22

302 34 64
                                    

Nuk kishte mundësi tjetër. Gjithçka që kishte ndodhur kishte qenë një shenjë e cila që nga fillimi ishte përpjekur ta bënte të kuptonte se Marvini ishte një njeri-ujk. Pse duhej të hiqej si një polic kur në fakt nuk ishte? Si mundej ta dinte se gruaja në Bramshott nuk kishte vdekur në mënyrë normale, por dikush e kishte vrarë?
E si për çudi, nga e dinte Marvini se Nora ishte në shtëpi kur ai gjatë gjithë kohës kishte qenë me të dhe nuk i ishte ndarë për asnjë çast? Nga e njihte ai Brajdin aq sa i kishte thënë se ai nuk ishte ashtu siç dukej? E për më tepër, ku e dinte se në bisedën me Dilanin u përmend detektivi?

Dhe ajo renditje e tillë e emrave në të tillë mënyrë që të përftoheshin emrat "hene-gjak" nuk ishte aspak rastësore, as fakti se kur u lënduan Marvinin e morën me vete për ta ndihmuar, e pak më parë gjithë ata ujqër nuk ia prekën as fijen e flokut, si t'i kishte nënshtruar të gjithë.

Pasi mendoi gjithë këto, e kuptoi plotësisht se të dyshonte akoma nëse Marvini ishte njeri-ujk apo jo do të ishte thjesht një marrëzi. Dhe ekzistonte vetëm një përqindje tejet e vogël që ai të mos ishte i destinuari i saj, e cila sado mikroskopike të ishte, sërish e mbante pezull shpirtin e saj e nuk ia largonte lëmshin e krijuar në stomak.

Teksa të tjerët po bënin një bisedë për mënyrën se si do t'i rregullonin turnet e se si do të flinin, ajo filloi t'i binte dhomës kryq e tërthor për të gjetur ndonjë mënyrë që t'iu shpëtonte policëve.
Asgjë. Asgjë nuk i kalonte ndërmend. S'kishte asnjë mundësi në botë që të dilte prej shtëpisë pa u parë kur ndërkohë Dilani do qëndronte në dhomë me të ndërsa të tjerët do ruanin çdo cep të jashtëm të shtëpisë.

U ul në divan e dëshpëruar. Ndiente se si vetullat i ishin ngrysur e ia kishin vrenjtur gjithë pamjen e fytyrës.

Nuk mundej të qëndronte pa bërë diçka, ndaj, në vend që të mendohej pa mbarim për diçka që gjithsesi nuk do e zgjidhte dot, i shkoi në mendje të hapte laptopin e të kontrollonte për librin që kishte parë në bibliotekë.

Me gishtat e dorës së palënduar filloi të prekte tastet e vegjël të zinj, derisa arriti të formonte titullin e librit pas një kohe që iu duk si një shekull.
Pastaj u shfaq ajo e cila gjithmonë i jepte një dëshirë të flaktë për ta përplasur pajisjen mbas murit; vija që bëhej gati të formonte një rreth, por pikërisht në momentin e fundit fillonte e rrotullohej pa ditur të ndalte.

-Durim, durim, - i pëshpëriti vetes pasi mbylli sytë, mbështeti kokën pas divanit e po tundte këmbën me një shpejtësi të pazakontë.

Erdhi në vete vetëm kur prej laptopit dëgjoi një zhurmë të vogël, si një "tring" të shkurtër fatsjellëse. Faqe të shumta i dolën para syve, tituj nga më të ndryshmit, foto me hënë të kuqe si gjaku, data e shifra të çuditshme, por vetëm ajo që dëshironte të shihte jo. E për çfarë mund t'i hynin në punë fundi i botës e sektet fetare që predikonin se bota do shkatërrohej kur hëna të flakëronte?!

-Hëna s'besoj të bëhet si gjak, ama për faqet e tua s'mund të mos them të njëjtën gjë.

Kërceu përpjetë kur fryma e Dilanit bëri që flokët e saj të lëviznin rrotull, aq sa laptopi i rrëshqiti prej gjunjve e puthi tokën si të kishte mbledhur për të gjithë mallin e botës.

-Dilan, njeri i shëmtuar! Më ngrive gjakun! - i bërtiti e acaruar para se të ngrihej tamam si zonjë e rëndë për të marrë laptopin që sapo kishte hedhur.

Ndjeu një zell të madh për ta përplasur atë mbas kokës së Dilanit, që po shkrihej gazit dhe po mbante barkun me dorë nga të qeshurat.

Zuri të njëjtin pozicion si më parë, pa harruar të kërcënonte mikun me një shikim vrastar e me atë që po mbante nëpër duar.

-Zër vend diku tjetër, mos ma bëj për borxh të të godas!

-Mirë Xhejs, mirë, qetësohu, por seriozisht e kam, të janë bërë faqet prush. Si thua, a skuqet veza po e vendosa mbi to?

Ai vazhdonte të qeshte me shakatë e veta, edhe pse ajo sërish e shihte vëngër pa krijuar as buzëqeshjen më të vogël të mundshme.

-Mirë, më fal, - tha pas pak duke u kthyer menjëherë në atë gjendjen e tij të zakonshme serioze. -Për çfarë të duhet kjo hëna e përgjaktë?

-E hasa në një libër në bibliotekë. Dua të di nëse ka ndonjë lidhje me vrasjet që kanë ndodhur, por siç e pe edhe vetë nuk gjeta gjë tjetër përveç apokalipsit që gjasmë pritet të ndodhë.

-Të kontrolloj njëherë unë? Ndoshta gjej diçka më tepër.

Ia zgjati laptopin në shenjë miratimi, me shpresën se ai vërtet do zbulonte diçka që ajo kurrë s'do ta gjente. E dinte se ai ishte marrë me çështje të tilla shumë herë gjatë punës së tij. Arrinte të gjente të dhëna të fshehura e të depërtonte në gjërat private.

Po e shihte në fytyrë për të kapur mimikën e tij të parë e cila do t'i jepte shenjën për një lajm të mirë. Për pesë minuta rresht, ai ruajti të njëjtin qëndrim: sytë e fokusuar mbi ekran, të cilët rrëshqisnin sa nga njëra anë në tjetrën. Zvogëloheshin, merrnin sërish madhësinë normale, ndalonin për disa çaste, më pas e gjithë kjo përsëritej nga fillimi.

-Aq gjak u derdh atë natë, sa edhe hëna mori një tjetër ngjyrë. Një ngjyrë gjaku, -tha këto fjalë me një ton të frikshëm dhe më pas ngriti kokën. - Vetëm kaq del, asgjë më tepër.

U ngrit menjëherë për t'i shkuar pranë e i qëndroi mbi kokë për të lexuar edhe një herë atë që sapo kishte dëgjuar.

-Ç'lidhje mund të ketë kjo vallë? Herën e fundit hëna ishte normale, s'kishte asgjë të dyshimtë.

-Po herët e tjera? Nuk dimë as sa vite kanë kaluar që kur ndodhën vrasjet e fundit.

-Dhe s'kemi për ta ditur ndonjëherë. S'ka asnjë të dhënë tjetër, të gjitha janë zhdukur. S'dimë as se kush e ka bërë këtë gjë.

Teksa gjithë ankth përpiqej të shtrydhte mirë trutë për të nxjerrë diçka të vlefshme, mendja i shkoi sërish te Brajdi. Po sikur të ishte ai i cili kishte fshehur çdo të dhënë që askush të mos e kuptonte të vërtetën? Po nëse, akoma dhe më keq, gjatë gjithë kësaj kohe të kishte qenë duke u shtirur si polic, njëjtë si Marvini, vetëm që t'i prishte asaj punë?

U ngrit sërish pas një psherëtime të gjatë e të rraskapitur. Dorën e lirë po e lëvizte e tensionuar, ndërkohë këmbët nuk pranonin t'i uleshin e të qëndronin në një vend.

Mendohej kot, pa arritur gjë, pa nxjerrë kurrfarë fakti në dritë, derisa një tringëllimë telefoni e nxorri prej gropës së thellë në të cilën kishte rënë.

E mori telefonin në dorë dhe e hapi për të vështruar mesazhin e ardhur nga një numër i panjohur.
Sa më tepër sytë e saj lëviznin nëpër fjalët kërcënuese, aq më shumë i dukej sikur toka e tërhiqte e donte ta merrte deri në më largtin qosh.

"Hiq dorë nga kjo punë, nëse nuk do që shoku yt të shkatërrohet."

Hëna e përgjaktëWhere stories live. Discover now