Që në mëngjes na u konfirmua loja e re, kësaj rradhe një lojë individuale. Kjo gjë në fakt më gëzoi, pasi nga ne të shtatë unë do të isha personi i fundit që mund të zgjidhej, kështu që më mbetej veç të bëja tifo për skuadrën time, ose më saktë, për Dankanin. Sfida e re ishte ngjitja e shkëmbit. Normalisht, nuk ishte shkëmb i vërtetë, ishte thjesht shkëmb i sajuar në një mur me gurë të ngjitur mbi të ngjyra-ngjyra, si të ashtuquajturit shkëmbinj që gjenden në çdo lloj parku. Si sportisti i familjes, ishte e pritshme që ajo sfidë nuk i takonte askujt tjetër veçse Dankanit. Smithët kishin zgjedhur Rajanin për këtë sfidë, dhe kjo ma shtonte akoma më shumë shpresën se kësaj rradhe do të fitonim ne. Dankani është marrë me sport që në moshë shumë të vogël. Teta Suzi nuk i kishte lënë asnjë detyrim tjetër, madje edhe për në shkollë bënte të pamundurën ta ndihmonte, vetëm që ai të ndiqte ëndrrën e tij. Mendoj që prindër të tillë janë të rrallë në fakt.
Kur bëhej fjala për diçka në lidhje me sportin, Dankani ishte gjithmonë i pari, dhe jam e sigurt se kështu ka për të qenë edhe në vazhdim. Përveç kësaj, përballë kishte një person që as nuk mund të krahasohej me të. Sepse Dankani ishte ndryshe; ishte ndryshe nga unë që nuk arrija të fokusohesha dot në asgjë të vetme, ndryshe nga Rajkeri që qëndronte gjatë gjithë kohës moskokëçarës dhe indiferent nga gjërat që ndodhnin përreth tij dhe ndryshe nga Natalia e cila shpeshherë rrëmbehej nga inati apo dëshira për t'u sjellë me dikë në të njëjtën mënyrë të cilën të tjerët silleshin me të. Dankani ishte ambicioz dhe besonte në vete. Emocionet nuk ekzistonin në fjalorin e tij, ishte vetëm ai dhe suksesi. Isha shumë e sigurt se Dankani do të fitonte.
-Familja Anderson është kampion! Smithët janë urithët! -nisën të thërrisnin me sa fuqi të kishin babi dhe xhaxha Klarku, ndërkohë që ne shijonim mëngjesin në një tavolinë jo shumë larg të ashtuquajturve piratë. Arrija ta nuhatja zilinë e zonjës Mishelë nga largësia që ishim. Dukej sikur ajo familje nuk ishte vërtet e lumtur, apo e bashkuar. Nuk i kisha parë kurrë të kalonin kohë së bashku apo duke qeshur, madje edhe festa e vogël e fitores së djeshme që bënë mu duk shumë e shtirur. Kjo më kujtoi se sa shumë e doja familjen time.
Koha e sfidës së dytë erdhi më shpejt nga ç'e prisja. Smithët ishin larguar me kohë për te parku ku do të zhvillohej, ndërsa ne ishim ende të ulur në tavolinë duke biseduar me njëri-tjetrin e duke i dhënë zemër Dankanit. E vetmja që ishte larguar më parë, ishte teta Suzi, sepse Maria Antoneta i derdhi në bluzë gjithë lëngun e saj të frutave, dhe ajo shkoi ta pastronte. Binjakët kishin vizatuar në fytyrat e tyre emrin e Dankanit, ku në faqen e Zoelit lexonte "Dan", dhe në faqen e Roelit lexonte "Kan". Kur mami i qortoi për veprimin e tyre, ata u përgjigjën se të bësh tifo pa njollosur fytyrën nuk quhej. Nga tavolina u ngritëm vetëm kur na lajmëruan organizatorët. Të paktën kësaj rradhe kishim si udhërrëfyes të sfidës një tjetër person, ky nuk dukej i frikshëm dhe serioz.
U vendosëm në vendet të cilat na ishin përcaktuar për të parë performancën e të dyve, dhe teta Suzi na u bashkua shumë shpejt. Ndodheshim rreth pesë ose gjashtë metra larg nga shkëmbi i sajuar ku do të ngjiteshin Dankani dhe Rajani, dhe një shirit i hollë na ndante nga ata të dy dhe nga Smithët që ndodheshin në të djathtën tonë. Ndërkohë që prisnim, dy konkurrentët ishin duke u pajisur me rripat e sigurimit në rast se rrëzoheshin. Pas pak do të fillonte gara. Në majë do të shkonte i pari vetëm njëri prej tyre.
Numërimi mbrapsht mbaroi dhe një fryrje bilbili shënoi nisjen. Rajani ishte vërtet i shkathët, por që në sekondat e para ishte Dankani ai që kryesonte, duke qenë thuajse një metër më larg se Rajani. Mbyllja sytë sa herë shihja njërin prej tyre t'i rrëshqiste këmba, duke harruar plotësisht se ishin të siguruar me ata rripat që i mbanin të varur në ajër. Ai lloj sporti dukej interesant, por nuk do të guxoja kurrë ta provoja, pasi më dukej shumë i vështirë dhe i pamundur vetëm duke parë një tjetër ta bënte. Në ndryshim nga unë, Natalia dukej shumë më e emocionuar dhe s'kishte aspak frikë. Ishte gjatë gjithë kohës duke thirrur emrin e të vëllait e duke brohoritur me sa fuqi kishte.
YOU ARE READING
Jo si çdo verë
HumorPËRFUNDUAR Për një familje të madhe me dymbëdhjetë anëtarë si ajo e Andersonëve, duket e pamundur që një verë të kalohet siç duhet. Rrëmuja dhe telashet i ndjekin ata kudo, duke krijuar situata të pakëndshme, humoristike dhe që nuk mund të harrohen...