Ishte një natë shumë e gjatë, ndoshta nata më e gjatë që kam kaluar prej kohësh, kuptohet, kjo në kuptim të figurshëm. Rrija në krevatin tim me sytë e hapur si kukuvajkë, pasi gjumi nuk më zinte. Edhe Natalia ishte zgjuar, qëndronte e heshtur me sytë e ngulitur në tavan dhe isha e sigurt se po mendonte për ditën e nesërme ashtu si unë. Megjithatë të dyja qëndronim të heshtura, mesa dukej të dyjave na pëlqente ajo lloj qetësie që ishte krijuar. Qetësi i thënçin, pasi pak më tutje dëgjohej zhurma e armëve që përdorte Rajkeri; sigurisht, në lojën e tij. Ndonjëherë nuk më besohej që ishte aq i fiksuar me atë lojë, saqë as një ditë si ajo e nesërmja nuk i bënte aq përshtypje. Arrija të dalloja lëvizje edhe në çadrën e vogël të kampit, dhe disa përshpëritje të njohura dëgjoheshin. As binjakët nuk i kishte zënë gjumi. Mezi e prisja ditën e nesërme. Duke menduar se si familja jonë do të shkëlqente, më zuri gjumi.
Si gjithmonë, tingulli i bilbilit më zgjoi nga ëndrrat e thella në të cilat kisha rënë. Pashë fytyrën e emocionuar të babit, gjë që më bëri të buzëqeshja. Mbante në dorë një lloj posteri që dallohej qartë se ishte vizatuar nga binjakët. Mbi të lexohej me një shkrim të vrazhdë dhe të nxituar: familja Anderson është kampion. Smithët janë urithët. M'u qesh kur e lexova, pasi e parashikoja që binjakët do të shpiknin ndonjë idiotësi të këtij lloji. Roeli e kishte si hobi të krijonte përshkrime dhe krahasime të çuditshme si ky, megjithatë nuk e prisja ta merrnin me aq entuziazëm të ashtuquajturën gjueti thesaresh. Për më tepër, dukej sikur babit i pëlqente shumë, pasi nisi ta bënte atë shprehje moton tonë.
-Familja Anderson është kampion! Smithët janë urithët! -nisi të bërtiste dhe të vinte rreth e rrotull dhomës duke zgjuar edhe ata të cilëve s'u kishte dalë ende gjumi.
-Familja Anderson është kampion! -përsëritën binjakët, krenarë për shprehjen e tyre.
-Kaq hapur duhet ta shprehim urrejtjen kundrejt tyre? Dua të them, është vetëm një konkurs. Jam i sigurt se ata as që janë përgatitur kështu si ne, -dëgjova Rajkerin. Për të ishte vetëm një konkurs, por nëse ky konkurs do kishte të bënte me lojën e tij të kotë, do të linte kokën pas tij.
-Nuk është vetëm një konkurs Rajker, është çështje krenarie, vetëbesimi, fitoreje, -fillova t'i jap zemër skuadrës sonë, por ai nuk dukej aq i interesuar. Ishte mësuar të luante individualisht; shpirti i skuadrës thjesht nuk bënte për të.
-Konkursin e fiton? -bëri një thirrje pyetëse Dankani.
-Familja Anderson!! -thirri edhe njëherë më shumë Natalia. Dankani e ngriti në krahë dhe e përqafoi.
-Shumë energji paska sot në ajër, -tha teta Suzi teksa i pa ashtu duke qeshur.
-Ti gjithmonë ke dashur që fëmijët e tu të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, -i tha Natalia.
Të gjithë ishim shumë të emocionuar, megjithatë unë seç kisha një frikë përbrenda që më shqetësonte herë pas here. Ndiheshim shumë të fuqishëm dhe të përgatitur mirë, por nga ana tjetër çfarë do të ndodhte nëse edhe ata ndiheshin njësoj? Për një moment mu duk sikur kishim nxituar pak me këtë shprehjen e më të mirëve dhe ishim duke festuar para kohe. Megjithatë, vendosa t'i lë pas këto mendime dhe u bëra edhe unë pjesë e asaj feste të sajuar të vogël që po bënte familja.
Roeli dhe Zoeli filluan të hidheshin mbi dyshemenë e dhomës qëllimisht, sepse rastësisht Smithët ndodheshin pikërisht në dhomën që ndodhej nën tonën. Mami nisi t'i qortonte, ndërsa babi po i lëvdonte si të ishin duke bërë një veprim heroik, kështu që mami hoqi dorë. Në derë dëgjuam një trokitje dhe menjëherë ramë në qetësi. Xhaxha Klarku shkoi ta hapte. Ishte një punonjës i stafit të hotelit, dukej që nga uniforma e ngushtë e bardhë me blu që kishte veshur, dhe kartela e vogël e kapur me karficë në anën e majtë të këmishës që lexonte emrin e hotelit. Ai pa njëherë nga binjakët me përçmim dhe zgurdulloi sytë kur vuri re sa veta ishim në dhomë.
YOU ARE READING
Jo si çdo verë
HumorPËRFUNDUAR Për një familje të madhe me dymbëdhjetë anëtarë si ajo e Andersonëve, duket e pamundur që një verë të kalohet siç duhet. Rrëmuja dhe telashet i ndjekin ata kudo, duke krijuar situata të pakëndshme, humoristike dhe që nuk mund të harrohen...