Isha duke pritur për sfidën e rradhës me sytë e mbyllur në mënyrë që rrezet e diellit të më mbulonin të gjithën, kur ndjeva një shpullë të më vinte pas koke. Mënyrë e mirë për të të sjellë në vete, apo jo? Ktheva kokën dhe pashë Natalian që qëndronte pas meje duke u ngërdheshur. Doja t'ia ktheja mbrapsht shpullën, epo, kështu e kemi ne si traditë, por ajo më ndaloi dhe ma bëri me shenjë të mos bëja zhurmë.
-Eja, duhet të të tregoj diçka të rëndësishme.
U ngrita nga karrig'ja ku isha rehatuar dhe ajo filloi të më tërhiqte siç e tërheq mami Roelin dhe Zoelin me zor për t'i çuar në shkollë. Tani që mu kujtua shkolla, nuk ndihem fare gati për të shkuar atje. Të paktën, edhe për ca kohë jo.
-Të kam një shpullë borxh, -i thashë me zë të ulët që ta dëgjonte vetëm ajo dhe të tjerët të mos mendonin që isha çmendur.
-Ta kam falur, -ma ktheu me të njëjtin ton.
Pa dhënë asnjë shpjegim vazhdoi të ecte nxitimthi si të ishte diçka vërtet urgjente, derisa arritëm në barin ku zakonisht turpërohem.
-Seriozisht? Këtu? -ajo ma zuri gojën me dorë dhe më afroi pas një palme gjigante që na fshihte të dyjave.
-Mos bëj zhurmë dhe shiko pak si me stil se kë kemi para, -zgjata kokën jashtë dhe sytë më zunë Rajkerin, i cili nuk ishte vetëm.
-Rajkeri! -Natalia tundi kokën në shenjë mohimi.
-Jo, Kesidi, është Rajkeri dhe Viki.
-Po këta ç'duan të dy?
-Këtë do të mësojmë, -të dyja u përqendruam për të dëgjuar se çfarë ishin duke folur. Ishte hera e dytë që e bëja këtë gjë, dhe të them të drejtën, më pëlqente pak a shumë.
-Lejohet që armiqtë t'i flasin njëri-tjetrit? -ky i yni bëri lëvizjen e parë. Ndoshta tek e fundit Rajkerit nuk i interesonin vetëm videolojërat.
-Varet për çfarë qëllimi, -pëshpëriti Natalia.
-Qepe, Nat, -i thashë dhe u përqëndrova te biseda e tyre.
-Jo, jo, madje do marr policinë tani dhe do të të denoncoj për mosmbajte distance, -ironizoi Viki dhe të dy filluan të qeshnin.
-U mundua të bëjë shaka. Po mundohet t'i bjerë në sy, -tha Natalia si me inat.
-Natalia! -i bërtita në pëshpërimë dhe kjo bëri që Rajkeri të hidhte sytë përreth për të parë nëse dikush po i përgjonte.
-Në rregull, e qepa, -imitoi një gjilpërë imagjinare në gojën e saj.
-E di? Ndonjëherë mendoj se kjo puna e konkursit po bëhet më serioze seç duhet. Nuk është ndonjë gjë kaq e madhe sa e bëjmë ne, -në rregull. Këtu Rajkeri e kishte gabim, sepse ishte aq e madhe sa e bënim ne.
-E di, -pohoi Viki, -mua s'më pëlqen fare. Po mendimet tona nuk është se merren gjithmonë parasysh në këtë familje.
-Ç'do të thuash? -Rajkeri iu afrua dhe ajo u zmbraps pak. -Ndoshta po ndërhyj më shumë seç duhet, -tha ai pasi vuri re qëndrimin e saj.
-Jo, puna është se s'më pëlqen të flas aq shumë për familjen time, në përgjithësi, kupton? Jo vetëm me ty domethënë, -ajo po mundohej të shfajësohej, ndërkohë që Rajkeri filloi të luante rolin e të mërziturit.
-Është në rregull, nuk bëhet gjë me zor, apo jo? -mu hap goja nga biseda e tyre e mërzitshme. As unë me Rajanin nuk bënim të tilla biseda të ngadalta dhe të turpshme.
YOU ARE READING
Jo si çdo verë
HumorPËRFUNDUAR Për një familje të madhe me dymbëdhjetë anëtarë si ajo e Andersonëve, duket e pamundur që një verë të kalohet siç duhet. Rrëmuja dhe telashet i ndjekin ata kudo, duke krijuar situata të pakëndshme, humoristike dhe që nuk mund të harrohen...