Muaji i fundit i verës sapo kishte filluar, por pushimet tona ende jo. Është e vështirë të kalosh disa ditë pushim me familjen tënde, kur një dyqan i vogël me punime dore të prish gjithë planet. Nuk e di pse babi dhe mami kishin një fiksim të çuditshëm me atë dyqan. Nuk fitonim shumë prej tij, dhe për më tepër, ai bëhej zakonisht arsyeja pse ne nuk shkonim kurrë me pushime, ose shkonim vetëm për pak ditë. Por më në fund, këtë vit ishte vendosur. Do të shkonim me pushime. Më në fund, do të merrnim pushimet e merituara. Vetëm unë, mami dhe babi. Edhe Rajkeri. Edhe Ava. Edhe binjakët Zoel dhe Roel. Edhe xhaxha Klarku, teta Suzi, Natalia, Dankani dhe Maria Antoneta e vogël. Në fakt, familja ime është paksa e madhe.
Jo se më shqetëson ky fakt, pasi kam jetuar me zhurmat e tyre gjithë jetën dhe tashmë jam mësuar. Tek e fundit, edhe familjet e mëdha kanë të bukurën e tyre. Por përveç dyqanit, një tjetër arsye pse nuk shkonim kurrë me pushime ishte pikërisht fakti se ishim një familje me dymbëdhjetë pjesëtarë, dhe njërit prej tyre gjithmonë do t'i dilte një punë. Verën e shkuar, për shembull, nuk shkuam me pushime se Natalias i duhet të hiqte telat e dhëmbëve, dhe si për dreq,dentistja ia la gjithë takimet gjatë verës. Herën e fundit që kemi shkuar me pushime, Maria Antoneta nuk kishte lindur akoma, ndërsa Roeli dhe Zoeli ishin vetëm pesë vjeç. Javën e kaluar ajo mbushi dy vjeç, ndërsa binjakët për pak bëjnë dhjetë.
Kisha më shumë se dy javë që e kisha printuar fletën që do të ngjitnim në derën e dyqanit. Babi më tha se mund ta ngjitja sot, pasi më në fund kishte vendosur ta mbyllte sa për pushimet, por isha duke pritur Rajkerin të më sillte një ngjitës nga dyqani disa metra më tutje. Për fatin tonë të keq, edhe pse kemi një dyqan, sa herë na nevojitet diçka, nuk e gjejmë aty. Mbaj mend njëherë kur Ava solli gjithë shokët e shoqet e klasës, me shpresën se do të gjenin kartona me ngjyra për një projekt që kishin në shkollë, por në dyqanin tonë nuk gjetën asgjë. Si tetë fëmijët e familjes, na kanë porositur të sjellim sa më shumë klientë në dyqan, pasi nga çasti në çast mund të falimentojmë, por unë e ndiej që atij po i vjen fundi.
Do ta kishim mbyllur dyqanin kohë më parë, nëse nuk do të ishte trashëgimi nga gjyshi. Teta Suzi punon në një gazetë me lajme rozë, ndërsa babi dhe xhaxha Klarku kanë një vit e gjysëm që kanë zënë punë në një agjenci udhëtimesh. Ironike, pasi ne nuk udhëtojmë kurrë. Ndërsa mami kujdeset për tetë fëmijët dhe shtëpinë. Nuk e di nëse mund të quhemi të gjithë fëmijë, pasi Ava dhe Dankani janë thuajse nëntëmbëdhjetë, Rajkeri përfundoi gjimnazin, ndërsa unë dhe Natalia do të fillojmë vitin e parë këtë vit që vjen. Megjithatë, kur vinte puna për t'u kujdesur për binjakët dhe Maria Antonetën, unë dhe Natalia ishim të vetmet që ngarkoheshim me këtë detyrë. Si fëmijët e mesit, jeta jonë ishte pak më e vështirë se e gjashtë të tjerëve.
Vura re Rajkerin që vraponte me ngjitësin në dorë. Përsëri nuk kishte marrë nga ai që i kërkova unë.
-Merre, -më tha duke ma zgjatur, -nuk kishte nga ai lloji tjetër. -nuk u çudita. Në lagjen tonë, vështirë të gjeje një dyqan të saktë, pa bërë këtu asnjë përjashtim.
-Çfarë është ajo? -pashë babin që mu afrua dhe sytë i hodhi nga ngjitësi që mbaja në dorë. E urrente kur bëheshim klientë të një dyqani tjetër.
-Ngjitës, -i thashë. -Nuk kishte këtu.
-Kontrolluat mirë? -këmbënguli ai. -Jam i sigurt që pikërisht sot e pashë një, -hapi dhe njëherë derën e dyqanit që sapo e kishte kyçur.
-Bobo, kush rri dhe e dëgjon këtë tani, -tha Rajkeri me zë të ulët.
-Lutu të mos gjejë gjë, -i thashë. Sepse në të kundërt, do të na i kthente në leksion dhe do të na i kujtonte gjithë jetën.
Filloi të bënte rrëmujë nëpër gjithë vendin, në kërkim të një ngjitësi që me siguri ishte vetëm pjesë e imagjinatës së tij. Ndërsa unë dhe Rajkeri qëndronim më këmbë në pritje, edhe pse kishim shumë punë të tjera për të bërë dhe babi po na vononte kot.
Pas shumë përpjekjesh dhe një rrëmuje që me siguri do më duhej ta rregulloja unë, babi buzëqeshi dhe na tregoi një ngjitës të mbaruar që mbante në dorë. I kishte mbetur vetëm ai shiriti i bardhë me shkronja të kuqe në fund që asnjëherë s'e kam kuptuar për çfarë shërben.
-Ju thashë që kemi ngjitës, -tha i emocionuar.
-Por, babi, ai ka mbaruar, -i tha Rajkeri, por babi dukej shumë gati për t'i provuar të kundërtën. Më mori fletën e printuar nga dora dhe me atë pak ngjitës që kishte mbetur, e ngjiti mbi derën e dyqanit vetëm njëherë në mes. Më mori kënaqësinë e ngjitjes së fletës, atë moment që e kisha pritur për më shumë se dy javë, por ajo që kishte më shumë rëndësi ishte se dyqani më në fund u mbyll, dhe fleta lexonte qartë që do të hapej në shtator.
-Këtë, -më mori më pas ngjitësin e ri, -do e kthesh aty ku e more, dhe do t'i marrësh paratë mbrapsht. Gjej çfarë justifikimi të duash, -dhe ia plasi në dorë Rajkerit. I shkreti do të turpërohej sërish nga fiksimi që kishte babi për dyqanin e tij. Nuk donte ta zgjaste më atë bisedë, kështu që e mori ngjitësin dhe u largua në drejtim të dyqanit. Me aq sa e njoh Rajkerin, do ta fuste në xhep dhe do t'i thoshte babit se e ktheu; kështu të gjithë do të ishin të qetë.
U ktheva në shtëpi për të përgatitur çantën që do të merrja me vete. E prisja me padurim ditën e nesërme, duke u lutur që këtë herë asgjë të mos na i prishte pushimet. I kisha pyetur të gjithë me dhjetra herë nëse kishin lënë ndonjë punë përgjysmë, vetëm për t'u siguruar se gjithçka do të shkonte mirë.
Hyra brenda dhe fytyra ime u përshëndet nga një goditje e fortë topi, më pas dëgjova të qeshurën e Roelit dhe zërin e lartë të mamit që i qortonte se nuk duhet të luanin me top brenda. Ata morën topin dhe dolën jashtë. Në përpjekje për t'i ndjekur dhe për t'u bërë pjesë e lojës së tyre, Maria Antoneta e vogël u rrëzua dhe pashë se si menjëherë buza po i dridhej dhe sytë e mëdhenj si gogla iu mbushën me lot.
-U vrave? -u pendova menjëherë që ia bëra këtë pyetje, pasi ia nisi me simfoninë e të qarave të saj. Pashë Natalian që erdhi dhe e ngriti në krahë, duke e hedhur lehtë lart e poshtë. Më ngriti nervat fakti se si menjëherë lotët në fytyrën e saj u zhdukën dhe një buzëqeshje dinake u stampua në të. Gjithmonë i kam patur inat bebet, sepse janë shumë dramatike dhe gjëja që dinë të bëjnë më mirë është të kërkojnë vëmendje. Dhe sidomos ajo. Teta Suzi e dinte se ajo s'do të ishte një bebe e zakonshme që në momentin që i vuri emrin Maria Antoneta.
Kalova midis lodrave që kishin shpërndarë nëpër dhomë binjakët për të shkuar në dhomën time. Kisha shumë punë për të bërë dhe aspak kohë. Po shpresoja që të mos rrija deri në mes të natës si gjithmonë, por me siguri mami do të më ngarkonte ndonjë punë që të më mbante të zënë. Për më tepër, nuk mund t'i kërkoj ndihmë askujt. Natalia ka për të bërë gati edhe gjërat e Maria Antonetës përveç atyre të sajave, Avës nuk i numërohen çantat, Rajkeri është shumë i zënë duke u munduar të kalojë një nivel të vështirë në një lojë, ndërsa Dankani thjesht nuk mund të më ndihmojë. Si djali i madh, teta Suzi e ka mësuar keq, dhe edhe sot e kësaj dite, ajo ia bën gati çantat.
Kisha përfunduar më shumë se gjysmën e gjërave që kisha për të bërë, kur dëgjova teta Suzin t'i binte bilbilit. Kjo historia e bilbilit daton që katër ose pesë vite më parë, kur katër të mëdhenjtë kuptuan që u bëmë shumë në numër dhe ishte e lodhshme të na thërrisnin secilit në emër. Kështu që blenë një bilbil për të na thirrur të gjithëve njëherësh. Është goxha metodë funksionale në fakt. Jeta e tyre është bërë më e thjeshtë që atëherë. Edhe e jona.
Zbrita poshtë dhe e ndjeva që nga era që kishte supë me lakra. E preferuara e mamit, por që mua dhe shtatë fëmijëve të tjerë na i shpifte. Vrapova në drejtim të frigoriferit me shpresën që të mos isha shumë vonë, por ishte e kotë. Dikush ma kishte marrë pjatën me makarona që kisha lënë në drekë. Tashmë mbetej si variant vetëm tosti.
-Kesidi, a i mbarove së përgatituri gjërat e tua? -më pyeti mami.
-Më shumë se gjysmën po, -i thashë, por menjëherë u pendova.
-Fantastike, do bësh gati edhe çantat e Roelit dhe Zoelit, -për këtë arsye u pendova. Pra do të rrija deri në mesnatë. Shpresoja t'ia vlente.
YOU ARE READING
Jo si çdo verë
HumorPËRFUNDUAR Për një familje të madhe me dymbëdhjetë anëtarë si ajo e Andersonëve, duket e pamundur që një verë të kalohet siç duhet. Rrëmuja dhe telashet i ndjekin ata kudo, duke krijuar situata të pakëndshme, humoristike dhe që nuk mund të harrohen...