Nga Bramshotti u larguan në të ngrysur, kur nata e vërtetë po fillonte të zaptonte atë hapësirë të vogël, të ngjeshur, të aftë për t'ua mbajtur frymën.
Gjatë gjithë kësaj kohe, e madje edhe ndërkohë që ishin duke pritur në tren për pasagjerët e tjerë, Xhejsi nuk ish kujtuar të fliste, aq e zënë ishte me mendimet e veta, me atë luftë mendimesh funebre, që aq qetë klithte në gjithë qenien e saj.-Por si mund të jetë e mundur Marvin? - foli më në fund nga hiçi duke ngritur kokën për të çuar vështrimin në sytë e tij.
Vështirë të thoshe se nuk ndieje acarim në fjalët e saj, apo në ato lëvizjet kuturu të duarve.
Ai e shikoi në sy krahëkryqëzuar, në një gjendje mendore jo më të mirë se e saja.-Si mundem të besoj se njerëzit-ujqër janë të vërtetë? Kam menduar gjithmonë se kanë qenë përralla të të parëve!
Marvini s'fliste. Ajo vazhdoi sërish.
-Nëse ua them të tjerëve këtë gjë, jam e sigurt se do më marrin për të çmendur, - këtu dukej sikur filloi të fliste me veten, me një zë më të ulët se normalisht. - Oh...nuk do më besonte askush. Por ç'të pres kur nuk besoj as veten? Oh, po, poezitë! Ndoshta më ka humbur ndonjë gjë atje që do të më...
-Hesht.
Aq zë të akullt kurrë s'kishte dëgjuar në jetën e saj, e aq më tepër prej Marvinit, i cili i ishte dukur tip i këndshëm e i afërt që prej fillimit.
E habitur me atë ndryshim të tij të humorit, ia nguli vështrimin sertë për disa sekonda.
Ai sytë i mbante diku mbrapa saj dhe shihte si të donte të digjte gjithë ç'i hante syri, thjesht me një shikim të dëbonte në fundin e botës kushedi se kë person.
Nofullat i ishin bërë më të dukshme si pasojë e shtrëngimit të fortë me njëra-tjetrën dhe prej inatit një damar në ballë i pulsonte lehtë.Ktheu kokën. Disa hapa larg saj vuri re një djalë, me shumë mundësi në të njëjtën moshë me të, që vështronte Marvinin duke u ngërdheshur lehtë, pastaj një seriozitet iu vendos në fytyrë kur pa Xhejsin, e në fund fare e hoqi shikimin për të vazhduar punën e vet me telefonin që mbante në dorë.
-Kush është ai tipi?
-Më vonë, të lutem, nuk dua që të flasim tani.
Arriti që ta bindte me atë ton disi më të kujdesshëm, ndaj dhe ajo e la me aq atë çështje dhe si për të justifikuar fjalët e Marvinit, mendoi se ai nuk donte që djali pranë tyre të dëgjonte bisedën që do bënin.
Hapi bllokun që të shtynte ato dy-tre orë udhëtim dhe një tjetër ide e çuditshme i erdhi në mendje.
"Zemrën tënde lëre brenda
Mos e bëj dhuratë askund."->Mos ia jep askujt/ mos u dashuro me të tjerë.
Edhe pse thellë mendonte se ishte një shpjegim që s'kishte për t'i hyrë në punë aspak, që ishte krejt i panevojshëm, sërish e çoi te puna e atyre krijesave fantastike. Kështu ndodhte dhe me njerëzit-ujqër, apo jo? Kur gjenin të destinuarën e tyre, nuk mund të duronin dot që njeriu i zemrës të dashurohej me dikë tjetër.
Sa gjë e mrekullueshme! Sikur vërtet...Mendimet iu ndërprenë. Ngjyra e fytyrës i iku e gjitha. U bë dyllë e verdhë, një verdhësi që kurrë s'e kishte pasur në gjithë ato njëzet e katër vitet e saj jetë.
Destinim. Shpirtra të parapërcaktuar për të qenë bashkë. Shënimi që vrasësi kishte lënë në mes të natës në shtëpinë e saj. Vrasësi...i destinuari i saj?...Nuk po mbushej dot me frymë, edhe pse kraharori i ngrihej lart i dëshpëruar. Një ankth i paparë i rrodhi në gjithë trupin dhe e drithëroi, i dha disa ethe të papërjetuara ndonjëherë.
Dorën e vendosi në gjoks e trembur. Jo, nuk bënte shaka, mezi frymonte, nuk gjente dot mjaftueshëm oksigjen.-Xhejs, çfarë ndodhi?
I shqetësuar, Marvini u përkul pranë saj dhe ia vendosi dorën në sup.
E pa në sy gati duke i rënë të fikët. Nuk e kuptoi se pse, por pa vetëdije ishte duke e lëvizur kokën majtas-djathtas, si të ishte duke mohuar me një forcë qiellore.-Mos...mos u shqetëso. Do më kalojë...Po më mbyt ky ajër i rëndë...
U kollit disa herë e sikletosur, e mbështeti kokën mbas xhamit të fortë dhe mbylli sytë ndërkohë që dorën vazhdonte ta mbante në gjoks. E ndiente zemrën njëjtë si ta kishte ndër duar, e ndiente të pomponte frikshëm, madje hutimi për një çast e bëri të mendonte se mos ndoshta ajo i kishte lëvizur vendit.
-T'i them shoferit të ndalojë? S'më dukesh aspak mirë.
Nuk e kuptoi merakun e tij, por nuk ishte në gjendje të bënte pyetje apo të fliste. Mohoi me kokë.
Nuk donte t'ia tregonte atë që mendja e saj kishte zbuluar. Ai ishte një polic. Një polic që me patjetër e donte të vdekur atë vrasës të pashpirt e mizor. E ndoshta mund të ish i tillë polici që asgjë në botë s'mund t'ia mbushte mendjen për gjëra fantastike si destinimi e shpirtrat binjakë.
Ndaj, edhe kur treni më vonë ndaloi kilometra larg shtëpisë së saj, ajo doli menjëherë që aty duke nxituar për të ikur e njëkohësisht për të marrë frymë lirisht.Marvini e ndoqi. Kur ndjeu hapat e tij, pa kthyer kokën, me ecjen e vazhdueshme të njëtrajtshme, foli:
-Takohemi ndonjëherë tjetër, nesër a kur ta shohësh të përshtatshme. Sot nuk jam në gjendje për të diskutuar gjë.
-Të paktën merr ndonjë taksi për të shkuar te shtëpia jote. Do lodhesh shumë.
-Aq më bën, - i tha duke lëvizur dorën shkujdesshëm në ajër. -Mos u shqetëso për mua, do jem mirë.
Ashtu edhe e la atë pas, të ngulur gozhdë në një pikë që asaj iu duk vërtet e largët kur instikti e shtyu të kthente kokën mbrapa. Por vazhdoi, vazhdoi sërish para e turbulluar.
Midis pyjeve, me frikën që i kishte ikur si shkak i dalldisjes që kishte pësuar prej mendimeve të errëta, ajo ecte me kokën lart pa as pikën më të vogël të merakut. Vrasjet i harroi. Tmerrin e asaj nate po ashtu. Në mendje i qëndronte vetëm ai që kryesonte gjithë këtë çështje: vrasësi.
I duhej ta gjente. Edhe sikur të ishte gjëja e fundit që bënte në botë.
VOUS LISEZ
Hëna e përgjaktë
Loup-garouAq gjak u derdh atë natë, sa edhe hëna mori një tjetër ngjyrë, një ngjyrë gjaku... *** Pasi vendoset në fshatin e vogël Fordwich të Anglisë, jeta e Xhejsit ndryshon plotësisht. Tashmë nuk ka më një jetë monotone për të vazhduar, por shtatë vrasje mi...