tjetër, por lëvizi kokën lehtë për të miratuar dhe i ktheu shpinën.

Për të improvizuar një trokitje që normalisht do bëhej me nyjet e gishtave të dorës, në pamundësi përdori majën e këpucës për të trokitur në derë.

Uli shikimin ndërkohë që priste duke u dridhur lehtë prej të ftohtit.
Mendimi i vetëm që mund t'i shkonte në mendje, ishte ky: Mrekulli! Ja ku vjen dhe një tjetër natë që do ta kaloj pa gjumë!

Hëna e përgjaktëWhere stories live. Discover now