Katër fletë kalendari kishte shkulur Dilani prej murit që kur Xhejsi kish humbur vetëdijen në krahët e tij. Në fundin e natës së katërt, kur në korridoret e spitalit dritat e forta ishin fikur e një zbehtësirë e mugët mbizotëronte, i destinuari ecte qetë për në dhomën e saj. Me kokën lart, me një buzëqeshje të sigurt në fytyrë e me hapa të vendosur, nuk i interesonte nëse sytë e ndonjë polici e shihnin.
Vështrimin e nguli tek ajo menjëherë sapo e hapi derën. E shtyu pa e pasur mendjen dhe ngadalë, si të donte të mos ia prishte gjumin, i shkoi pranë.
Mbylli sytë në dhimbje e një psherëtimë e gjatë i doli nga buzët. Shpirtin ia kishin ndarë më dysh e tashmë me duar i rëmonin plagën. E vrisnin. Në mënyrën më perfekte dinin si ta gërryenin të gjithin.Ia kapi dorën, e shtrëngoi butë dhe u lut që ashtu ta mbante gjatë gjithë jetës, pranë vetes, të siguruar, larg çdo të keqeje. Por koha rridhte më shpejt seç ai do të donte dhe ditët e mbetura nuk i premtonin asgjë të mirë. Përveç problemeve të tjera që arrinin dhe një qiellgërvishtës, tashmë ishte shtuar dhe një më tepër që ishte gati të përmbyste gjithë ndërtesën: Po sikur ajo të mos e zbulonte dot të vërtetën? Po nëse dorëzohej? Po nëse vdiste? Nëse ai e vriste?...
Mbushi mushkëritë me ajrin e rëndë të spitalit para se kujdesshëm të vendoste copën e vogël të letrës në dorën e zbehtë të Xhejsit. Mënyrë e shëmtuar për të komunikuar ato që vetë nuk mund t'i thoshte, e dinte, por ishte e vetmja zgjidhje.
E vështroi sërish në fytyrën e bardhë si kartë, pastaj një puthje të lehtë, si të binte një petale trëndafili mbi lëkurë, i la në buzët pa ngjyrë.
Ajo lëvizi. Kraharori iu ngrit lart dhimbshëm e një dhimbje therëse ia pushtoi gjithë trupin. Rënkoi plot vaj kur për herë të dytë kuptoi se sa e dobët ndihej.
Kur arriti që sytë t'i hapte një fije, ajo çka mundi të vinte re ishte vetëm një hije e zezë që hapi derën e u largua që aty ngadalë.-Marvin?
Dëshironte të ishte ai. Aq e madhe ishte kjo dëshirë, sa zemra i therte të mendonte se mund të gabohej. Por si ta dëgjonte ai kur asaj edhe vetë mezi i kishin shkuar në veshë ato që kishte thënë?
Teksa qëndronte e ngrirë me sytë ngulur në errësirë, ndjeu një lot të nxehtë të pavetëdijshëm t'i krijonte një shteg të drejtë e bosh në faqe. Lot dobësie, lot inati, lot lëndimi, çdo ndjenjë aty bashkohej.
Lëvizi gishtat njëri pas tjetrit dhe u përpoq të mblidhte duart grusht. Përveç dhimbjes që ndjeu, të cilën ditë më parë nuk e kishte ndier si shkak i traumës në të cilën kishte rënë, dalloi dhe thatësinë e një materiali tjetër.
Dorën që i dridhej e që i tërhiqej nga forca tmerrësisht e madhe e gravitetit, e ngriti ngadalë për të parë se ç'kishte letra.
Picërroi sytë, e lëvizi sa në një kënd në tjetrin për të parë se ku binin më mirë rrezet e hënës, derisa më në fund arriti të pëshpëriste ngadalë këto fjalë: "Mos u dorëzo, të lutem. Je shpresa ime e vetme."Dora iu lëshua sërish në krevat si t'i përkiste një të vdekuri. S'ishte Marvini - këtë mendoi e dëshpëruar. Duhej të shpëtonte një të panjohur, dikë që as e pëlqente e as e donte. Ç'do të bënte me të? Si mund t'i qëndronte pranë kur nuk ishte asgjë më tepër se një i huaj?
Ndërkohë që orët pasonin njëra-tjetrën, kuptoi se më për të nuk do kishte gjumë, as largim nga realiteti, as pushim. I duhej të vepronte, të merrte forcë e të ngrihej në këmbë. Le të ishte ajo lindje e mrekullueshme dielli shpresë për të, le të ishin rrezet e arta që binin në dhomë motivim për të vazhduar para.
Dera u hap me kujdes e mendimet e saj u ndërprenë në kulmin e tyre. Një infermiere hyri brenda.
-Oh, qenkeni zgjuar. Si ndiheni? Keni shumë dhimbje?
Pohoi me një të shkundur të kokës; dhimbja mezi e linte të fliste.
-Në rregull, mos u shqetësoni, çdo gjë është nën kontroll. Qetësuesi do t'ju lehtësojë për pak kohë.
Pas këtyre fjalëve, një gjilpërë e madhe iu shfaq para syve. U gëlltit pa dhënë asnjë koment dhe në çastin tjetër ktheu kokën në anën e kundërt. Punë disa sekondëshe. Mbaroi para se të arrinte të mbyllte sytë, pikërisht kur dera u hap përsëri dhe në dhomë hynë dy prindërit e saj.
Ja ku vinte një seancë e gjatë përmallimi, lotësh, këshillash, pakënaqësish dhe urdhëresash, derisa pas një gjysmë orëshi dëgjoi këto fjalë:
-Nuk ka po e jo këtu. Do kthehesh në shtëpi. Punë e mbaruar, - qe ultimatumi nga babai i saj, por njëjtë si ai ishte dhe e bija. Njëri do hiqte dorë me patjetër nga e tija, ndryshe s'kishte si të shkonte, dhe Xhejsi s'kish ndërmend të bëhej ajo që do ulte hundën e do nënshtrohej pa të keq.
Edhe pse pa fuqi, nuk e la veten të dukej se mezi po mbante sytë hapur, por mblodhi gjithë forcat dhe filloi me kundërshtimet e saj.
-Jo, do qëndroj. Nuk ishte aspak faji i Marvinit për atë që ndodhi, ishte thjesht një pakujdesi imja.
-S'ka shans Xhejs. Nuk largohemi që këtu pa ty. Dhe mos guxo ta mbrosh atë, po të mos ishte për Brajdin tani s'do gjendeshe këtu.
-Për çfarë je duke folur?
Mblodhi vetullat dhe buzët e pakënaqur. Ç'gënjeshtra ishin sajuar kështu?
-Shiko, aktrimet e tua për të mbrojtur Marvinin nuk do funksionojnë, mirë? Nuk jemi duke bërë lojëra këtu, sillu si e rritur.
U përpoq ta mbante inatin brenda vetes, por aq e pati, s'mundej më.
-E dini çfarë? Bëni ç'të doni, thoni ç't'ju ketë qejfi, unë nga ky vend nuk largohem. Edhe nëse ik, do të kthehem sërish e s'ka kush më ndalon për këtë gjë. Nëse doni që kjo punë të mbyllet pa hatërmbetje, mirë për ju. Po deshët të kundërtën, aq më bën, s'më prish punë inati juaj. Unë nga ky spital do dal që sot, do shkoj te shtëpia ime me Dilanin dhe do vazhdoj punën që s'kam mbaruar. Këtu merr fund gjithçka. Tani nëse s'keni gjë tjetër për të më thënë, do t'ju lutesha të dilnit prej dhomës. Kam nevojë të pushoj.
Nuk priti reagime, por ktheu kokën nga ana tjetër dhe mbylli sytë. Nuk i pëlqente të sillej aq ashpër, sidomos ndaj prindërve, ama s'kishte si vepronte kur nuk i linin rrugëdalje tjetër.
Një përgjigje do t'i kishte ardhur prej të atit nëse bashkëshortja nuk do ta kishte çekur lehtë në krah e t'i bënte shenjë për të dalë jashtë.
-Lëre, ajo vendos vetë për veten e saj, - i pëshpëriti pa ia ndarë sytë.
Pa shtuar asgjë më tepër, dolën, dhe vetëm atëherë Xhejsi mori frymë lirisht. Rrotulloi sytë mendueshëm nëpër dhomë pa e ditur se çfarë kërkonte të shihte, pastaj aq sa mundej filloi të përpëlitej në shtrat për të arritur butonin e kuq me të cilin njoftonte infermieren për të ardhur.
Puna e largimit duhej bërë e ditur që në ato momente. Të shtyhej për më vonë do të thoshte humbje e kotë kohe. Kishte ardhur koha për të rifilluar sërish.
YOU ARE READING
Hëna e përgjaktë
WerewolfAq gjak u derdh atë natë, sa edhe hëna mori një tjetër ngjyrë, një ngjyrë gjaku... *** Pasi vendoset në fshatin e vogël Fordwich të Anglisë, jeta e Xhejsit ndryshon plotësisht. Tashmë nuk ka më një jetë monotone për të vazhduar, por shtatë vrasje mi...