Emri i Rajanit po më dilte kudo, sado të mundohesha ta shmang'ja. Ato ditë kishin kaluar më së miri atje, nëse përjashtojmë rrengjet e binjakëve, të qarat e Maria Antonetës, bëmat e çuditshme të mamit, babit, xhaxha Klarkut dhe teta Suzit dhe situatat pak të sikletshme gjatë kohës që flisja me Rajanin. Për këtë të fundit kisha filluar të ndjeja një farë pëlqimi. Babi dhe xhaxhi s'kishin hequr akoma dorë nga ai konkursi idiot, që me siguri resorti e kishte organizuar vetëm për të shtuar vizitorët në lojërat e tij. Ajo çfarë duhet të bëja ishte të flisja me Rajanin në mënyrë që të anullohej e gjitha kjo para se të niste; me asnjë grup konkurrent nuk mund të zhvillohej një konkurs në fund të fundit.
Vendosa ta largoja pak mendjen nga e gjitha kjo duke u futur në ujin e pastër të plazhit. Më pëlqente të kaloja pak kohë vetëm, vetëm në ujërat e qetë që më mbanin në sipërfaqe, duke bërë të mundur që rrezet e diellit të më përshkonin me delikatesë gjithë trupin. Në ato momente nuk më nevojitej asgjë tjetër, por si për dreq familja nuk mu nda asnjëherë.
Kushedi për të satën herë një top u përplas fort në fytyrën time, por kësaj rradhe fatmirësisht ishte vetëm një top plazhi.
-E kapi Kesi, -dëgjova zërin e Zoelit. Pa e kuptuar isha bërë pjesë e një loje me top që nuk e kisha kërkuar. Tashmë të gjithë përveç Avës ishin rreth meje në pritje të topit që mbaja në dorë. Dukeshin aq të emocionuar për një lojë të pakuptimtë që gjithmonë e kam urryer. E hodha topin në drejtim të Natalias dhe pa e kuptuar as vetë se si, shpenzova goxha kohë duke luajtur me ta. Maria Antoneta rrinte në komardare duke duartrokitur me duart e saj të vogla, edhe pse e dija se nuk po kuptonte asgjë nga ato që po ndodhnin para syve të saj.
-Konkursi fillon pas një jave, një rikujtim ky, -të gjithë filluan të qeshnin kur panë fytyrën time të bezdisur nga e gjitha kjo. Nuk më pëlqente që në fillim ideja, dhe përveç kësaj, nuk doja të hyja në "armiqësi" me Rajanin vetëm për një konkurs koti. Jam e sigurt se edhe ai mendonte kështu, vetëm se s'na kishte rënë rasti të flisnim ndonjëherë për këtë temë. Ndoshta ai as që e dinte që familja e tij kishte familjen time si kundërshtare.
-Prapë me këtë ju? Po është kot o babi, nuk të japin vërtet shpërblim, -u mundova t'i mbush mendjen.
-Është e kotë, -më tha mami, -i është fiksuar keq.
-Do pushoni ju të dyja? -na bërtiti teta Suzi. -Edhe po të mos fitojmë gjë, do kënaqemi. Këto pushime do jenë jo si çdo verë.
-Normalisht që do jenë jo si çdo verë, sepse ne nuk bëjmë kurrë pushime, -i tha Natalia me ironi. -Po dal të marr diçka për të ngrënë, nuk më luhet më.
Mesa dukej, ideja e këtij thesarit imagjinar u ishte fiksuar keq në kokë. Duhet të flisja me Rajanin sa më parë të ishte e mundur. Dola nga uji pak më vonë se Natalia dhe nisa ta kërkoj me sy. Në ato momente, ai ishte i vetmi që mund të më ndihmonte. Si për dreq, Roeli dhe Zoeli filluan të më ndiqnin, si të mos kishin asnjë punë më të mirë për të bërë.
-Ku po shkon? -më pyeti Zoeli. E urreja kur shtireshin sikur iu interesonte shumë për mua, kur gjithçka që donin të bënin ishte të më prishnin punë.
-Në një vend ku ju nuk duheni nga pas, -u pendova menjëherë që u përgjigja në këtë mënyrë, sepse tashmë ata do të më ndiqnin edhe nëse s'kishin ndërmend.
-Ku e di ti që s'duhemi? -e dija. Tashmë ishte e kotë, thjesht do t'i lija të vinin dhe të qëndronin me mua dhe Rajanin derisa të mërziteshin. Isha e sigurt se kjo do të ndodhte shpejt.
-Bëni si të doni, -ata nuk folën më, vetëm buzëqeshën fitimtarë. Isha shumë e lodhur për t'u marrë me kokëfortësinë e tyre të trashëguar nga mami dhe për më tepër s'kisha fare kohë. Për fatin tim të mirë, Rajanin e gjeta shpejt. Epo, nuk ishte edhe aq fat i mirë.
YOU ARE READING
Jo si çdo verë
HumorPËRFUNDUAR Për një familje të madhe me dymbëdhjetë anëtarë si ajo e Andersonëve, duket e pamundur që një verë të kalohet siç duhet. Rrëmuja dhe telashet i ndjekin ata kudo, duke krijuar situata të pakëndshme, humoristike dhe që nuk mund të harrohen...