19

280 32 100
                                    

-Je shumë kokënoç. E di këtë, apo jo?

Fjalët e Dilanit e bënë të vinte buzën në gaz, edhe pse fytyra e tij ishte e ftohtë dhe e padepërtueshme si mur.

-Mirë që të bënë ligjëratë ty një orë plot, po për shkakun tënd më mbytën dhe mua me fjalë.

Dukej vërtet i acaruar, më tepër se gjithë herët e tjera. Një grimë keqardhjeje ndjeu kur e shihte ashtu, por edhe ajo së shpejti iu largua dhe ia la vendin një drobitjeje që s'donte ta shfaqte kurrsesi.

-Sa për ta ditur, Edvini e rregulloi punën me Flavion e nja tre policë të tjerë. Do vendosen përballë shtëpisë për të shmangur ndonjë katastrofë tjetër.

-Ç'thua?

I ra ballit me dorë dhe mbylli sytë e pakënaqur. Po merrte frymë thellë për të qetësuar veten.

-Ja, fiks kështu. Nuk e di si do ta rregullojnë me turnet, por që do të të shoqërojnë në çdo hap që hedh kjo është e sigurt.

Terezia iu prish e gjitha. E urrente kur planet që bënte i ktheheshin të gjitha përmbys që në momentin kur krijoheshin. Aq shumë iu prish fytyra, sa Dilani u pendua që ia kishte thënë ato fjalë në ato momente.

-Shiko, kam për të të treguar diçka, - tha duke sajuar një buzëqeshje për t'ia larguar disi mendjen.

Kontrolloi në xhepin e xhupit derisa nxorri që aty një fletë të palosur më katërsh.

-E gjeta në xhupin tënd, e vetmja gjë që s'kishte humbur.

Zemra e Xhejsit rrahu fort nga shpresa që lindi menjëherë.
E mori fletën me nxitim dhe e shpalosi duke iu ngatërruar gishtat me njëri-tjetrin. Ishin emrat e viktimave dhe moshat e tyre.
Ngadalë, buzëqeshja iu fik. E ç'do të bënte me atë fletë? Çfarë mund të kuptonte nga një grumbull emrash dhe shifrash krejt normale?

-Faleminderit , - u përpoq të dukej entuziaste për të mos mërzitur mikun, - të shohim se ç'do dalë prej këtyre.

-Ndoshta del ndonjë gjë Xhejs, mos u demoralizo.

Dhe përpjekjet e saj që ai të mos e kuptonte ikën kot.

-Jo pak herë fletë të tilla më kanë ndihmuar për të kapur ndonjë fjalë që më vonë më hynte në punë. Por po ta lë ty ta shohësh, besoj se lidhjen do ta bësh më mirë se unë.

Nuk foli. Vështrimin e mbante të ngulur në fletë duke reflektuar mbi fjalët që sapo kishte dëgjuar, por kokën e ndiente të rëndë për të qenë e aftë të kuptonte diçka, ndaj e vendosi letrën mbi komodinën pranë me idenë se do ta shihte sërish më vonë teksa priste t'i vinte leja për të dalë nga spitali.

-Do t'i shoh më vonë, tani s'mundem të kuptoj gjë.
Ahh, se tani u kujtova. Çfarë ka ndodhur me Brajdin?

-Bën regjim në shtëpi derisa të shërohet. Nuk e di se kur do kthehet.

Dilani shkundi supet, ndërsa ajo ngadalë filloi të vrenjtej në fytyrë si qielli që bëhej gri sa më tepër kohë kalonte.

-Çfarë i ka ndodhur?

-Të shpëtoi ty pra. Kështu na tha të gjithëve.

Ajo ngriti njërën vetull lart dhe nënqeshi plot ironi. Turbullt e kujtonte se si një djalë i huaj kishte telefonuar ambulancën dhe pastaj e kishte lënë në dalje të pyllit.

-Më shpëtoi? Dhe pastaj çfarë?

-Ujku e kishte kafshuar edhe atë.

Ngriu. Mijëra mendime filluan t'i kalonin në mendje aq shpejt, sa edhe vetë po bëhej lëmsh prej atyre që po mendonte. Nuk e dinte në ishin absurde idetë e saj, por tashmë gjithçka rrotullohej rreth një mendimi të vetëm, të cilin i dukej marrëzi ta tregonte.

Një trokitje u dëgjua në derë. Qe Dilani ai i cili foli kur vuri re se sa e përhumbur ishte Xhejsi.
Siç i thoshin një shprehjeje, "kujto qenin, bëj gati shkopin", brenda hyri Brajdi.

E vështroi thellë në sy pa asnjë shprehje në fytyrë, pa nxjerrë asnjë fjalë, edhe pse vuri re se si buzët e tij lëvizën për ta pyetur se si ishte.

-Lëre pak të mbledhë veten, s'ndihet aq mirë. Ti si ke qenë? Ndonjë përmirësim?

Dilani ia rrahu lehtë shpatullat për t'u dukur gjasmë miqësor, ama në momentin që e preku, fytyra e Brajdit u shtrembëruara e për një çast u kërrus nga dhimbja. Xhejsi sërish s'foli. Një tjetër arsye u shtua për të përforcuar absurditetin e saj.

-Mirë, mirë, s'kam asgjë serioze. Jam gati për t'iu rikthyer punës sime.

Fliste dhe sytë i mbante mbi të, pa shprehur ndonjë gjë në përgjithësi, pa transmetuar asnjë lloj ndjenje. Për një çast e ndali shikimin te letra e hapur mbi komodinë, pastaj nënqeshi në mënyrë të çuditshme dhe uli kokën poshtë.

-Më mirë të vij më vonë. Atëherë kur të jem i sigurt se do bëj një bisedë normale me Xhejsin.

U largua po aq shpejt sa ç'kishte hyrë brenda, por me një ndriçim tjetër në sy, një ndriçim inati.

-Xhejs, çfarë ndodhi?

Priste një fjalë prej saj, një fjalë të vetme për Brajdin që më pas lirisht të thoshte "e dija, asnjëherë s'kam besuar tek ai", por ajo vetëm sa shkundi kokën ngadalë e shokuar dhe i mërmëriti të dilte për pak kohë që të qëndronte vetëm. Pa bëzajtur, ai miratoi, duke e kuptuar se ajo kishte nevojë për kohë për të përpunuar mirë çdo gjë në mendjen e saj. Dhe atë bëri. Rëmoi për çdo imazh, çdo moment e çdo bisedë në memorien e saj dhe çdo gjë i dukej sikur i bërtiste "është njeri-ujk!". Çka nëse vërtet ishte? Çfarë do të thoshte kjo? Çfarë qëllimi kishte?

Mbështeti kokën në jastëkun e ngritur gjysmë dhe vështroi murin përballë. Psherëtiu. Pa ditur ç'të bënte tjetër, mori sërish fletën në dorë e acaruar dhe hodhi një shikim tjetër mbi emrat e vendosur në kolonë. Ajo çka nuk priste aspak të kuptonte nga ai vështrim aq i shpejtë dhe përgjithësues, ishte të lexonte fjalën "hene" të formuar nga shkronjat e para të katër emrave të parë.

Aq shpejt i rrahu zemra, sa iu duk sikur e kishte në dorë dhe e ndiente të pompomte, ia shihte çdo lëvizje ritmike të mrekullueshme.

Iu drejtua sërish emrit të parë dhe ndoqi radhën. "Hene, gjak". Menjëherë në mendje i trokiti libri që kishte hasur në bibliotekë, "Hëna e përgjaktë". Buzëqeshi pavetëdije.
Plot shpresë, njëjtë siç kishte bërë me emrat, filloi të bënte dhe me numrat, ashtu siç kishte parë të bënim agjentë të ndryshëm në qindra filma aksion. Mblodhi gjithë njëshet, i doli shuma njëzet. Mblodhi dhjetëshet, sërish e njëjta shumë. Më pas mblodhi çdo shifër, dolën gjithsej dyqind e njëzet. Jo më kot ishin shtatë persona të vdekur, afërsisht në të njëjtën moshë. Vetëm kështu do sigurohej përftimi i atyre fjalëve e numrave.

-Mendo, mendo, - i pëshpëriste vetes ngadalë teksa trokiste lehtë mbi ballë dhe mbyllte sytë për të kujtuar mirë çdo gjë që kishte kaluar në bibliotekë.

Nëntëmbëdhjetë libra, kaq kishte mundur të gjente. Nëntëmbëdhjetë libra bosh. Po nëse ekzistonte dhe një tjetër? Një i njëzetë që mund t'i jepte ndonjë informacion më tepër? Ndoshta mbi numrin dyqind e njëzet?

Sytë i hapi me nxitim dhe i nguli sërish në faqen e murit përballë, ku nuk kishte asnjë mobilje e asgjë tjetër që mund ta plotësonte atë boshllëk.

Tashmë s'mund të mendonte gjë tjetër. E vetmja gjë që i shkonte në mendje ishte se i duhej të shkonte sërish në bibliotekë.
Perfekte! Si të shkonte kur katër palë sy do të ishin plotësisht mbi të gjatë gjithë kohës?

Hëna e përgjaktëWhere stories live. Discover now