13

277 32 113
                                    

Ndërkohë që mendohej thellë, nuk mund ta besonte se sa budallaqe ish treguar që e kishte marrë hënën për rreth. Si e kishte harruar lidhjen e ngushtë të hënës me njerëzit-ujqër?!

Përpiqej të kujtonte nëse e kishte parë hënën atë natë për të kuptuar nëse kishte qenë e plotë apo jo, por gjithsesi s'kishte nevojë për këtë: përderisa në fletë ishte vizatuar hëna, si dhe në gjithë shtëpitë e të vdekurve, atëherë s'kishte vend për dyshime.

Bukur, e kuptoi dhe diçka tjetër. Njerëzit-ujqër kishin humbur kontroll gjatë hënës së plotë dhe kishin shkaktuar vrasjet. Por pse pikërisht shtatë viktima? Pse çdo katër orë? Çfarë kishin bërë këta njerëz që i kishin acaruar aq shumë ujqërit sa ata i kishin vrarë? Ose më mirë, çfarë e kishte acaruar aq shumë të destinuarin e saj që kishte bërë ato akte të tmerrshme?

E fokusuar, afroi më shumë telefonin te fotot. Me një bojë të zezë të zbehtë, aq sa ajo nuk do mund të kish dalluar gjë nëse nuk do ishte përqëndruar aq shumë, dalloi këto fjalë: "E pashë atë, edhe pse më tha të mos e bëja. Tani kam frikë të di se ç'do të ndodhë."

Zemra filloi t'i rrihte më fort. Gjaku po i nxehej e adrenalina filloi t'i lëshohej në trup.

Bëri foto me telefonin e vet gjithë çka i dukej e dyshimtë, kurioze të dinte se çfarë gjëje të re do të zbulonte.

-Vajza quhej Hana, apo jo?

-Po, Hana Allen, një 20-vjeçare e sapoardhur në këtë vend, më e reja ndër të gjitha viktimat.

-Pse? - pyeti edhe pse e dinte se nuk do merrte përgjigje. - Pse duhej të vdisnin gjithë këta njerëz?

Për një moment sytë e saj u bashkuan me të Marvinit. Depërtoi ai shikim i tiji në gjithë fshehtësitë e qenies së saj, në gjithë mendimet e fshehta e dyshimet e thella.
Aq zhbirues qe ai vështrim, sa për një moment u ndje e dobët përballë asaj force që sytë e tij përçonin. Deshi t'i thoshte të ndalonte, të mos e shihte më, të ndalonte atë lloj hipnoze që pavetëdije bënte, por s'mundi. Si t'ia kishin qepur buzët dhimbshëm, asnjë fjalë s'nxorri nga goja.

Marvini bëri një hap më pranë saj, një hap të ngadaltë. Deshi të zmbrapsej, të ikte larg tij, të ulte shikimin, por sërish asgjë s'ndodhi. Këmbët iu ngulën pincë në tokë, madje i dukej sikur po thithej ngadalë prej dyshemesë së pastër, ndërsa sytë e tij magnetikë për asnjë çast nuk e linin të shkëputej.

-Ndoshta ka lidhje me hënën?

Nuk mendonte për asgjë në ato momente, jo kur e kishte aq pranë, jo kur zemra ia ngrinte kraharorin lart fuqishëm.
U përpoq t'i lidhte fjalët me njëra-tjetrën. Ajo që mundi të formonte nuk e kënaqi plotësisht, por të paktën e ngushëlloi nga mendimi se akoma ishte e aftë të fliste.

-Besoj se po. Është thjesht... e ngatërruar...

Heshti. Ndërkohë që shiu godiste fort xhamat e zhurma e tij ushtonte nëpër dhomë, ata vazhdonin të qëndronin përballë njëri-tjetrit e të shiheshin thellë sy më sy.

Ai guxoi të afrohej disi më tepër, anoi kokën lehtë e buzët i afroi në veshin e saj. Priste të dëgjonte fjalët e tij ndërkohë që  dridhej e mbushej plot mornica kur ia ndiente frymën t'i përplasej mbas qafës së zbuluar.

E vuri re se si deshi t'i fliste, pastaj psherëtiu lehtë disi i zhgënjyer dhe para se të largohej prej saj si të kishte një zjarr përvëlues midis tyre, ngadalë tha:

-Mos u frikëso.

E habitur nga ato që dëgjoi, u bë gati ta pyeste se për çfarë e kishte fjalën. E ndaloi një tjetër zë i panjohur që u dëgjua pas saj pikërisht kur vetë ishte bërë gati të fliste.

-Nuk do mbarojnë ndonjëherë kontrollet tuaja?

Kërceu përpjetë e tmerruar. Paralajmërimi i Marvinit s'kishte pirë ujë.

-Do mbarojnë, sigurisht, vetëm atëherë kur të gjendet e vërteta.

Një grua e moshuar qëndronte pas tyre, mbështetur mbi një bastun të vjetër, të zi e të lakuar në majë. Fytyra e saj e rreshkët qe mbuluar nga një hije e zymtë, sytë nuk i kishin më gjallërinë e dikurshme, ndërsa buza kish harruar se si t'i qeshte.

-Ju kush jeni? Shtëpia ishte bosh kur erdhëm, - foli Xhejsi.

-Jam Nora, gjyshja e Hanës. Çfarë kërkoni këtu sërish? Pse nuk e lini shpirtin e mbesës sime të endet i qetë?

Trupi sërish iu drodh. Ajo femër e trembte.

-Mendoni se shpirti i saj do jetë i qetë pa marrë hak kundrejt atij që e bëri copë të gjithën?

Fjalët e ashpra të Marvinit bënë që fytyra e saj të ngrysej më tepër. Si t'i rëndonte e gjithë shtëpia mbi supe, trupi i saj u kërrus ndërkohej që vrenjtej e gjitha.

-Nuk keni për të gjetur gjë këtu. Ja, këto janë të vetmet gjëra që ajo la pas, - tha duke bërë me shenjë nga fotot. -Shpesh më thoshte se do zbulonte diçka të pazakontë, por nuk më tregonte se për çfarë bëhej fjalë. Pastaj çdo natë zgjohej në mes të errësirës e bërtiste nga frika, duke më thënë se e parandiente që do ta gjente diçka e keqe. Dilte në dritare dhe përpiqej të shihte hënën. Nuk më thoshte asgjë tjetër, s'donte të më trembte më.

Gruaja heshti. Gjatë pauzës, ngriti dorën që i dridhej dhe fshiu sytë me mundim.

-Ikni tani. Nuk keni për të gjetur gjë.

Marvini doli i pari duke nxituar, aq sa dukej sikur mezi po merrte frymë në atë vend.

-Mar..

Nora e kapi nga krahu lehtë, si ta kapte një foshnjë e porsalindur. Ndaloi menjëherë e konfuzuar, e pavendosur nëse duhej të shkonte pas Marvinit apo të dëgjonte gruan.

-Mos rri më në këtë vend. Largohu. Je e re.

Tashmë arriti të dallonte se si lotët ndriçonin në sytë e saj gjysmë të mbyllur, të këputur nga lodhja e dhimbja.

-Dhe Hana mendonte se do gjente diçka, por...

Nuk foli më, por shkundi kokën sa nga njëra anë në tjetrën e doli prej dhomës me hapa të vegjël, mbështetur mbi bastun. E  vështroi derisa humbi midis errësirës, pa e kuptuar nëse iku majtas apo djathtas, nëse zbriti poshtë apo u ngjit lart.
Si t'i trokiste diçka në kokë, u kujtua se ishte duke pritur kot aty në dhomë.
Drejtoi telefonin para dhe filloi të zbriste shkallët.

Hëna e përgjaktëWhere stories live. Discover now