Elektriku i ra përtokë e xhami i hollë u bë cifla-cifla. Drita ngadalë filloi të shuhej. Bashkë me të, edhe ajo do të donte të zhdukej që aty e të gjendej kudo tjetër, dreqin, edhe me Brajdin, njeriun që urrente më së tepërmi do pranonte të qëndronte, mjaft që të mos ishte aty.
Si helm filloi të përhapej paniku në trupin e saj. I gjithi trupi i dridhej, fryma i mbahej e pompimet e zemrës po ia vrisnin kraharorin. Këmbët nuk dinte nga t'i kthente, as sytë nga t'i drejtonte, sepse gjithë çka shihte ishte vetëm errësirë gllabëruese.
Një tjetër ulërimë e gjatë dhe e uritur ujku.
Gulçonte e rënkonte nga tmerri që e pushtoi të gjithën. E hallakatur plotësisht, filloi të vraponte midis rafteve, pa e ditur se ku shkelte apo me çfarë do të ndeshej. Kur duart i prekën murin dhe një tavolinë të vogël studimi, përkuli trupin e u fsheh poshtë saj.
Vendosi dorën para gojës kur një pasthirrmë i shpëtoi prej frikës në momentin që ndjeu se si ujku po ngjiste shkallët ngadalë. Çdo zhurmë që bënin drurët e vjetër ku ai shkelte, ishin si bisturi që çanin akoma dhe më thellë trupin e saj të mbledhur sa një grusht.
Telefonin. E kishte në xhep. Por te cili?
Si e marrë filloi të kontrollonte nëpër ta, me vështirësi hapte zinxhirët që para duarve të saj ishin të ngrohtë furrë. E mendja nuk i shkoi te thika e vogël që kishte marrë me vete, aq e madhe ishte gropa e hutimit në të cilën kishte rënë.Një lot gëzimi e njëkohësisht ankthi i rrodhi në fytyrë kur dora i ndjeu të ftohtin metalik të telefonit. E nxorri ngadalë prej xhepit, në merak se mos ndoshta zhurmat që bënte tërhiqnin vëmendjen e ujkut.
Do ta hapte me të shpejtë sikur diçka tjetër të mos ia ndalte rrahjet e zemrës: reflektimi i ujkut në ekranin e telefonit, pikërisht disa milimetra larg kurrizit të saj.
Britma e saj e çjerrë u përzie me hungërimën e gjatë të ujkut, barku i të cilit mjerisht mund të ishte bosh.
Vraponte si e çmendur duke u penguar në tufat me libra që kishte nxjerrë, ndërkohë që nga raftet mundohej të merrte ç't'i kapte dora dhe ta godiste ujkun me shpresën për ta ndalur vrullin e tij, por asgjë s'funksiononte.
Kur këmba iu pengua në një karrige dhe ajo u rrëzua përtokë fort, mallkoi ditën në të cilën kishte shkelur për herë të parë në atë fshat të zymtë.
E tmerrshme ishte të shihte siluetën e errët të ujkut që u bë gati të hidhej mbi trupin e saj. Dhe u hodh.
Një britmë e gjatë dhimbjeje doli prej buzëve të Xhejsit kur ujku i la një kafshim të fortë në krah dhe vazhdimisht përpiqej të përmirësonte pozicionin e vet duke e shtrembëruar kokën, e njëkohësisht duke kafshuar më fort ne kënde të ndryshme të krahut të saj.Dhimbje të papërshkrueshme. Këtë ndjeu. Iu duk sikur krahu iu shkëput prej trupit e koka iu hap e gjitha prej dhimbjes që erdhi si pasojë e rritjes së madhe të presionit të gjakut.
Mendoi se do vdiste, se aty ishte shkruar që të mbaronte jeta e saj e shkurtër, sidomos kur dëgjoi sërish hapa në shkallë e mendimi i parë që i shkoi në mendje ishte "Oh Zot, një tjetër ujk."
Por ndoshta mund ta quante mrekulli atë që ndodhi. Ishte Marvini, për të cilin mendonte se ishte larguar nga shtëpia e saj prej mërzisë kur kishte kuptuar se ajo nuk do shkonte.
Sapo ai u gjend aty, ujku ndaloi së shkunduri krahun e saj sa nga njëra anë në tjetrën. U kthye ngadalë drejt Marvinit dhe ulëriti sërish, aq sa ulërima e tij çau qiellin.
Ajo vështronte në dhimbje, pa fuqi, me sytë gjysmë të mbyllur, duke rënkuar pambarim e duke shtrënguar fort krahun për të ndaluar gjakun që rridhte, por sa më shumë e shtrëngonte, aq më shumë rritej dhimbja.
Dhe të shihte dyluftimin midis Marvinit dhe ujkut të zi, ishte një tjetër dhimbje që po e shponte në tjetër vend. Kur kthetrat e ujkut prisnin lëkurën e tij, ajo ndihej sikur ishte duke u prerë e saja. Vetëm qante heshtur pa mundur të hapte gojën apo të lëvizte qoftë edhe pak për ta ndihmuar.Por ai çuditërisht mbahej në këmbë. Goditjet fatale të ujkut që Xhejsin do ta kishin bërë të vdekur, atë vetëm sa e lodhnin dhe ia vështirësonin disi më tepër ngritjen, por s'e bënin kurrë të dorëzohej, derisa një kafshim në këmbë e rrëzoi të gjithin përdhe, ndërsa kthetrat në kraharor ia errësuan shikimin.
Pikërisht në atë moment asaj i shkoi ndërmend se aty diku në tutat e saj, atje në xhepin e thellë që në fillim s'e kish pëlqyer, gjendej shpëtimi i saj dhe i Marvinit.
-Marvin, - pëshpëriti në dhimbje emrin e tij.
Ai ktheu kokën nga ajo ndërkohë që përpjekjet e tij të fundit synonin të hiqnin qafe ujkun.
Mblodhi forcat brenda vetes dhe e shtyu thikën në drejtimin e partnerit. Qe me fat. Arma e ftohtë ndaloi fiks në majat e gishtave të Marvinit. Me një shpejtësi të çuditshme ai e goditi ujkun fort në shpatull, prej të cilit doli një tjetër hungërimë e ethshme, tmerruese, më pas një kuisje si këlyshët e padëmshëm, derisa u kthye e u largua që aty me nxitim.
Vështroi rrotull pa mundur të ngrihej.
Hëna filloi të ndriçonte ngadalë atë kthinë ogurzezë, duke hedhur disa fije të dobëta drite mbi trupin e palëvizshëm të Marvinit.E thërriti sërish. Këtë herë, ai nuk e ktheu kokën drejt saj, nuk bëri asnjë lëvizje për t'i lënë asaj të kuptonte se ishte mirë.
Qëndronte i ngrirë në tokë, i akulluar, me një vijë të errët gjaku që rridhte nga trupi i tij drejt e në dyshemenë e ftohtë.-Marvin.
Për një çast dhimbjen e vet e harroi, njëjtë si të mos ish lënduar kurrë në botë. Fajtore për gjendjen në të cilën gjendej ai, u zvarrit me lot në sy drejt tij, derisa i qëndroi pranë dhe dridhshëm ia kapi trupin për ta lëvizur drejt vetes.
-Hapi sytë, - filloi t'i lutej e mbushur me ankth. -Hë pra, ngrihu, vetëm pak!
E shkundte dhe ndërkohë qante. Si t'ia bënte? Si ta telefononte ambulancën kur ai kërkohej nga policia? Si ta çonte në shtëpinë e saj kur ai ishte pa ndjenja e ajo me zor qëndronte vetë në këmbë?
E dëshpëruar dhe gati për të kaluar në marrëzi, nuk dinte se ç'fliste, se ç'bënte apo se ç'ndodhte rreth saj, derisa mendja iu rikthye sërish kur jashtë dëgjoi të vrapuara kafshësh dhe ulërima vajtuese ujqërish.
Iu duk sikur për herë të dytë zemra i ndaloi. Dhjetëra ujqër ndodheshin jashtë ndërtesës, dhjetëra egërsira që mund t'i çarvalitnin pa as më të voglin mundim. Dhe ata ishin të pambrojtur nga të gjitha anët, si të vegjlit kur ndodheshin larg ngrohtësisë së mëmës.-Jo, jo... Marvin... Marvin...
Po lodhej. Çdo fjalë që thoshte dhe çdo lot që i rridhte në faqe e mundonte dhe e sfiliste të gjithën, derisa s'mundi të mos përplasej përtokë dhimbshëm.
Ktheu për herë të fundit kokën nga Marvini dhe ngadalë ia kapi dorën e ngrohtë, për ta shtrënguar me aq pak forcë që i kishte ngelur.Çdo gjë në vazhdim iu duk si ëndërr. Gjysmë gjallë e gjysmë vdekur; kështu i dukej se ishte. Në veshë i vinin fjalë të largëta që nuk ua bënte dot lidhjen.
-Rrethoni gjithë vendin. Urdhri i Alfës! Asnjë i huaj të mos afrohet!
A ishin zëra njerëzish ata që po dëgjonte? S'ishte e sigurt. E ndërkohë ulërimat e ujqërve vazhdonin si një melodi e pambarimtë vdekjedashëse.
Hapa që u afroheshin më tepër, frymëmarrje të rënduara, fjalë të shkëmbyera me nxitim.
-Lunën, shpëtoni Lunën!
Pas këtyre fjalëve, asgjë tjetër s'mundi më të dëgjonte. Sytë iu mbyllën plotësisht e dora e saj e lidhur me atë të destinuarit rrëshqiti ngadalë e takoi tokën.
E morët vesh më në fund se kush është i destinuari 😜 Kloen1 Besoj se duhet të jesh e kënaqur xp
VOUS LISEZ
Hëna e përgjaktë
Loup-garouAq gjak u derdh atë natë, sa edhe hëna mori një tjetër ngjyrë, një ngjyrë gjaku... *** Pasi vendoset në fshatin e vogël Fordwich të Anglisë, jeta e Xhejsit ndryshon plotësisht. Tashmë nuk ka më një jetë monotone për të vazhduar, por shtatë vrasje mi...