-8-

106 35 35
                                    

Arsyeja pse nuk doja të merrja pjesë në atë konkursin që i ishte fiksuar babit, ishte pikërisht fakti që doja të kaloja pushime normale, ku asgjë nuk mund të shkonte keq. Por po mendohesha dhe kuptova që po kërkoja shumë. Në familjen time asgjë nuk është normale, përfshirë këtu dhe pushimet. Dhe pas zbulimit të fytyrës së vërtetë të Rajanit, me shumë mundësi unë isha ajo që kisha dëshirën më të madhe për të marrë pjesë në atë konkurs tani. Tek e fundit, ne ishim Andersonët. Ne njiheshim për bëmat më të çuditshme dhe më të çmendura, të fitonim një konkurs nuk na dukej gjë. Sidomos kundër një familjeje me mbiemrin Smith, lloji i familjes më klishe që mund të gjeje në ShBA. As shpirti i konkurruesit s'na mungonte, të paktën jo mua, Avës apo xhaxha Klarkut. Dankani e kishte shpirtin e konkurruesit pjesë të karakterit të tij, epo, kuptohet, ishte lojtar basketbolli. Binjakët do të bënin gjithçka për të prishur punë, sidomos për t'i prishur punë Rajanit, sepse e kishin inat, me Rajkerin do e kishim pak të vështirë, kur gjithçka ai donte ishte të gjente pak hapësirë dhe kohë për të luajtur videolojëra, por do e futnim edhe atë në brazdë. Në fund mbetej Natalia, që ishte bashkëpunëtorja ime dhe krahu im i djathtë. E di që lashë pa përmendur Maria Antonetën, por kjo sepse ishte detyra e teta Suzit ta bënte edhe atë pjesë të lojës.

E shihja se si përgjatë atyre ditëve para se të fillonte konkursi, katër të mëdhenjtë shikonin të habitur se si fëmijët e tyre kishin filluar të ishin më të afërt me njëri-tjetrin. Edhe unë po të isha në vendin e tyre do habitesha, sepse ata nuk e dinin betimin që shtatë Andersonë, ne me një fjalë, i bënë njëri-tjetrit pikërisht mbrëmjen e asaj dite kur Rajani foli me Natalian. Qëndronim të mbledhur rreth një zjarri të improvizuar nga Dankani, paksa larg nga resorti. Ishte një mbledhje emergjente familjare tipike Andersonësh, emër ky paksa i gjatë, por kur e vendosëm në fillim nuk mund të mendonim për asnjë tjetër më të shkurtër. Mbledhjet emergjente familjare tipike të Andersonëve nuk ndodhnin shpesh, por kur ndodhnin, duhet të kishte një arsye shumë të fortë pas kësaj. Prindërit nuk dinin gjë për këtë lloj mbledhjeje, pasi ishte si tip sekreti mes fëmijëve të familjes. Hera e fundit që kemi zhvilluar një të tillë, ishte kur prindërit nuk binin dakord të na bënin dhuratë për Krishtlindje dhuratat që u kërkuam. Na u desh të bënim një plan të detajuar mirë dhe madje edhe të punonim disa ditë, për t'ua mbushur mendjen prindërve, por në fund funksionoi. Mbledhjet emergjente familjare tipike të Andersonëve gjithmonë funksiononin.

Siç po thosha më lart, ishim mbledhur rreth zjarrit të improvizuar nga Dankani për të nisur mbledhjen. Pasi bëmë apelin që të siguroheshim se ishim të gjithë, Ava mori fjalën.

-Siç e shihni, jemi mbledhur pas shumë kohësh sërish së bashku. Kjo sepse kemi përpara një situatë të vështirë. Një luftë po fillon. Disa dështakë duan të na tregojnë se janë më të mirë se ne, pa e ditur se me kë kanë të bëjnë në të vërtetë, -ndoshta po e ekzagjeronim shumë, por këtë bënim ne. Tek e fundit, kjo i jepte më shumë emocion betejës. -Armiqtë tanë mbajnë mbiemrin Smith, tipik mbiemër i lodhur, i dështuar, që tregon një karakteristikë të përbashkët të tyre besoj.

-Edhe të shpifur, -shtoi Zoeli dhe ne nisëm të qeshnim.

-Edhe të shpifur, -miratoi Ava. -Ne nuk mund të lejojmë një grup të tillë të na mposhtë. Është absurde, dhe rrëzon plotësisht poshtë reputacionin tonë. Prandaj, më vjen keq të njoftoj se ka ardhur situata deri në atë pikë, ku na duhet të bëjmë betimin e miqësisë së përkohshme.

Betimi i miqësisë së përkohshme ishte një tjetër lloj shpikjeje që ishte pjesë e mbledhjes emergjente familjare tipike të Andersonëve. Ky lloj betimi na ndalonte të tallnim, bullonim apo të dilnim kundër njëri-tjetrit përsa kohë qëndronte në fuqi. Na detyronte të ishim të afërt me njëri-tjetrin dhe të mos ziheshim apo debatonim për asnjë lloj arsyeje. Betimi u pa i detyrueshëm të krijohej që kur Dankani dhe Ava kishin moshën e binjakëve. Ata të dy qenë themeluesit, dhe e krijuan vetëm për faktin se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër se si mund të rrinin pa u zënë me njëri-tjetrin. Normalisht që betimi vihej në fuqi vetëm në ato raste kur bëhej i domosdoshëm, dhe ky i joni ishte një rast i tillë.

-Betimin e miqësisë së përkohshme? Jo përsëri, -u ankua Roeli. -Ti po më thua tani që mua më ndalohet të tall Zoelin dhe të gjithë ju të tjerët? -nuk i vija faj në fakt, se Roelit nuk i mbyllej kurrë goja dhe të tallte gjithë të tjerët e kishte pasion.

-Mos u shqetëso Roel, kemi një thes të tërë me Smithë për të tallur, -i tha Natalia dhe ai buzëqeshi dhe picërroi sytë si të ishte duke menduar për mënyrat se si do i tallte ata.

-Epo, kur e kanë vendosur të mëdhenjtë, ne s'na mbetet gjë tjetër veçse të biem dakort, apo jo Zoel? -pa pritur që ai të përgjigjej i ra pas kokës me shpullë.

-Roel, besoj je në dijeni që as dhuna nuk lejohet, -i kujtoi Rajkeri.

-Betimi s'ka filluar, -ngriti supet duke u shtirur si i pafajshëm.

-Deri kur do e lëmë betimin? -pyeti Dankani.

-Deri të marrim në dorë çmimin e fituesit, -i thashë. Duhet të mos kishim konflikte me njëri-tjetrin përgjatë gjithë konkursit.

-Po të mos e marrim dot? Po të mos fitojmë ne? Betimi do zgjasë përgjithmonë. Duhet të mendojmë një tjetër afat, -më kundërshtoi Dankani, por unë isha shumë e sigurt në atë çfarë po thosha.

-Do të fitojmë, -thashë, -sepse ky do të jetë qëllimi. Po, nëse nuk fitojmë, betimi do të mbetet i përhershëm. Nuk besoj se doni ta zbatoni përgjithmonë apo jo? -betimi mund të dukej si një idiotësi, dhe ndoshta i tillë ishte, por për ne ishte i shenjtë.

-Jo, -dëgjova të thoshin të gjithë njëzëri.

-Atëherë merreni si një sfidë, -u thashë. -Që betimi të mos zgjasë përgjithmonë, si dhe natyrisht që t'ua tregojmë vendin Smithëve, duhet të fitojmë me patjetër. Na duhet një motiv, dhe nuk besoj të gjejmë një motiv më të mirë se kaq, -të gjithë po më vështronin pa thënë asgjë. Në mendjen e tyre po kuvendonin nëse ajo që sapo paraqita ishte e drejtë mjaftueshëm.

-Ideja e Kesidit hidhet në votim, -foli Ava pas atyre sekondave qetësi. Edhe votimi ishte pjesë e mbledhjes emergjente familjare tipike të Andersonëve. Të gjithë ngritën duart duke e miratuar idenë time. E dija.

-Afati i betimit u përcaktua. Do të zgjasë deri në momentin që do të marrim çmimin e fituesit në dorë.

Pas kësaj nisëm të gjithë të thoshim frazën e betimit sipas moshës në rendin zbritës. Që nga ai moment, supozohet të ishim më të fortë dhe më të bashkuar. Kishim një familje për të mposhtur dhe një çmim për të fituar. E dija që do t'ia dilnim.

Atë natë vendosëm të bënim përgatitjet paraprake për konkursin. Gjëja e parë që duhet të bënim ishte të njihnim të gjithë pjesëtarët e familjes Smith nga afër. Cilën dhomë kishin, në cilin kat ndodheshin, çfarë ishin të aftë të bënin, gjithçka që mund të mësohej. Për ta mposhtur kundërshtarin duhet ta mbaje më afër se bashkëpunëtorin, duhet të njihje mirë çdo lëvizje dhe çdo taktikë të tij. Kjo ishte ajo që vendosëm të bënim.

Tom dhe Mishelë Smith: çift në moshën e prindërve tanë ndoshta, nga veshja dhe fjalët që thonë duken të jenë intelektualë dhe me siguri goxha të pasur. Fëmija i tyre i madh është Stelina, këtë javë zbuluam se ajo ishte blogere me disa ndjekës më shumë se Ava, një nga arsyet pse Ava e urren aq shumë. Është gjatë gjithë kohës në spa-në e resortit duke regjistruar video dhe duke postuar në llogarinë e saj. Fëmija i dytë, Rajani. Një dështim total do thoja unë. Mesa pashë ato ditë në resort, gjithçka bënte ai ishte vërdallosje aty-këtu pa ndonjë qëllim, në përpjekje për t'i rënë në sy ndonjë vajze. E treta quhej Viki, ishte në moshë me mua dhe Natalian, e apasionuar pas sporteve dhe natyrës. Diçka më thoshte se ajo do të ishte kundërshtarja më e fortë që do të kishim. Tjetra ishte njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë, quhej Panajota dhe ishte pikërisht lloji i vajzës së përkëdhelur që kërkonte vëmendje dhe vishej me rozë. Ajo nuk bënte ndonjë gjë kushedi me jetën e saj siç dukej, vetëm bëhej ndonjëherë bashkëpunëtore në blogjet e së motrës. I fundit ishte Silvio, gjashtë vjeç. Një fëmijë qullash për të cilin s'kishim pse shqetësoheshim. Binjakët do ia tregonin vendin shumë shpejt. Konkursi po afrohej dhe dukej sikur ne kishim në dorë gjithçka, edhe pse ende s'kishte filluar. Tashmë njihnim çdo pjesë të resortit në pëllëmbë të dorës, dhe ishim gati të përballeshim me çdo gjë të mundshme për të na çuar drejt fitores.

Jo si çdo verëWhere stories live. Discover now