24

284 36 50
                                    

Arriti në shtëpi me një frymë. Asnjëherë më parë në jetën e saj s'ishte ndier aq e pashpresë dhe e brengosur. S'pyeste më për veten nëse ndiente dhimbje apo jo, donte vetëm të dinte që Dilani ishte mirë.

Jashtë shtëpisë dy policët vazhdonin të qëndronin në të njëjtin vend, pa ndonjë shprehi në fytyrë se diçka e tmerrshme kishte ndodhur. Gjithçka dukej e qetë, e bukur, e lulëzuar, sa nuk të jepej fare ndjesia për ndonjë fatkeqësi.

Flavio, pasi e la nën kujdesin e dy policëve të tjerë, u largua për të shkuar në spital që të merrte vesh gjendjen e Noas, ndërsa Xhejsi hapi derën e shtëpisë me nxitim dhe hyri brenda si e marrë. Vrullin e ndaloi menjëherë.

Dilani gjendej në dhomën e ndenjjes me telefonin në vesh. Fytyra e tij njëjtë si e një të vdekuri, e zbehtë dhe e humbur jetë, pa asnjë shenjë ekzistence apo gëzimi.

Të gëzohej që e shihte akoma në këmbë, pa asnjë lëndim e plagë? Apo të pranonte se zëri i brendshëm s'po e mashtronte e diçka e keqe me patjetër kishte ndodhur?

Telefoni rrëshqiti prej duarve të tij dhe takoi tokën. Sytë e Xhejsit u mbyllën vetvetiu për disa fraksione sekondash kur xhami i telefonit u thye e ciflat e tij u shpërndanë kudo.

Ngriti sërish vështrimin. Sytë e Dilanit qenë skuqur e lotët mezi i qëndronin brenda.

-Si arrite ta bëje diçka të tillë? - arriti më në fund të thoshte i tronditur.

-Çfarë...çfarë kam bërë? - pyeti duke iu ngatërruar fjalët me njëra-tjetrën.

Nuk po e duronte dot zemërimin me të cilin ai po e shihte, as zhgënjimin, as pikëllimin e thellë të pashërueshëm.

-Për fajin tënd.

Dukej se nuk po e mblidhte dot veten. Ajo gjendje e tij e vriste të gjithën, e plagoste.

-Për fajin tënd djalin tim e vranë! - nxorri më në fund ato fjalë të errëta nga goja, pastaj për pak desh ra nga dhimbja që ndiente.

Xhejsi s'mundi të fliste. Gjithë fjalët i ngecën në grykë e i shkaktuan një djegie të madhe fyti. Sytë iu rënduan nga sumbullat e lotëve që u krijuan menjëherë. E për një prind ç'shkatërrim më të madh mund të kishte se vrasja e fëmijës?

-Të kam besuar gjithnjë Xhejs. Si munde të mos ma tregoje diçka të tillë? Si s'të erdhi keq për një fëmijë?!

Jo vetëm i shkatërruar. Ishte i rrënuar, i vdekur për së gjalli, i pajetë.
Ndërsa ajo qëndronte përballë tij fajtore, edhe pse faji s'ishte plotësisht i saji. Kokën e mbante ulur që të mos e shihte dot dhimbjen në fytyrën e tij dhe as lotët që i rridhnin në faqe si asnjëherë më parë.

-Mbrojte një të panjohur dhe fute në dhe tim bir!

Mbylli sytë dhe shtrëngoi buzët fort që të mos i dilte ndonjë ngashërimë e mbytur.

-Më vjen keq...nuk doja, - arriti të thoshte me një zë të ulët gati të padëgjueshëm.

Ai heshti për pak çaste. Me hapa të vegjël i shkoi pranë e i ndaloi gjysmë metri larg.

-Nuk prisja të më zhgënjeje kaq shumë Xhejs, nuk prisja. Tani mund të vazhdosh, nuk të pengon asgjë tjetër të ndihmosh atë që do.

-Dilan, prit. Dilan! - i thirri nga pas me shpresën se ai do ndalonte, por kjo gjë s'ndodhi.

U largua duke përplasur derën fort e duke e lënë atë të vetme, pa njeri, me zemër të ndarë më dysh. Pse duhej që gjërat të shkonin deri në atë pikë?

***

Nuk i kishte munguar vendi i saj i lindjes. Aspak mall nuk ndjeu kur doli prej makinës e u has me pallatet e larta, me trafikun e shumtë e njerëzit që ngjanin si miza bezdisëse që grumbulloheshin vend e pa vend, por ishte e detyruar të kthehej, nuk mund të mungonte në varrimin e trishtë të të voglit. Përveç ceremonisë mortore që gati ia shkatërroi nervat dhe e futi thellë në mendime depresive, u bë dyfish më zi nga gjendja e tmerrshme në të cilën Dilani me të shoqen kishin rënë. Qanin, u këputën prej lotëve që derdhën aq sa në këmbë s'qëndronin dot, nëna e re klithte e ngashërimat e saj mbushnin vendin, thërrmonin kodrat e nxirrnin lot prej gurëve. Deshi t'iu afrohej për t'i ngushëlluar, ama mjaftoi një shikim i acartë prej Dilanit që ta ngulte në vend si pemë e as të mos mendonte t'iu shkonte pranë, jo më t'iu fliste.

Në atë moment zemra i dëshiroi si kurrë më parë Marvinin, krahët e tij që do ta shtrëngonin fort pas vetes e do ia vendosnin kokën në gjoks për ta qetësuar. Donte paqen e atij vendi që kishte lënë pas, pemët e larta të gjelbëruara, perëndimin e flaktë të diellit, madje edhe atë shtëpi të vjetër e të vogël që ia kishte cingërisur nervat në fillim.

Kur varrimi mbaroi e njerëzit po iknin, iu shkoi prindërve afër për t'i takuar para se të largohej.

-Pse, nuk do qëndroje sot ti? - e pyeti e ëma me vetullat e ulura nga trishtimi.

-Jo, më duhet të shkoj, kam shumë gjëra për të bërë.

U përpoq të vendoste buzën në gaz për të treguar se ishte mirë, por fytyra e zbehtë e buzët e thata tregonin të kundërtën.

-Rri, të paktën sonte, - iu lutën të dy duke filluar ta merrnin me të mira. -Të mblidhemi si dikur, të bëjmë ndonjë bisedë së bashku. Hajde, do jetë një çlodhje edhe për ty. Shiko pak si je bërë.

E ëma ia mori fytyrën në duar si të ishte akoma ajo vajza e vogël topolake e shtatshkurtër.

-Je e verdhë dyllë. Dukesh që nga sytë që je e lodhur. Si do largohesh në këtë gjendje?

E gjendur pa rrugëdalje, pikërisht në një pikë ku nga të gjitha anët ishte e rrethuar, vendosi të dorëzohej.

-Mirë, do vij, por nuk do qëndroj shumë. Do marr një sy gjumë e do largohem.

Fytyrat e të dyve shndritën lehtë nga gëzimi, çka bëri që edhe në fytyrën e saj tashmë të vendosej një buzëqeshje e sinqertë, ndonëse e vogël.

Brenda pesëmbëdhjetë minutave, makina e tyre arriti përballë shtëpisë së bukur dykatëshe. Vazhdonte të ishte siç e kishte lënë: me një ngjyrë të ëmbël qumështi, çatitë gri të pjerrëta, dritaret e mëdha drejtkëndore që zbulonin detaje të vogla të pamjes së brendshme të shtëpisë, dhe me derën e lartë që akoma vazhdonte të ishte e zbukuruar për festat e fundvitit, ndonëse tashmë bëhej gati një muaj që ato kishin kaluar.

Mori frymë aq thellë, sa për një çast iu duk se do pëlciste si zog.
Mirë, e pranonte, ndoshta ndiente pakëz mall për atë shtëpi të dashur që ruante kujtime të këndshme, dhe posaçërisht pak më tepër mall për atë dhomën e saj të vogël që e lejonte të shihte perëndimin e mrekullueshëm të diellit.

Hynë brenda. Prindërit e saj po bënin ato bisedat e tyre të zakonshme të punës ndërkohë që ajo hidhte sytë përreth si e huaj. Ndoshta këputja fizike e mendore po e bënte të mos ishte vetvetja.

-Po iki të fle pak. Do bisedojmë më vonë.

U dha një puthje në faqe të dyve e nxitoi për të shkuar në dhomën e vet.
Hoqi e drobitur xhaketën nga trupi, të cilën më pas e hodhi shkujdesshëm në kolltukun tek, hoqi edhe lidhësen e flokëve që po i shkaktonte dhimbje koke dhe ashtu, pa u ndërruar në veshje të tjera, u hodh në krevat si e vdekur, duke e ditur mirë se gjumi do ta zinte pa kaluar as dy minuta. Ishte fakt, njëjtë siç të gjithë e dimë se dielli lind çdo ditë.

Ndërkohë që bënte gjumin më të rëndë të gjithë jetës së saj, doreza e derës u ul ngadalë për të mos u dëgjuar as zhurma më e vogël. Ishte i ati.
Hyri brenda pasi i hodhi Xhejsit një vështrim të trishtë e plot keqardhje.

-Po e bëj gjithë këtë për të mirën tënde Xhejs, më kupto të paktën këtë herë, - mërmëriti me veten para se t'ia merrte telefonin, laptopin dhe çelësin e dhomës.

Para se të ikte, ia ledhatoi lehtë kokën e nuk harroi t'i linte një puthje në ballë. Pastaj doli, mbylli derën me çelës dhe mori frymë i lehtësuar. Tashmë jeta e vajzës së tij ishte e siguruar. S'do kishte më as Marvin, as ujqër që do ta lëndonin e as mistere që duheshin zgjidhur. Do të jetonin sërish së bashku, si dikur.

Hëna e përgjaktëWhere stories live. Discover now