Ndenji edhe pak në këmbë e pastaj, kur s'kishte ç'bënte, shkoi e u shtri në krevatin e tij pa problem fare.
- Epo mirë, s'kemi ç'bëjme. Kështu paska dashur fati, të na mbyllte bashkë në një dhomë.
- Po pra, gjithë këto forca hyjnore me këtë punë po merren, - ia ktheu Alani me ironi e i bëri me shenjë të ngrihej nga krevati, megjithëse ajo s'kishte ndërmend të ngrihej. - Tani, si zonjushë e mirë që je, ngrihu nga krevati e dil nga dritarja.
- Dil vetë si zotëri i mirë që je! Ç'më duhet mua me ty fundja fundit.
- Kjo është shtëpia ime, dhoma ime, si rrjedhojë, rregullat e mia. Tani dil!
- Iiii, sa njeri i ndyrë që paske qenë! Do dal, sikur ngela unë që të qëndroj në një dhomë me ty! Shpifësirë!
U ngrit nga krevati me macen në dorë e këtë të fundit ia drejtoi atij.
- Merre. Po dallove që të ketë alergji, lëshoje menjëherë.
Shkoi te dritarja dhe e hapi atë. Shikoi njëherë poshtë me frikë e sa u bë gati të mos hidhej, shikoi fytyrën e Alanit e sikur mori forcë.
- Po vdiqa, i lë amanet maces të t'i nxjerrë sytë!
- Pa merak, të dy do më dalin vendit.
Vendosi këmbët te parmaku i dritares duke injoruar atë e u hodh te pema që ishte aty pranë. E përqafoi atë aq fort prej frikës, sa s'po e mendonte fare faktin se kishte disa spica të vogla që kishin dalë prej drurit e po e shponin.
Njërën këmbë e pozicionoi te një degë, ndërsa këmbën tjetër te një degë tjetër.Ktheu kokën nga dritarja e atje shikoi Alanin që po e vështronte duke qeshur.
- Bravo, këtu fitove çmimin si majmuni më i mirë i vitit.
Hoqi menjëherë kokën nga ai e vështroi poshtë. U bë gati të vendoste këmbën te dega tjetër e në momentin që e bëri atë gjë, dega u thye e asaj njëra këmbë i ngeli në ajër e këmba tjetër te dega që do thyhej së shpejti.
- Do vdesss! - bërtiti me të madhe. - Do vdes o Zot do vdes!
Ai i bëri me shenjë të mos bërtiste e ajo pushoi menjëherë, megjithëse e ndiente akoma atë dëshirën që të bërtiste derisa të çirrej.
Dëgjoi që dera e dhomës së tij u hap e në mos gabohej, brenda kishte hyrë e motra. Siç dukej Leo donte të dukej sikur s'e kishte mbyllur ai derën.
- Çfarë ndodhi? Ku është Krisi?
- Për momentin Krisi është e zënë vogëlushe. Ka një punë aty jashtë te pema. Kur të mbarojë, do vijë te ju.
Ajo doli pa thënë gjë tjetër e në ato momente Kristeni filloi të fliste përsëri.
- Dil menjëherë poshtë që të më mbash kur të hidhem. S'kam ndërmend të ngelem me këmbë të thyera.
Pa një, pa dy, ai doli nga dhoma duke psherëtirë thellë e zbriti shkallët me të shpejtë.
Kaloi nga prindërit e tij e të Kristenit pa u vënë re e doli nga shtëpia.
Bëri disa hapa rreth shtëpisë e kur më në fund e gjeti atë që përpiqej me gjithë shpirt që të mbahej te pema, sforcoi veten që të mos i dilte ndonjë e qeshur.Shkoi atje me hapa të ngadaltë sikur të kishte gjithë kohën e botës e ndaloi në fund të pemës.
- Tani do hidhem, - i tha ajo kur vështroi atë që qëndronte disa metra më poshtë. - Më kap ama. Se mos më lë të bie në tokë!
- Thjesht hidhu, mos u mendo kaq shumë.
Ajo hoqi këmbën nga pema e më pas duart. I dukej sikur po fluturonte e për një moment mendoi të këndonte këngën "I believe I can fly, I believe I can touch the sky", por e fshiu menjëherë atë mendim nga mendja në çastin kur u përplas me trupin e tij.
U rrëzuan të dy bashkë, por kishte një ndryshim të vogël; ajo kishte rënë rehat-rehat pa u vrarë fare, se po qëndronte sipër tij, ndërsa ai rënkonte nga dhimbja që i ishte shkaktuar te kurrizi kur ishte ndeshur me tokën.
- Alani duhej të ishte sipër! - u ankua dikush që nga dritarja e kur ajo ktheu kokën, vuri re Leon që se ç'bënte disa shenja të kota me duar.
Sa do bëhej gati t'i thoshte ndonjë nga ato budallallëqet e saj, foli Alani.
- A s'ishit të dashur ju të dy?
Leo s'foli për një kohë. Vështroi njëherë Kristenin e sforcoi një të qeshur.
- Harrova. Harrova që kam të dashur. Këto kohët e fundit më duket se po më ze skleroza.
Iku menjëherë që nga dritarja e më nuk i dëgjuan as zërin, as fytyrën s'ia panë.
Ajo u ngrit e inatosur e po pastronte bluzën në të cilën ishin ngjitur disa gjethe të vogla.
Filloi të bënte hapa për te shtëpia e në ato momente dëgjoi zërin e tij.- Po mua s'do më ndihmosh të ngrihem?
- Mundësisht dua të të vendos shkelmin e të të lë aty përjetësisht!
U fut brenda në shtëpi e u ul në njërin nga kolltukët që ishin bosh.
- Ku është Alani? - pyeti e ëma e tij.
- Është jashtë, kishte një punë. Besoj se do vijë së shpejti, - iu përgjigj Kristeni me një buzëqeshje të shtirur për të përforcuar atë aktrim. - Gjithsesi, mendoj se tani duhet të largohem. Natën e mirë.
Takoi edhe njëherë ata të dy, mori macen që po e mbante Leo në dorë e doli nga shtëpia.
Aty u takua me Alanin. Inati i një minute më parë i ishte zhdukur.- Shihemi nesër, Alan.
Ai s'i tha gjë. Ajo u nis për te shtëpia e saj e hyri brenda duke qeshur. Edhe ajo ditë kishte kaluar.
Shpresonte se të nesërmen do të kishte një ditë akoma më të bukur.
ESTÁS LEYENDO
Një magji për dashurinë
Humor- Mos ndoshta nuk je mirë? - e pyeti ai gjasmë serioz. - Të ka bërë keq ëmbëlsira? Po të duash mund të të çoj në spital. Bëri të vendoste njërën dorë në ballin e saj si të donte të kuptonte në qoftë se ajo kishte temperaturë, por Kristeni bëri një...