Të dy djemtë kishin nga një personazh në ekran, përfaqësues të tyre, të cilin arrinin ta komandonin me anë të mausit dhe tastierës. Për të qenë më e saktë, Silvio po arrinte ta komandonte, ndërsa Rajkeri nuk ia kishte idenë se çfarë ishte duke bërë. Qëndronte para kompjuterave duke shtypur një nga një butonat, në përpjekje për të mësuar se për çfarë shërbenin, ndërkohë që në ekran, personazhi përfaqësues i tij qëndronte i fshehur në një si punë kasolleje. Të paktën kishte arritur të bënte diçka, e cila do t'i jepte sadopak kohë, por ende kisha frikë se nuk mund ta fitonim lojën. Shumë frikë.
Smithët nisën të brohorisnin. Ktheva kokën nga ekrani i Rajkerit. Personazhi i tij qëndronte i vrarë. Në ekranin e Silvios personazhi kishte nisur të festonte. Kishim humbur.
-Kemi humbur?
-Kemi fituar? -pyetën njëherësh Ava dhe Stelina.
-Jo! -u përgjigjën njëzëri Rajkeri dhe Silvio. -Duhet të vrasësh shtatë herë që të fitosh.
Në ato momente numri shtatë po më dilte nga hundët. Shtatë pjesëtarë, shtatë lojëra dhe tani shtatë pikë për të fituar atje. Por e rëndësishmja ishte që Rajkeri kishte ende kohë për ta kthyer rezultatin, edhe pse siç dukej nuk do të mund ta bënte dot.
-Rajker, çfarë nuk shkon? -e pyeti me zë të ulët Natalia. Ai nuk kishte qëndruar kurrë aq i hutuar gjatë një loje, sidomos kjo lojë që ishte e preferuara e tij.
-Programimi, pajisjet, gjithçka. Nuk jam mësuar me këtë, prandaj Silvio ka një avantazh të madh. Ai ka luajtur duke përdorur këto kompjutera gjatë gjithë kohës, ndërsa unë i kam parë vetëm nëpër video.
-Dy me zero! -thirri Silvio dhe zonja Mishelë duartrokiti.
-Mirë, por, a mund të fitosh? -e pyeti ajo në dyshim nëse ishte duke e penguar apo jo.
-Është vështirë, shumë vështirë, -u përgjigj ai me sytë në ekran duke u munduar të lëvizte diçka.
-Tre me zero! -festuan sërish Smithët.
-Natalia, po e shpërqëndron! -i thashë e shqetësuar.
-Sa janë shancet për të fituar? -ishte pyetja e saj e rradhës.
-Të vogla, shumë të vogla.
-Katër me zero! -nisa të humbas shpresat për të fituar kur pashë se çfarë humbje drastike ishim duke përjetuar.
-Mos u shqetësoni kaq shumë, është thjesht një lojë, -tha zonja Mishelë duke qeshur.
-Ky është djali juaj lojtar? Shumë për të qeshur. Fiks si babai yt qenke, lavdërohet se di të luajë golf por është një dështak, -tha Tom Smithi duke m'i ngritur nervat në majë të kokës.
-E ka xhaxha, -ngriti zërin Ava. -Thjesht për ta qartësuar.
-Pesë me zero! -Stelina hodhi flokët pas për të deklaruar se ishin duke fituar. Ishte e kotë të vazhdoje. Ishte e qartë edhe në sytë e Rajkerit. Ai e kuptoi se ishte duke humbur. Të gjithë e kuptuam. Ose të paktën kështu menduam.
-Hej, Rajker, vërtet do ta lësh atë idiotin që e ushqen akoma mami të të mposhtë? -dukej se binjakët nuk i kishin humbur shpresat.
-Gjashtë me zero! -por të gjithë të tjerët po. Ai ishte vetëm një pikë larg fitores. Kishte përfunduar. Konkursi kishte përfunduar, ashtu si edhe shpresa për të fituar.
-Rajker! -kthyem të gjithë kokën nga Viki. -Gjithmonë duhet të kthejmë atë që duket në sipërfaqe, në atë që duam ne të shohim.
-Ken Xhules, -mërmëriti ai me vete. -Të kthejmë atë që duket në sipërfaqe, në atë që duam ne të shohim... Që duam ne të shohim... Pikërisht.
YOU ARE READING
Jo si çdo verë
HumorPËRFUNDUAR Për një familje të madhe me dymbëdhjetë anëtarë si ajo e Andersonëve, duket e pamundur që një verë të kalohet siç duhet. Rrëmuja dhe telashet i ndjekin ata kudo, duke krijuar situata të pakëndshme, humoristike dhe që nuk mund të harrohen...